Edhe i paftuar edhe gërnjar. Kështu ishte Sali Berisha në Këshillin e Europës, ku sërish nuk ngurroi të nxijë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kreu i PD mori pjesë në një për seancave të Asamblesë Parlamentare, duke i zënë vendin deputetes demokrate Albana Vokshi, anëtarja që përfaqëson Partinë Demokratike në delegacion, e cila për këtë ka marrë edhe pagesat nga Kuvendi.

Lidhur me këtë, u diskutua në emisionin "Frontline" në Report Tv.

Pedagogia Taulanda Jupi deklaroi se opozita e ka humbur fokusin dhe alternativën e saj, për të qenë e besueshme përballë Edi Ramës. Sipas saj, nëse fjalën në Asamblenë Parlamentare do e mbanin të rinjtë dhe jo Berisha, do të kishte impakt tjetër.

"Në fakt është për të ardhur keq, në kushtet kur kryeministri Rama dhe qeveria e tij është në pikën më të ulët të 13 viteve drejtim të kësaj mazhorance, për fat të keq përballë kemi një opozitë që i ngjan asaj anijes që ka timon të thyer. Padyshim Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen si shenjë e një përgjegjësie për atë që ka ndodhur me qeverinë e tij. Edi Rama duhet të jepte patjetër dorëheqjen për të gjitha mëkatet që ka bërë ai dhe të zgjedhurit e tij. Por më shumë se Edi Rama, Shqipëria ka një problem më të madh. Ka një opozitë që e ka humbur krejtësisht fokusin, alternativën e saj për të qenë opozitë e besueshme përballë Edi Ramës. Nëse sot ai fjalim, sot do të mbahej nga të rinj që do shkonin në Këshillin e Europës dhe do t’i ndërgjegjësonin ata deputetë dhe zyrtarë për çfarë ndodh në Shqipëri, do kishte impakt tjetër. Unë besoj se zyrtarët europianë e dinë çfarë ndodh në Shqipëri, që sot Shqipëria vuan nga dy individë, Edi Rama dhe Sali Berisha.", theksoi ajo.

Për analistin Aleksandër Çipa, fjalmi i Berishës ishte përbaltje për Shqipërinë, nga një njeri i cili ka marrë gjithçka nga politika.

Çipa shtoi se kjo qasje e Berishës është e gabuar.

"Një politikan që ka marrë gjithçka që mund të ofrojë politika, besimi i bashkështetasve të vet, i shumë gjërave që lidhen me historinë politike të 35 viteve të fundit, të ndërtojë qëllim duke mos marrë në konsideratë dhe duke injoruar kostot që i shkaktohen imazhet e vendit tënd, le të supozojmë se pas këtij fjalimi, zoti Berisha vjen në shkurt në pushtet, sa kohë do t’i duhen për ta zhbërë atë imazh që e hodhi si përbaltje për shtetin e tij? Minimumi do t’i duhet një mandat. 4 vjet ky vend duhet t’i flijojë si kosto për një shërbesë të rotacionit politik të individit. Ky vend nuk ka nevojë për barut, në kuptimin e emocionit të fjalës. Ky vend nuk po prodhon mendim, asnjë nga subjektet tona politikbërëse, nuk gjenerojnë mendim në këtë vend. Te zoti Berisha unë vërje një gjë që politologjia shpesh na e thotë. Vjen një moment në politikë nga status quo-ja e gjatë kohore, që indoktrinuesi vetëindoktrinohet. Ky njeri që e ka ndërtuar metodologjinë deri në përbaltje të kundërshtarit politik, sot befas e ka marrë këtë vet dhe e përdor si mjet politik, kjo është e gabuar. Opozita ka qasje të gabuar.", nënvizoi Çipa.

Ndërsa analisti Arben Meçe tha se Berisha mbajti një fjalim të neveritshëm. Meçe shtoi se Berisha është futur në Asamble nga lobet greke.

“Është po kaq e kritikueshme në çdo ambient ajo fjalë e neveritshme. Me çfarë statusi ishte Berisha në këtë Asamble? Në Asamble shkojnë persona që janë të autorizuar nga parlamenti. Del me statusin e zëvendësuesit, e vetmja mënyrë që të flasë është statusi i zëvendësuesit, në kushtet kur një anëtar nuk është në sallë. Në fund të fjalës, shihe spostimin e Vokshit. Ligjërisht, brenda protokollit që ka Asambleja Parlamentare, Berisha duhet të ishte atje të zëvendësonte Albana Vokshin, por Albana Vokshi është aty. Nëse kur bëhet regjistrimi del portret, kur ndërpritet fjala, del në distancë. Kush i dha të dha të drejtën Sali Berishës të flasë në Asamble? Në njoftimin që bëri Sali Berisha, foli dhe për një takim me kryetarin e Asamblesë. Kryetari i Asamblesë është një eurodeputet grek. Influenca e lobit grek në Asamble, e ka thirrur dy herë Sali Berishën në Asamble. Sali Berisha është prezent aty, falë lobimit që bëjnë linjat greke në Asamble. Kuvendi i Shqipërisë duhet të shohë legjitimitetin e këtij personi.", deklaroi analisti Meçe.