Berisha terrorizon Bashën me dosjen e lobimit me para ruse në SHBA, tërheq zvarrë PD-në

Berisha terrorizon Bashën me dosjen e lobimit me para ruse në SHBA, tërheq zvarrë PD-në

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Sali Berisha është në hall të madh jo vetëm sepse është shpallur persona “non grata” nga SHBA familjarisht dhe i është cenuar nderi e dinjiteti i tij. Ish kryeministri është në hall para drejtësisë, pasi e parashikon se çfarë mund të ndodhë më pas, kur SPAK-u të marrë dosjet e rënda të tij të zullumeve në 30 vitet e sundimit me dorë të hekurt të PD dhe të vendit.

I rrezikohet pasuria e fëmijëve të tij, e vënë përmes aferave korruptive sa ishte kryeministër dhe përmes rolit të sekserit për 8 vite me radhë, duke rrjepur jo vetëm paratë e shtetit, si në rastin e armatimeve e municioneve të ushtrisë në punishten e Gërdecit, por dhe përmes “vjeljes” së gjobave për çdo biznes vendas dhe të huaj që ka menduar të investojë në Shqipëri.

Rasti i pakistanezit ku Argita Berisha Malltezi i kërkoi 3 përqindshin e famshëm për të lobuar tek i ati kryeministër, i barabartë me 3 milionë euro, është i deklaruar publikisht. Apo dhe bizneset e djalit Shkelzen e dhëndrit Jamarbër Malltezi, që nga boronicat e deri tek pallatet në Tiranë dhe tokat në bregdet!

Pikërisht ky hall e nxori para mediave për të sulmuar hapur dhe pa asnjë korrekturë SHBA, herë duke thënë se fajin e ka sekretari amerikan i shtetit Antony Binden që ka pranuar mashtrimet e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, e herë duke sulmuar vetë qeverinë amerikane, se ka caktuar një guvernatore në Shqipëri si ambasadoren Yuri Kim, gjë që për të është e papranueshme për një shtet sovran.

Pra sulmet e Berishës ishin në të njëjtin stil me ato të Envet Hoxhës në komunizëm ku të gjithë ishin gabim, dhe ia kishin me hile Shqipërisë, të cilës kërkonin t’i merrnin sovranitetin dhe ta “skllavëronin”, dhe se vetëm vendi ynë  e udhëheqësit e saj ishin të pagabueshëm dhe “fanar ndriçues” në botë.

Për këtë arsye Berisha, po kapet me thonj pas PD, duke dhënë publikisht direktivën e sjelljes së kësaj partie në vijim, për ta vendosur në konflikt me SHBA dhe BE dhe për ta pasur tërësisht në mbrojtje të familjes së tij. Pra të hallit të tij personal.

Qëllimi i daljes publike të Berishës për të sulmuar SHBA-në, nuk ishte për të vënë në dijeni shqiptarët se avokati i tij kishte dërguar padinë ndaj Blinken në gjykatën e Parisit. Ky nuk është është ndonjë sukses i madh, pasi e ka bërë dhe Shkelzeni në gjykatën e Floridas në SHBA për librin “qentë e luftës” ku akuzohej se ishte përgjegjës për Gërdecin, por që kishte humbur në të gjitha shkallët. Me një faturë të lartë, prej mijëra eurosh shpenzime gjyqi, si humbës.

Berisha kërkoi t’i çonte një mesazh amerikanëve dhe vetë Lulzim Bashës se partinë e drejton ai dhe mbi të gjitha Basha nuk mund të ishte një interlokutor dhe partner në PD, pasi ishte njëlloj si ai, nën hetim në SHBA.

Këtë u mundua që në mënyrë indirekte t’ia kujtojë Bashës përmes bërjes publike për herë të parë të faktit të pretenduar prej tij se, ish ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu i kishte shkuar në zyrë atij vite më parë me një dosje të lobimit të Bashës në SHBA me para ruse.

Berisha është mjeshtër i komunikimit publik, pasi përmes “pohimit të mohimit” bën me dije për të gjithë shqiptarët se Basha është nën hetim dhe i rrezikuar në SHBA për lobimin me para ruse përmes kompanive nga parajsat fiskale dhe bota e nëndheshme e krimit rus.

