Duke sfiduar sërish vendimin e gjykatës së posaçme që vendosi ndaj tij masën arrest shtëpie duke i lejuar vetëm komunikimin me familjarët, Sali Berisha mbajti pasditen e të dielës fjalimin e radhës nga dritarja.

Pavarësisht se drejtësia ia ka ndaluar komunikimin me persona të tjerë në cilësinë e të pandehurit të SPAK për korrupsion, Berisha vijoi me thirrjen e tij për mosbindje civile si dhe akuzoi sërish Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e quajtur si ‘ komplot të mafies ndërkombëtare’ shpalljen e tij non-grata në 2022.

"Dy vjet më parë me instinktin tuaj të lirisë, në ndjesinë më fisnike të njeriut, të dinjitetit të tij, kur e patë se opozita me program po tradhtohej, se Shqipëria po dënohej me një opozitë aleate të Edi Ramës, u ngritët fuqishëm në kushtet më të jashtëzakonshme dhe i thatë jo, prerjes në besë të idealeve demokratike të shqiptarëve. I thatë jo, presionit, shantazheve të mafies së Xhorxh Sorosit dhe mafies ndërkombëtare. I thatë jo përpjekjes për një Shqipëri pa opozitë dhe rithemeluat opozitën e kombit shqiptar, e cila bëri gjithçka për të dalë në shesh, për të lënë mënjanë çdo mashtrim dhe gënjeshtër dhe ju tha shqiptarëve të vërtetën, se sot për vullnetin, votën, dinjitetin tuaj, ju keni një armik po kaq të egër sa në diktaturën më të zezë të të shkuarës komuniste. Dhe ky armik është Edi Rama”, tha Berisha nga dritarja e banesës ku mbahet në arrest shtëpie.

Më 30 dhjetor 2023, GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës detyrim paraqitje në arrest shtëpie për Sali Berishën, si person në hetim për aferën e ish-kompleksit Partizani. Prej 2 janarit ai po e sfidon këtë masë duke komunikuar me persona jashtë banesës përmes megafonit me fjalime politike dhe akuza për drejtësinë.