Aktivistja Evi Kokalari thotë se është e vetmja ‘shpresë’ për Partinë Demokratike. Duke marrë shkas nga një debat në ‘Studio Live’ në Report Tv, mes ish-kandidatit për kreun e PD Bujar Nallbani dhe analistit Azmer Duleviç, Kokalari shkruan “PD-së i duhet dikush nga diaspora si unë, që ka një mentalitet tjetër për ta thyer status quo-në dhe për ta hapur realisht PD-në”.

Kokalari bie dakord me të thënat nga Nallbani, i cili u shpreh në studio se përballë Berishës sot mund të fitojë kushdo, por se nevoja e partisë sot anon nga një figurë e ardhur nga diaspora, duke iu referuar asaj.

“Të gjithë e mundin Berishën. Për mua Salianji po, edhe pse është njësoj si ata. Por më shumë duhet një njeri nga diaspora, që e përfaqëson Kokalari. Nëse do të hyjë në garë, të cilën ata nuk do ta pranojnë kurrë. Ehe në zgjedhjet e 2013 kur Saliu dha dorëheqjen, asnjëherë nuk u zgjodh asi që duhej. Sikur të ishit zgjedhur Sokol Olldashi se ai kishte probabilitet ta ndryshonte PD. Kokalari sjell risi perëndimore”, tha Nallbani në studio.

Bindjet e Kokalarit bien ndesh me deklaratat e Azmer Duleviç, i cili thotë për aktivisten se nuk mund të kujtohet për elektoratin sa herë që ka zgjedhje PD.

“Duhet të jesh me elektoratin. Jo të kujtohesh sa herë ka zgjedhje Partia Demokratike dhe të kandidosh. Duhet të jesh prezent”, tha Duleviç.

Në shkrimin e publikuar në profilin e saj në rrjete sociale, Evi Kokalari shkruan se ajo, “e maturuar politikisht jashtë vendit dhe sidomos në SHBA”, do të sjellë integritet në PD, e pakorruptushme dhe do të bënte një pastrim të brendshëm e do të hapte partinë për emra të rinj.

Postimi i plotë i Evi Kokalarit:

Z. Nallbani ka shumë të drejtë: kundër PD-së fiton edhe Babalja, i cili është njësoj si ata që po luftojmë. Por PD-së i duhet dikush nga diaspora si unë, që ka një mentalitet tjetër për ta thyer status quo-në dhe për ta hapur realisht PD-në.

Këtu më duhet të shtoj një detaj: nuk mjafton thjesht të jesh nga diaspora dhe të kesh mentalitet perëndimor, sepse të tillë kemi plot shqiptarë nga diaspora që do të bënin një punë shumë të mirë po të ishte PD-ja në një moment tjetër jo e marrë peng dhe mbushur me mashtrues. Por këtu duhet dikush që jo vetëm është maturuar politikisht jashtë—dhe sidomos në SHBA, që nga shumë pikëpamje është superiore ndaj mentalitetit politik të Europës—por mbi të gjitha duhet dikush me karakter të fortë dhe vendosmëri në atë që bën, që nuk thyhet nga sulmet, por as nga tentativat për t’u korruptuar.

Këtë e kam treguar tashmë me fakte, sepse:

1- Më ofruan para dhe i kam refuzuar

2- Më ofruan pozicionin e nënkryetarit të PD-së dhe e kam refuzuar

3- E vetme dhe nën sulme nga më vulgarët, kam bërë luftë kundër Berishës, Këlliçit, Nokës, Vokshit, të cilët manipuluan dhe shkatërruan meritokracinë që Berisha premtoi në Foltore

Pra, duhet një integritet maksimal për të kaluar pengesën kryesore—marrjen e PD-së, por edhe pastrimin e brendshëm, ndaj atyre që do të mundohen të na luftojnë pa filluar mirë nga puna.