Është histori e njohur kjo në Shqipëri, sipas sentencës së hershme ku për të shpëtuar nga dajaku apo burgu, shqiptari i zgjuar lëshonte deklaratën para torturuesve se “dhe i vdekur nuk e tregon ‘iks’ person qe ka krye një krim”, duke pohuar në mënyrë mohuese emrin që kërkonin ata.

Dhe Berisha në konferencën urgjente për mediat, deklaroi se ambasadori amerikan i kishte ardhur në zyrë dhe i kishte lënë në tryezë dosjen e Lulzim Bashës për lobimin me para ruse. Ndonëse Berisha deklaroi se ishte tërësisht pa fakte, sipas tij, dhe që ishte ngritur mbi bazën e akuzave të artikuluara në mediat e Sorosit. Pra dhe Basha ka një akuzë, por pa fakte, sikurse ai, është mesazhi që ka dashur të përcjellë ish kryeministri për “birin” e tij politik dhe SHBA.

Berisha e tha shqeto se ambasadori Lu i kishte shkuar në zyrë me një dosje, për t’i provuar se Basha kishte pranuar financime ruse, por sipas ish-kryeministrit, në dosje kishte vetëm shkrime të një gazete të financuar nga George Soros.

“PD, jo nga Sali Berisha, u akuzua zyrtarisht se ka marrë fonde ruse. Ju kujtoj këtu se paraardhësi i kësaj zonjës më erdhi me një dosje në zyrë, në të cilën donte të më provonte se Lulzim Basha kishte pranuar financime ruse. Çfarë kishte dosja?

Dosja kishte shkrimet dhe akte burokratike, por shkrimet në radhë të parë, të gazetës së sponsorizuar nga Soros. Unë i thashë aty për aty se kjo është gazeta e Soros. Jo vetëm që ato ishin dokumente që nuk provonin asgjë, përveç trillime të një gazetari, por u thoshte deputetëve të PD shkoni te Berisha, se i keni dhënë dokumentet që faktojnë se kryetari ka marrë financime nga rusët. Kur ata vinin tek unë dhe unë ju tregoja dokumentet, ata ngelnin pa mend”, deklaroi ish-kryeministri Berisha për mediat.

Në krye të herës ai nuk shpjegoi se pse ambasadori amerikan kishte shkruar në zyrën e ish kreut të PD, pas vetë Berisha në çdo dalje publike deklaron se ështe një deputet i thjeshtë dhe se nuk kishte ndikim në drejtimin e partisë, që kishte për kryetar Lulzim Bashën nga viti 2013, një “këngë” që dëshohet që pas dorëheqjes së tij si kreu i demokratëve. Për më tepër që bëhej fjalë për një dosje krimi në dëm të kryetarit të PD, zyrtarisht “eprorit” të Sali Berishës.

Ish kryeministri demokrat gjithnjë zbardh të “vërteta” që ka “konsumuar” me persona që ose kanë vdekur, ose kanë ikur me kohë e me vakt nga Shqipëria, duke tentuar t’ju japë doza vërtetësie, në mungesë të reagimit.

Berisha njëherësh tregoi me deklaratën e tij se e ka dosjen e Lulzim Bashës për lobimin në SHBA me para ruse dhe e përdor si kartë shantazhi ndaj tij, për t’u mbrojtur në raste të vështira dhe ky rast ka ardhur.

Se si dhe ku e ka marrë këtë dosje vetëm Sali Berisha e di, por e vërteta është se siç tregoi dhe vetë me faktin se i paska shkuar në zyrë ambasadori amerikan me dosjen e kryetarit të tij, verteton zyrtarisht se fijet e drejtimit në PD i ka luajtuar dhe i luan vetë ai, Sali Berisha.

Përmendja e kësaj dosjeje, e cila deri më tani ka qënë një “aset” përdorimi vetëm nga kundërshtari politik, mazhoranca qeverisëse, tregon qartë se Sali Berisha ka vendosur ta mbajë Lulzim Bashën nën kërcënim, duke e tmerruar me publikimin e elementëve bazë të kësaj saj.

