Luftën e hapur mes kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon ta shfrytëzojë politikisht në favor të tij.

Pretendimet e Erjon Veliajt se i është kërkuar të delegojë drejtimin e bashkisë së Tiranës, Berisha i komentoi nga selia blu, duke ngatërruar Arbër Hajdarin, me emrin e dhëndrrit të tij të bashkëpandehur në SPAK, për aferën “Partizani”.

“Mbrëmë, qytetarët u njohën me letrën e të burgosurit Erion Veliaj, ku informonte se padrinoja, kërcënonte të burgosurin me 100 vite burg në rast se ai nuk do t'i dorëzonte çelësat e Bashkisë, bashkëhajdutit të Edi Ramës, Jamarbër Hajdari", tha Berisha.

E teksa e cilësoi si një grosist që ndan toka, prona dhe pasuri me kryeminstrin Rama, sipas Berishës Arbër Hajdari është një person që përfiton nga ndarja e ndihmave publike.

Ai është një nga mëkatarët më të mëdhenj, se në shpërndarjen e atyre ndihmave, tre lugë i merr për vete, një lugë ia lë të tjerëve. Dhe ky tani duhet ai t'i dorëzojë këtij, që ky s'është fare punonjës bashkie. Ky është një grosist që ndan toka, prona, pasuri me Edi Ramën direkt, publike. Ndaj dhe të gjitha këto akte dëshmojnë degradimin total moral të Edi Ramës. Janë thirrje për të gjithë qytetarët”, shtoi Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:48
Vendoret e 2027-ës, Berisha: Bashkimi i të gjitha forcave opozitare, rruga e vetme për t’u përballur diktatorët autoritar (VIDEO)

 

Tashmë që gara elektorale e 9 majit për kryebashkikët po afron, Berisha tërhiqet nga deklarata se me Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje.

Shpresë ka te një bashkim i mundshëm i të gjitha forcave opozitave, madje edhe grupimeve në protestë, për të dalë me një kandidat të vetëm, për Tiranën dhe bashkitë e tjera në vend.

Në konferencën për shtyp të kësaj të marte, Berisha tha se vetëm 'një front i bashkuar', mund të rrëzojë qeverinë aktuale.

"Edi Rama nuk bën zgjedhje dhe cilido që beson se Edi Rama bën zgjedhje, mashtron veten e tij, por bashkimi i të gjitha forcave opozitare në qëndrimet qoftë zgjedhore, qoftë protestat, qoftë në çdo aspekt, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët apo diktatorët autoritare. Ne jemi të hapur.

Ne do bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që janë të vendosur, ose e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave, qoftë në çdo fushë tjetër. Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët", tha Berisha.