TIRANË- Incidenti i sotëm në Kuvend, ku Sali Berisha mori forcërisht Foltoren e Kuvendit duke shtyrë kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka marrë edhe vëmendjen e zyrave diplomatike në vendin tonë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar ashpër duke thënë se ditët e sulmeve dhe kërcënimeve i përkasin të shkuarës dhe nuk duhet të përsëriten.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë "jo!", akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit - ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruan Kim.

Duke folur në media, Berisha deklaron se reagimi i Kim ishte një pozicion qesharak.

Pozicion qesharak i guvernatores, e cila merr përsipër të interpretojë rregulloren e parlamentit. Merr përsipër të përcaktojë se kush duhet të merrte fjalën dhe të protestojë se akuzohet qeveria, dhe se nuk duhet bërë akuza. Natyrisht ajo që mund ti them zonjës është, merr fund loja me opozitën kukull. Nuk ka më opozitë kukull. Dhe një nga zhvillimet më pozitive të Shqipërisë është kjo. Unë po i përgjigjesha Edi Ramës, që siç e shihni ishte bërë meit kur fliste. Kush e di sa mesazhe kam marrë. Ka krijuar kompleksin. Ka mundësi të u jetë dhimbsur njerëzve se si është bërë’, theksoi Sali Berisha.

Ky reagim vjen pas situatës së paprecedentë të regjistruar në seancën e sotme parlamentare, ku Sali Berisha pasi ka “zaptuar” Partinë Demokratike, në të njëjtën formë tentoi që të merrte Foltoren e Kuvendit. Marrëdhënien e acaruar që ka me Enkelejd Alibeajn, ndër të paktët që i është bërë pengesë për të marrë krejtësisht partinë, Berisha e solli në Kuvend duke e shtyrë nga foltorja. Për këtë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla i komunikoi masën disiplinore “tërheqje vëmendje”, teksa seanca u ndërpre për 5 minuta. Pas incidentit, Berisha u përpoq ta justifikonte duke thënë se kishte pasur një keqkuptim. "Nuk e shtyva por mua më takonte fjala, ka qenë një keqkuptim, nuk e dija nëse i ishte përmendur emri Alibeajt", tha Berisha.

Lidhur më këtë, pati një reagim nga vetë Alibeaj, i cili në fjalën e radhës foli nga vendi, duke thënë se nuk do rrezikonte dhe nuk donte që t’i jepte kënaqësinë Berishës, ndonëse nuk e përmendi me emër, për t’ia zënë Foltoren. Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama reagoi, duke e komentuar me ironi se “Një fragment nga zhvillimet në godinë këtu afër, mori një rrjedhë xhudiste parlamenti”.

Postimi i mbasadores së SHBA-së, Yuri Kim 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:15
Berisha i 'vërsul' Kim Palokën: Fatkeqësi që s'e kupton sa qesharake je bërë! Na bëj një listë çfarë s'duhet të bëjmë që të mos e përsërisim

Edi Paloka ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim pasi dënoi gjestin e ish-kryeministrit Sali Berisha i cili shtyu në foltore kreun në detyrë të PD Enkelejd Alibeaj.  Paloka, i ka cilësuar këto deklarata si qesharake.

‘Është fatkeqësi kur njeriu nuk e kupton më, se vjen një moment që thjeshtë bëhesh qesharak me deklaratat e qëndrimet që mban…A mund të na besh një listë zonja guvernatorë se çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet të bëjmë në Kuvendin e Shqipërisë që të jemi te qartë e mos bëjmë me gabime ?!’, shkruan Edi Paloka.