Duke i mbyllur gojën Lulzim Bashës, Berisha merr vetë në dorë drejtimin e PD, strategjinë opozitare, duke e vënë në konflikt me SHBA-në dhe BE-në si dhe duke e pozicionuar qartë në mbrojtje të familjes së tij, përmes radikalizimit parlamentar, hyrje- daljeve në Parlament dhe pse jo dhe protestave për “sovranitet” e kundër kësaj qeverisjeje që urdhërohet nga “guvernatorët”.

Askush të mos presë distancim të Bashës nga Berisha dhe futjen e PD në “hullinë” normale të një opozite normale. PD do të lëvizë vetëm sipas “amplitudës” së hallit dhe humorit të Sali Berishës, i cili ka treguar ndër vite se nuk përshtatet me orientimin e Shqipërisë drejt strukturave europiane apo partneritetit me aleatët tanë të mëdhenj. Sjellja ndaj ambasadorëve të SHBA dhe BE në këto 30 vite e vërteton më së miri këtë!

E ka treguar në të gjitha momentet kyçe, që nga vjedhja e votës më 26 maj 1996, tragjedinë e marsit 1997, grushtin e dështuar të shtetit më 1998, e deri tek vënia e shtetit në shërbim të familjes gjatë qeverisjes 8 vjeçare të tij. Por dhe me djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve vendore dhe dhunën ndaj institucioneve gjatë tërë vitit 2019, tërësisht vepër e Berishës.

E shprehur me terma më të thjeshtë, PD është e pashpresë, dhe po tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha, thjeshtë dhe vetëm për të mbrojtur familjen e tij. Basha është një njeri i pashpresë për të “mëvetësuar” PD-në nga lideri historik, ai është jo vetëm i marrë peng prej tij, por dhe i terrorizuar nga dosjet e shumta, mes të cilave dhe ajo e lobimit në SHBA me para ruse. Të cilët më shumë se kundërshtari politik dhe partnerët ia tund para syve “babai” i tij politik. Berisha e dha mesazhin: Basha s’ka ndryshim prej tij, ka dosje si dhe ai në SHBA.

Ndërkohë që Berisha ka tentuar të dërgojë një mesazh dhe për amerikanët, se po veprojnë me dy standarde: Shpallin “non grata” atë dhe familjen e tij për korrupsion dhe minim të demokracisë, ndërsa kërkojnë të bëjnë partner në PD  Lulzim Bashën, që për të është financuar nga bota e nëndheshme ruse e krimit! Akuzë kjo e Berishës përmes pohimit të mohimit, stili i tij ky!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 07/08/2021 04:46

    Krejt e thjeshtë, nëse Berisha deklaron se ambasadori i ka paraqitur dosjen e lobimit Rus dhe ajo është veçse disa shkrime burokratike, nga ana tjetër ai administron dosjen e vërtetë të dorëzuar nga rusët dhe me këtë dosje i ka futur këmbët në një këpucë Lulushes! Është sigurims i vjetër ai dhe këtë metodë detyrimi e ka stilin e tij të punës.... Afera ekziston se amerikanët nuk bëjnë hetime kot! Kanë ndërtuar edhe skemën dhe e kanë paraqitur me listën e të implikuarve në prokurori zezën që e pushoi si çështje... Amerikanët gjithashtu kanë marrë vesh se Berisha ka dijeni për financimin rus dhe për këtë kanë patjetër prova që do t'ua përplasin turinjve sapo të vijë çasti i volitshëm. Meqënëse në këto afera janë shkelur edhe interesat amerikane dhe ligjet në fuqi këta ose do ekstradohen ose do të arrestohen padyshim!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Mitsotakis flet për 'Vetëvendosje' të minoritetit grek, Alban Daci: Nuk është shaka! Kanë doktrinë Vorio-Epirin! Gazetarja Esiona Konomi: Provokim politik për konsum në Athinë

Mitsotakis flet për 'Vetëvendosje' të minoritetit grek, Alban Daci: Nuk është shaka! Kanë doktrinë Vorio-Epirin! Gazetarja Esiona Konomi: Provokim politik për konsum në Athinë