Berisha:S'ka takim me Ramën
President me raund të parë

TIRANË – Kryeministri Berisha ka mbyllur sot negociatat me aleatët e PD lidhur me Presidentin e ri të vendit, por pa përmenduar asnjë emër të përvecëm. Pas takimeve të shkurtra me republikanin Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizin e PDIU, kreu i mazhorancës ka deklaruar se shpresohet që Kreu i ri i Shtetit të dalë që në raundin e parë të votimit, të mërkurën e 30 majit.

“Nëse mbizotëron realizmi, vullneti për ti dhënë vendit në përputhje me kushtetutën por me mbështetjen më të gjerë të mundshme, presidentin që meriton kjo mund të realizohet edhe në raundin e parë. Ky duhet të jetë një proces besimi dhe jo ndryshe. Ndaj dhe takimet do të vazhdojnë. Në këto takime nuk është folur për emra. Ditën e hënë sapo të përfundojnë takimet me faktorë të tjerë do të fillojë diskutimi në etapa të tjera”, tha Berisha.

Ai lënë të kuptohet se të hnën nuk do të ketë asnjë takim me tij dhe kryesocialistit Rama.

“Zoti Patozi dhe zoti Spaho do të marrin të gjitha masat për tu takuar me përfaqësuesit e PS-së, kryetarin e grupit parlametar zotin Rucci dhe të mandatuar tjetër zyrtarë të kësaj partie, takimi do zhvillohet në selinë e parlamentit. Me zotin Rama edhe pa u takuar fare kemi ndërmarrë reformat më të thella në historinë e vendit dhe kjo nuk është shoë, por është thelbi ai që ka rëndësi për ne” tha kryeministri.



ORA 16:00 - MEDIU TAKON BERISHEN: DUAM PRESIDENT KUSHTETUES
Ka zgjatur vetëm 15 minuta takimi i kryeministrit Berisha me kreun e PR, Fatmir Mediu lidhur me negociatat për presidentin e ri të vendit. Pas takimit, Mediu ka deklaruar se republikanët mbështesin një president kushtetues, të dalë nga negociata politike. Edhe Mediu nuk ka përmendur asnjë kandidat të mundshëm.

RAMA: BERISHA REFUZOI FTESEN, NE GATI PER DIALOG
Ora 15:08 “Që Kryeministri të bëjë teatër me takimet për Presidentin e ri është zgjedhja e tij, por të flasë për besimin tim te njerëzit e mi është turpi i tij”, tha kryesocialisti Rama në një reagim në Tëitter. Sipas tij, Kryeministri Berisha “mund të takojë të tjerët për teatrin e tij, jo Partinë Socialiste. Nëse do negociata me ne, duhet të biem dakort paraprakisht [mbi] modalitetet”.
Rama theksoi se e ka ftuar Berishën “zyrtarisht javë më parë” por ai “ka refuzuar të përgjigjet zyrtarisht siç i takon”. Kryesocialisti shtoi se PS është “gati të dialogojë e negociojë kur Kryeministri të jetë gati”.


BERISHA: RAMA TE ME TAKOJE
Ora 14: 04 Kryeministri Berisha deklaron se zgjedhja e një kandidature konsensuale për presidentin është mundësi reale dhe fton kreun e PS-së Edi Rama të mandatojë dy bashkëpunëtorë për të nisur negociatat në parlament.
“Ishte takim me përputhshëri të plotë mendimesh me udhëhejqen politike të LSI si aletati krysor i PD-së. U ra plotësisht dakord që të bëhen çdo përpjeje në mënyrë që presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është mundësi reale. U ra dakord që të vazhdojnë takimet intensive për të bërë sa më të shpejt të jetë e mundur vendin me kreun e shtetit të merituar. Vullneti i kësaj mazhorance do të jetë që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë dinjtozë që mund të nderojë vendin. Më pas do takoj dy aletatët e mi të tjerë dhe më pas do vazhdoj  takimet me PS e me PBDNJ. Takimet do të jenë në parlament.  Ftoj Ramën të tregojë besim të bashkëpunëtorët e tij, të mandatojë dy bashkëpunëtorë dhe të më takojë. Unë kam mandatuar bashkëpunëtorët e mi“- deklaroi Berisha pas takimit me Ilir Metën në kryesinë e Kuvendit.

META: PER PRESIDENTIN, EMRA DHE JASHTE MAZHORANCES
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, tha sot pas takimit me Kryeministrin Berisha se kandidaturat për presidentin e ardhshëm të vendit duhet të kenë një mbështetje më të gjerë se mazhoranca aktuale parlamentare. “Nuk kemi biseduar për emra konkret – tha Meta për gazetarët pas takimit – kemi biseduar për rëndësinë e procesit që të jetë gjithëpërfshirës. Mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar dhe përmbyllur këtë proces mund të sjellë një ose më shumë emra që mund të jenë nga më gjerë se mazhoranca aktuale në Parlament”, theksoi lideri i LSI.
Ai uroi që “zgjedhja e presidentit të vlerësohet si një moment kulmor që ndihmon vendin të ndjehet i bashkuar” pasi duhet që “reformat të vijojnë edhe pas zgjedhjes së presidentit të ri”. “Shprehëm gatishmërinë që ky proces të jetë sa me konsensual”, tha Meta, që shtoi: “Të bëhen të gjitha përpjekjet që presidenti të zgjidhet që në raundin e parë”. “Ne do të vijojmë përpjekjet dhe të japim kontributin tonë në këtë drejtim”, tha Meta.

