Edhe pse pas ka një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit që ia heq totalisht të drejtën që ai të përdorë simbolet e Partisë Demokratike Berisha sfidon.
Ai së fundmi ka dërguar përfaqësuesit ligjorë të ‘Rithemelimit’, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri që depozituan dokumentacionin për regjistrimin si subjekt zgjedhor në emër të Partisë Demokratike për 14 majin. Ndërkohë që regjistrimin e PD e ka paralajmëruar edhe Enkelejd Alibeaj, të cilit në fakt sipas vendimit të Gjykatës i takon vula e partisë dhe e drejta për ta përfaqësuar në KQZ dhe në zgjedhje.
Berisha i ka firmosur dokumentet si kryetar i Partisë Demokratike. Në argumentimin e kërkesës Berisha e cilëson vendimin e Agron Zhukrit që ka njohur Kuvendin që ai ka zhvilluar më 11 dhjetor 2021 si të pashfuqizuar. Berisha thotë se do të bëhet rekurs nga ana e tij dhe kjo e bën vendimin jo të formës së prerë.
“Rekordet e organeve drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë që figurojnë të pasqyruara në Regjistrin e Partive Politike janë të vjetra dhe nuk pasqyrojnë korrektësisht organet drejuese të saj, veçanërisht përsa i përket ish-kryetarit të partisë z. Lulzim Basha i cili, përveçse është shkarkuar nga kjo detyrë në Kuvendin Kombëtar të datës 11.12.2021 ka dhënë edhe dorëheqjen me një akt publik në datën 21.03.2022 Kërkesa për regjistrim e subjektit zgjedhor në zgjedhje, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor dhe akte të tjera që lidhen me të, janë akte ekskluzive të cilat i takojnë Kryetarit të Partisë dhe nuk mund të delegohen te asnjë tjetër”, thuhet në kërkesën e Berishës.
Në kërkesë theksohet gjithashtu se mospasqyrimi i akteve të sipërcituara, në regjistrin e Partive Politike mund të rrezikojë procedurialisht, për herë të parë që nga viti 1990 regjistrimin e partisë më të madhe të opozitës në procesin zgjedhor,
“Nisur nga sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj, regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme vendore të datës 14.05.2023, në përputhje me parashikimet e nenit 64 e vijues të Kodit Zgjedhor dhe sipas jurisprudences së krijuar nga vetë KQZ me vendimin e saj nr. 230 dt.27.04.2019, sipas dokumentacionit qe do te gjeni bashkëlidhur”, thuhet në kërkesë.
(Kliko këtu ) Dokumenti i plote
Lajmi kryesor: