Pasi është mbajtur një minutë heshtje për tragjedinë e Himarës, kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Topalli se kanë cënuar rendin e ditës së punimeve duke mos përfshirë në të draftet për reformën zgjedhore e parlamentare si edhe disa interpelanca.
“Bëni rikompozimin e KQZ, sipas rekomandimeve të ODIHR. Ne që sot, pikërisht në këtë datë që na e kanë shënuar ndërkombëtarët po punojmë kundra vetes duke mos votuar reformën zgjedhore se Berisha bën sikur harron. Axhenda e ditës së sotme të mos preket. Të fitojmë kohën e humbur për të plotësuar kërkesën dashamirësë të partnerëve. Axhenda të jetë ajo që kemi miratuar bashkë me interpelancat”, tha Ruçi.
Për kreun e grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi është PS ajo që bllokon reformën zgjedhore.
“Mazhoranca ka votat për presidentin e vetme, por s’ka votat për reformën zgjedhore e vetme. PS s’ ka votat për presidentin, por ka votat për ta bllokuar reformën. Ja pse kemi, ngecur, sepse PS do bllokimin pasi nuk ka presidentin. Unë ju bëj një sfidë: Hajde të caktojmë një orë për t’i miratuar të gjitha në komision. Por, ju nuk e doni këtë se ju kanë zënë ethet e zgjedhjes së presidentit”, dekaroi Patozi në seancë.
BERISHA- PS: RILINDJA JUAJ: VUTE BLLOKUN NE KRYE TE PS
Në replikë me kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi për bllokimin e reformës zgjedhore, Berisha deklaroi sot në seancë: “I bëra ftesë opozitës, Jam skeptik sepse kryetari i opozitës dhe lejtanët e tij po e përdorin rëndom cdo ditë rilindja. Kemi të bëjmë me rilindjen e bllokut në krye të PS. Kjo është e vetmja rilindje. Ju ftova hajde të kapërcejmë pengesat që janë lehtësisht të kapërcyeshme"
BERISHA: S’JU JAP KQZ, PROJEKT PILOT PËR NUMËRIMIN ELEKTRONIK
Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën që numërimi elektronik I votave të zbatohet në një qytet të zgjedhur nga të majtët, përpara se të nisë aplikimi i tij në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës në Kuvend, pas akuzave nga kreu i grupit kuvendor socialist, kryeministri u deklarua i gatshëm për votimin e draftit të reformës zgjedhore.
“Cdo gjë unë mund tua jap, por komisionin (KQZ) unë nuk ua jap dot. Përfaqësuesit e PS kanë sjellë gjithë amendamentet për rekomandimet e ODIHR. Por, ODIHR jo se ka mungesë njohurish për sistemet dixhitale, por ai kërkon të fillohet me një studim pilot për të krijuar besimin. ODIHR nuk pranon që kjo të jetë në shkallë vendi. Zgjidhni qytetin pilot që doni dhe le ta fillojmë”, tha Berisha.
Sa i takon propozimit të PS-së që dy gjyqtarë në Gjykatë mund të vendosin për hapjen e materialeve zgjedhore, Berisha tha se s’ka interes më jetik për opozitën sesa të abuzojë.
“Merrni vendimin e Gjykatës, përcaktoni rregullat e dy gjyqtarëve dhe hajde e miratojmë. Kur thua që KQZ s’ka punë me këta të dy, ti i ke dhënë pushtetin për ta shtyrë në kalenda pafund finalizimin e procesit zgjedhor. Me këtë kërkesë kërcënoni plotësisht opozitën”, tha ai.
Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën që nesër, më 25 maj të mblidhet Kuvendi dhe pas vendimit në komisionin përkatës të votojë draftin e përfunduar të reformës zgjedhore.
RUÇI: JA 4 PIKAT QË MBAN PENG BERISHA
Në replikë ndaj kryeministrit Berisha, kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi shigjetoi Berishën se spekullon me propozimet e të majtëve për reformën zgjedhore.
“Nuk është e vërtetë se PS ka kërkuar që Avokati i Popullit të zgjedhë kreun e KQZ, Berisha spekullon edhe këtë herë. Hajde të përmirësojmë nenin për gjyqtarët në Gjykatë. Por, as për këtë ju nuk doni”, tha Ruçi.
Ai më tej ka renditur 4 pikat, që sipas tij po bllokohen nga mazhoranca.
“Zgjidhni ankimimimin, riformatimin e KQZ, çekimin e kartave dhe transparencën e zgjedhjeve dhe hajde ta votojmë, jo nesër, por që sot pasdite po deshët”, deklaroi ai.
(aq/shqiptarja.com)