BERISHA TAKON METEN NE KRYESINE E KUVENDIT
Ora 13: 15 Në orën 13:10 në Kryesinë e Kuvendit nisi takimi mes të përfaqësuesve të lartë të dy partive, PD dhe LSI. Fillimisht në kryesi mbërriti nënkryetari i PD-së Astrit Patozi dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie Edmond Spaho. Më pas u pa të vinte kreu i LSI-së Ilir Meta i shoqëruar nga Edmond Haxhinasto, dhe Petrit Vasili, që mbajnë postet e ministrave në qeverinë Berisha. Vetë kryeministri është parë të hyjë në kryesi në orën 13:08 minuta.
Ndërsa në 15: 30 minuta do të takohet me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi në Kryesinë e Kuvendit.

BERISHA MBLODHI DJE KRYESINE: PAS ALEATEVE, NEGOCIATA ME RAMEN
Berisha tha dje në kryesi se mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme presidentin, por kërkon që në proces të përfshihet opozita. Ai deklaroi se bashkëpunëtorët e afërt të tij mund të bëhen presidentë të mirë, por shtoi se Rama nuk duhet të demonizojë emrat e PD në garën për president. Kryesia zgjati rreth 40 minuta. Pas takimit me aleatët, do negociohet me Ramën dhe PS. Berisha deklaroi dje se Rama nuk duhet të demonizojë anëtarët e PD që mund të jenë kandidatë për president. Berisha i kujtoi Metës se qeverisja me të ka qenë e suksesshme dhe ata arritën të fitojnë edhe bashkinë e Tiranës vjet. Meta është një çelës i rëndësishëm në këtë votim. "Etja presidenciale është një sëmundje virale, por ka dallim mes ëndrrës e etheve presidenciale. Ajo që dua të theksoj është se në këtë proces të përfshihet dhe opozita, pasi ëndrra presidenciale nevojë për realizim", tha Berisha. Ai tha se negociatat do bëhen në kryesinë e Kuvendit, pasi ai institucion zgjedh presidentin. Ndërkohë që marrëveshjet me Ramën gjithnjë i ka cilësuar një dështim, duke vlerësuar marrëveshjet me Nanon.

PATOZI: NUK PERJASHTON ALEANCA FLUIDE MES METES E RAMES
Nga ana e tjetër Kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi mbrëmë në emisionin "Opinion" në TV Klan u shpreh i bindur janë të gjitha mundësitë që të zgjidhet presidenti nga PD. Teksa ka deklaruar fillimin e negociatave është shprehur se do të ketë takime me aleatët e koalicionit dhe me Ramën. Duke folur për koalicionin me Metën, Patozi ka thënë se dhe nëse dështon nuk është fundi i botës, ndërkohë që shprehet se nuk përjashton aleancat fluide për të zgjedhur presidentin jashtë PD-së.
“Në rast se LSI s’bie dakort për president të PD, atëherë kemi aleanca fluide dhe një president tjetër. Ne do pranojmë. Pastaj ç’të ndodhë”. Gjithsesi ai mendon se Meta nuk e kërkon Presidentin.

PRESIDENTI I RI BRENDA 28 QERSHORIT
Parlamenti nisi dje procedurat dhe zgjedhja e presidentit do të bëhet brenda datës 28 qershor. Nisja e procedurave zyrtare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe zhvillimi i seancës së parë në datën 30 maj do të pasohet pas zbulimit të emrave të kandidatëve me mbledhjen e jo më pak se 20 firmave, që duhet të depozitohen në Parlament brenda datës 28 maj, dy ditë përpara zhvillimit të raundit të parë. Në rast se negociatat mes partive politike nuk do të prodhojnë një kandidat për raundin e parë, votimi sipas Kushtetutës quhet i ezauruar edhe kur në raundin e parë nuk paraqitet asnjë kandidat. Kushtetuta jep të drejtën e paraqitjes së kandidatëve të rinj jo vetëm në raundin e dytë dhe të tretë por edhe në raundin e katërt. Nëse raundi i parë dështon, atëherë Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë një raund tjetër mes datës 31 maj deri në 6 qershor. Në rast dështimi raundi i tretë zhvillohet më 13 qershor. Raundi i katërt në bazë të procedurave do jetë mes datave 15-21 qershor. Nëse dhe ky raund dështon, raundi i fundit do të jetë mes datave 22-28 qershor. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, futet në fuqi shorti.

PD: BERISHA S’KA PRANUAR ASNJE EMER NGA PS
Partia Demokratike përgënjeshtroi sot një lajm të publikuar në shtypin e ditës sipas të cilit Kryeministri Berisha ka pranuar një emër jo politik nga Partia Socialiste si kandidaturë për postin e Presidentit të Republikës.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, saktësoi përmes një njoftimi për shtyp se “ky është një trillim i mirëfilltë pasi në asnjë nga deklaratat e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Berisha, nuk ekziston një deklarim i tillë”.
(aq/sg/im/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)