Berisha pret një delegacion
qeveritar të Arabisë Saudite

Berisha pret një delegacion <br />qeveritar të Arabisë Saudite
Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, një delegacion qeveritar të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Zëvendësministri për Zhvillim e Bujqësi dhe Kërkim Shkencor, z. Abdullah Alobaid, që po zhvillon një vizitë 3 ditore në Shqipëri, për të marrë pjesë në seminarin e Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Arabi Saudite.

Zëvendësministri Abdullah Alobaid falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për diskutimet frytdhënëse, gjatë punimeve të këtij seminari. Ai theksoi se e gjen Shqipërinë një vend me potenciale reale investuese dhe zhvillimi ekonomik dhe me një klimë shumë të favorshme investimi për projekte të reja. Ai i përcolli Kryeministrit urimet e përzemërta të Mbretit Abdullah, Kujdestar i dy xhamive të Shenjta.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit qeveritar të Arabisë Saudite dhe i shprehu falënderimet për Mbretin Abdullah dhe për mbështetjen e gjithanshme të qeverisë së tij. Kryeministri theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm midis dy vendeve duhet thelluar më tej, veçanërisht në fushën ekonomike.

Zv/ministri Abdullah vlerësoi se kjo vizitë është një shprehje e interesit të Mbretit Abdullah dhe vendit të tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Larmia e përbërjes së delegacionit, me përfaqësues nga shumë institucione, - tha z Abdullah Alobaid - tregon interesin e veçantë të shtetit tim, për të bashkëpunuar dhe forcuar marrëdhëniet në mënyrë të gjithanshme, në fushën e energjisë, turizmit, bujqësisë, mineraleve, etj..

Një interes i veçantë u shpreh nga delegacioni për bashkëpunim dhe projekte në fushë e bujqësisë, duke përfshirë Shqipërinë në iniciativën e Mbretit Abdullah. Zëvendësministri për Zhvillim e Bujqësi dhe Kërkim Shkencor i Arabisë Saudite u ndal në mënyrë të veçantë në thellimin e bashkëpunimit në sektorët përkatës privatë, në prodhimin dhe importimin e produkteve bujqësore e blegtorale, nga Shqipëria në Arabinë Saudite. Për këtë, tha ai, qeveria e tij do të ofrojë nxitje dhe mbështetje për sektorin privat të Arabisë Saudite. Në këtë mënyrë, do të thellohen më tej edhe marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, për produkte bujqësore strategjike.

Kryeministri Berisha vlerësoi interesin e madh të këtij delegacioni dhe pasi prezantoi potencialet e Shqipërisë në fushat e energjisë, mineraleve, turizmit, u ndal në mënyrë të veçantë në atë të bujqësisë. Kryeministri theksoi se kjo është një fushë, ku interesi dhe investimi të shpërblehet shumëfish. Për të rritur mundësinë e zhvillimit të bujqësisë, qeveria shqiptare, me strategjinë e saj, deri më sot ka bërë të mundur lidhjen me infrastrukturë të këtyre zonave dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e potencialeve bujqësore, blegtorale dhe turistike të këtyre zonave. Kryeministri i prezantoi delegacionit projektet madhore strategjike të qeverisë për bujqësinë, si atë të ullinjve, të drurëve arrorë dhe pyllëzimit të mëtejshëm me drurë të tjerë frutorë. Për të nxitur iniciativat e vogla private, qeveria jep ndihmë për ata që përfshihen në këto projekte.

Kryeministri u foli përfaqësuesve të Arabisë Saudite edhe për potencialet ujore të Shqipërisë, jo vetëm të hidrocentraleve, por dhe me ujë të pijshëm, ku burime të tilla janë të pafundme në Shqipëri. Po ashtu, edhe bimët mjekësore dhe ato aromatike. Kryeministri i prezantoi delegacionit të Arabisë Saudite edhe potencialet e mundshme të bashkëpunimit mes dy vendeve nëpërmjet sektorit privat, në kërkimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e naftës. Po ashtu, ai i bëri ftesë sipërmarrjes së këtij vendi edhe për investimet në fushën e transportit ajror dhe detar.

Zëvendësministri për Zhvillim e Bujqësi dhe Kërkim Shkencor i Arabisë Saudite, z. Abdullah Alobaid shprehu admirimin e tij për mënyrën se si shfrytëzohen potencialet dhe burimet natyrore të Shqipërisë, si dhe për infrastrukturën jo vetëm fizike, por edhe ekonomike e ligjore, të krijuar për të tërhequr investime të huaja në sektorin privat. Ai premtoi përfshirjen e Shqipërisë në iniciativën bujqësore dhe blegtorale të Mbretit Abdullah, për të rritur kapacitetet përthithëse, pra, për të hapur tregjet për produktet bujqësore shqiptare. Ai, gjithashtu, premtoi se do të punonte për promovimin e potencialeve të Shqipërisë në komunitetin e biznesit të Arabisë Saudite.  ah/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet ta vazhdojë Sylvinho drejtimin e ekipit tonë kombëtar deri më 2026?



×

Lajmi i fundit

‘Ndërtuesi u ka vjedhur pronën publike banorëve’, Dogjani kërkon interpelancë me Ramën! Rrëzohet nga mazhoranca

‘Ndërtuesi u ka vjedhur pronën publike banorëve’, Dogjani kërkon interpelancë me Ramën! Rrëzohet nga mazhoranca