Shqipëria kaloi nga janari i vitit 1997 e deri në arritjen e kësaj marrëveshje në “tehun” e luftës civile, duke kaluar situatën më dramatike që kishte parë vendi që pas themelimit të shtetit shqiptar. Rënia e firmave piramidale si “fondacionet” bamirëse “Populli”, “Xhaferri”, dhe kompanive të tilla si “Sudja”, “Gjallica”, “Silva” e më vonë “VEFA” solli një gjendje të tensionuar në mbarë vendin.
Në Vlorë, situata ishte edhe më e rënduar. Forcat opozitare, të drejtuara nga PS u tubuan më së shumti rreth Forumit për Demokraci, në krye të të cilit u vunë tre ish të burgosur politikë, Kurt Kola, Fatos Lubonja dhe Daut Gumeni.
Gjithçka kishte filluar më 26 maj 96, kur mazhoranca vodhi votat dhe la për PS vetëm 10 vende në Kuvend, që solli dhe bojkotin e saj. Rënia e fajdeve shtoi së tepërmi këmbënguljen e opozitës për të kërkuar zgjedhje të reja në vend.
Duke qenë Vlora qyteti i protestave të përditshme, artikulimi i kërkesave të opozitës së kohës u bë pikërisht nëpërmjet këtij qyteti. Përveç kërkesës për kthimin e parave, atje u kërkua ndër të tjera e nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme legjislative.
Më 20 shkurt 97 filloi greva e urisë e studentëve të universitetit të Vlorës. Më parë ishte vrarë Artur Rustemi. Në mbrëmjen e 28 shkurtit 1997, pasi u shkaktua një incident para Universitetet të Vlorës, një grup i armatosur sulmoi pa paralajmërim godinën e SHIK-ut në Vlorë, duke vrarë dy oficerët e këtij. Sulmi shënoi fillimin e tragjedisë së marsit 1997.
Në Vlorë u sulmuan depot e ushtrisë dhe filloi armatosja masive e popullsisë. Në mëngjesin e 2 marsit 1997, Qeveria paraqiti menjëherë dorëheqjen duke ofruar zgjidhjen politike. U miratua ligji për gjendjen e jashtëzakonshme.
U votua bashkimi i forcave të SHIK, ministrisë së Brendshme, në krye të këtyre forcave të ngarkuara për të shtypur kryengritjen u vu kreu i SHIK, Bashkim Gazidede. Kuvendi i drejtoi një thirrje popullit duke kërkuar distancimin e tij nga kriminelët. Më 3 mars 1997, me propozim të një grupi deputetësh, të përfaqësuar nga Ali Spahia, Kuvendi zgjodhi Sali Berishën, President për një mandat të dytë me 113 vota pro.
MARRËVESHJA E 9 MARSIT 1997
Forcat qeveritare nuk mundën të vendosnin rendin dhe qetësinë në disa qytete të jugut, ku ishin shpërthyer depot e ushtrisë dhe kishte armatosja masive e të pakontrolluar të popullsisë. Plani i gjeneral Gazededes, për të shtypur protestat dështoi.
Trupat qeveritare nuk mundën të bënin asgjë dhe për pasojë kreu i SHIK paraqiti dorëheqjen e parevokueshme. Më 9 mars 1997, Presidenti Berisha pas disa ditë bisedimesh, mblodhi krerët e partive, duke u propozuar krijimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, amnisti për civilët e ushtarakët e përzierë në ngjarjet e fundit, zgjedhje brenda 2 muajsh, dorëzim të armëve brenda një jave dhe shpalljen e zisë kombëtare për viktimat.
Pas marrëveshjes së 9 marsit PS kushtëzoi marrjen pjesë në qeveri me marrjen e postit të Kryeministrit ose ministrit të Brendshëm. PD pranoi të lëshojë postin e Kryeministrit. Në mes të kandidaturave të Arben Malajt, Eduart Allushit, Pandeli Majkos dhe Bashkim Finos, Presidenti Berisha zgjodhi këtë të fundit për ta dekretuar si Kryeministër.
Fino u paraqit në Kuvend, më 14 mars 1997, për votëbesim. Ai shpalli si program të qeverisë 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik e vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare e përgatitjen e zgjedhjeve të lira.
FUNKSIONIMI I QEVERISË
Ministra të dubluar për të shmangur vendime personale
Ngërçi qeveritar për ngritjen e kësaj qeverie, parashikonte ndarjen në ushtrimin e kompetencës së detyrës, midis ministrit dhe sekretarit të shtetit. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes së 9 marsit. Vlente për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në këto ministri, firma e ministrit nuk vlente pa kundërfirmën e sekretarit të shtetit. Me vendimin nr.171, datë 19.4.1997 “Për funksionet e sekretarëve të shtetit në qeverinë e pajtimit kombëtar”, Këshilli i Ministrave vendosi që sekretarët e shtetit do ushtronin funksione koordinuese dhe drejtuese të politikës në ministritë përkatëse, drejtonin veprimtarinë e përditshme të sektorëve të veçantë të ministrisë, etj.
Kjo formë punë bënte të detyrueshëm kompromisin midis dy forcave kryesore politike nga njëra anë dhe nga ana tjetër rriste mundësinë e mosqeverisjes së shkaktuar nga moskoordinimi përkatëse. Një gjë e tillë u bë për shkak se palët vepronin në mënyrë të pavarur, duke zbatuar vendimet e partive.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)