Ylli Pata: Sforcimi kërcitës i partive të reja të opozitës

Ylli Pata: Sforcimi kërcitës i partive të reja të opozitës

Arlind Qori, Adriatik Lapaj, Endri Shabani

Tre partitë e reja të opozitës, që në fakt nuk janë parti por personazhe: Lapaj, Qori dhe Shabani, i kanë hyrë një rruge politike që është trendi për momentin. Një rrugë që sot është në rend të ditës dhe quhet populizëm. Të cilët e ndjekin më shumë të djathtat, po ka mjaft edhe parti të majta që nuk i lënë gjë mangut.

Populizmi, është një rrugë politike që njerëzimi e ka provuar egërsisht në lëkurë, gjithashtu edhe shqiptarët në disa periudha të ndryshme historike.

Populizmi si mesazh politik modern erdhi nga një grupim margjinal i Italisë që u themelua nga një “socialist i inatosur” si Benito Musolini. Gjenialiteti politik i Duce-s ishte në shpikjen e t ashtuquajturit “mesazh direkt e të shkurtër”. Që njerëzit të mos lodhen po ta marrin si një llokume apo një sheqerpare pas bukës, pa u menduar se si do të realizohet.

Edhe pse populizmi është stërprovuar se është demagogjia më e frikshme dhe më e rrezikshme për njerëzit, sa herë elektorati bie në grackë sepse kërkon një ngushëllim për frustrimet e tij.

Të tre partitë e reja që në fakt nuk janë fare parti por thjesht emra kryetarësh, duket dikush i ka trajnuar si robotë për të bërë remake të duce-ve të vegjël.

Askush nuk di se kush janë këto parti përveç kryetarve, kur sot pas 80 vitesh ne themi se Enver Hoxha u mori postin një grupi të gjerë njerëzish që përbënin grupet komuniste të Shkodrës, Korçës, të Rinjve apo Zjarrit. Pra ende ne sot kërkojmë demokraci në një organizatë ilegale që e thonte hapur se nuk ka ndërmend të sjellë demokraci parlamentare por diktaturën e proletariatit. E sot ne s’dimë kush janë bashkëpunëtorët e “grupit të të rinjve”.

Për shembull: A ishte Rudina Hajdari pjesëtare e Nismës Thurje, pse sot nuk është. Po Lapaj, kë ka nënkryetar, sekretar, llogaritar, drejtues degësh etj? Po Arlind Qori?

Në vitin 2018, punoja në një emision politik televiziv si përgatitës materialesh, e bëra një analizë që profesor Arlindi po përgatit një parti politike. Jo vetëm e mohoi, por mu kërtil, duke më akuzuar sikur e kam bërë këtë parashikim me një qëllim diabolik. Në fakt ishte një deduksion para laptopit, siç më ndodh përgjithësisht në elaborimin e politikës. Të cilën kam 33 vjet që e bëj, e kur këta profesorët ishin fëmijë e i binin maces me lugë.

Megjithatë, ka një shteg, madje rrugë e gjëre të shkelur, që mund t’i shërbejë si një model apo manual profesorëve të partive të reja nëse duan. Një vepër e sukseshme politike që ka firmën e një intelektuali klasi siç ishte filologu i ndjerë Mentor Quku.

I cili në vitin 1996 krijoi në laboratorin e Shkodrës së atëhershme, një “kuti politike” që shkatërroi një pushtet të përbindshëm, pa pasur nevojë për revoltë, protesta apo revolucion. Vetëm me votë!

Ky profesor quhej Mentor Quku, një studiues bibliofil i letërsisë së Rilindjes. i cili krijoi një koalicion politik të partive klasike të së djathtës nacionaliste: Balli Kombëtar e Legaliteti, me frymën e re brenda logjikës kritizere t pushtetit të Sali Berishës. E mundi në Shkodër në kulmin e pushtetit, në bastionin më të madh, edhe kur kishte ashtu si Musolini në 1923 brigatistët më të frikshëm e të tmerrshëm që ishin pasuruar si pasojë e pushtetit politik.

Krijesa e profesor Qukut ishte “E djathta e Bashkueme Shkodrane”, e që të gjithë potencialin e mesazhit politik e drejtoi tek zgjedhësit e PD-së, duke çjerrë maskën demokrate të Berishës dhe bejlerëve të tij lokalë, e propozuar emra të dalë nga territori si përfaqësues. Mësues, mjekë, juristë por, edhe studentë që ishin fëmijë familjesh të mira e të edukuara, që nuk kishin vrarë e nuk kishin vjedhur.

Në fazën e dytë nuk pati aspak kompleks të bënte një aleancë pa pasur nevojë për takim me të majtët, e në fund arriti të fitojë. Këtë formulë të profesor Qukut, e kopjuan edhe i ndjeri Sabri Godo me Dash Shehin dhe parti të tjera të së djathtës në Tiranë kur krijuan E Djathta e Bashkuar Shqiptare, por nuk e patën suksesin e Shkodrës. Megjithatë një farë suksesi e arritën. Në vitin 1997, kur deputetët zgjidheshin direkt, ky formacion mori deputetë në Shkodër e Kavajë, çka ishte e rëndësishme, por që u prish rrugës.

Meqë ra fjala te populizmi, e te Musolini, në fakt s’kemi ku shkojmë larg. Ne kemi paur musolinët tanë që kanë premtuar lugët e florinjta apo çeqet e bardha, por që në fund edhe lugët edhe çeqet i patën vetëm për vete.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë