Kreu i PD, Sali Berisha vijoi sulmet ndaj drejtësisë para SPAK, ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Shigjetimet kësaj radhe nuk i drejtoi vetëm ndaj Prokurorisë së Posaçme, por sulmoi për rastin e Irena Gjokës edhe KLGJ dhe ILD, duke u quajtur institucione të kapura.
“Ikona e kësaj reforma është Irena Maneku Gjoka. Një kriminele e dënuar me vendim të formës së prerë të drejtësie greke për falsifikim të vizës dhe që i ka fshehur vendimin që sipas ligjit e ndalon atë të ushtrojë detyrën apo funksionet e magjistratit. Irena me 5 mbiemra ka fshehur eksplusin, nuk e ka deklaruar sipas ligjit të dekriminalizimit që përbën vepër penale të veçantë. Por jo, për Altin Troplinin, ILD, KLGJ dhe qeveritarët. Institucionet e kapura të KLGJ, SPAK, ILD nuk veprojnë për këtë krim flagrant”, tha Berisha.
Berisha u shfaq me një dokument në dorë, për të cilin pretendon se është vërtetimi i lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë së Greqisë, me të cilin vërteton ekspulsin e gjyqtares Gjoka nga territori grek si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar. Kreu i PD thotë se Gjoka mbahet në detyrë pasi u duhet për qëllime politike, duke akuzuar SPAK, KLGJ dhe ILD se marrin urdhra nga Rama.
“Institucionet e kapura të KLGJ-së, SPAK, ILD, nuk veprojnë për këtë krim flagrant, ndaj sot paraqes para jush provën e re, të radhës, vërtetimin e lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë së Greqisë, me të cilin vërteton ekspulsin e Irena Gjoka Manekut nga territori grek si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar.
Ky dokument që paraqes sot para jush është dokument origjinal, i lëshuar nga policia greke me vulë apostile, siç kishte vulë apostile dokumenti i gjykatës së Janinës për dënimin penal të Irenës me 5 mbiemra. Ky dokument fshihet nga Altin Troplini. Altin Troplini e mban në hetim paraprak, e kuptoni vetë, se po të futi Troplini në hetim paraprak duhet të paguash miliona dhe miliona dhe pastaj qetësohet dosja. Siç është rasti i Kreshnikut të Manzës”, tha Berisha.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Lajmi kryesor:
Berisha mbron krimin shtetëror të 21 janarit: Garda veproi në përputhje me ligjin












