Për Sali Berishën, garancia që kryeministri Rama dha një ditë më parë për miratimin e amnistisë fiskale, është sfidë e hapur që kreu i qeverisë po i bën ndërkombëtarëve, duke rrezikuar fuqizimin e krimit shqiptar në botë.

“Një proces gjigant dhe i paparë ndonjëherë, i larjes së parave të krimit, me procedura ligjore nga Shqipëria, që do të thotë, fuqizim i madh i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare, në rajon, në Europë dhe në Botë”, tha Berisha

Miratimi i amnistisë fiskale, tha ish kryeministri godet edhe biznesin e ndershëm.

Edi Rama për interesa të klanit të tij mafioz dhe të organizatave kriminale shqiptare, kërkon të kriminalizojë ekonominë shqiptare, kërkon të rrënojë të gjitha efektet e garës së hapur dhe të ndershme, kërkon të godasë ata të cilët kanë ndërtuar bizneset, jo mbi krimin, drogën, vrasjen, trafiqet, por mbi mendjen, djersën, ndershmërinë dhe integritetin e tyre”, tha Berisha.

Për këtë arsye, i kërkon ligjvënësve të mos e kalojnë ligjin e amnistisë fiskale.

“Çdo deputet që merr përsipër të votojë një akt të tillë kriminal, direkt apo indirekt bëhet anëtar i një organizate kriminale që Europa nuk e ka parë ndonjëherë. Ndaj dhe thirrja ime është: për çdo parlamentar, të hedhë poshtë me përçmim dhe neveri, si tepër të rrezikshëm për sigurinë e vendit, për të ardhmen e Shqipërisë, projektin famëzi të amnistisë fiskale të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz.”, tha Berisha.

Një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Diasporës, kryeministri Rama tha se amnistia fiskale është e domosdoshme për të formalizuar të ardhurat e emigrantëve. Për kreun e qeverisë, kjo është një mënyrë shumë e rëndësishme për të formalizuar të ardhurat e shqiptarëve në botë, të cilët bëjnë 2-3 punë. Ndonëse ndërkombëtarët janë shprehur kundër kësaj nisme të ndërrmarë nga qeveria, Rama u shpreh se do të vijë momenti kur edhe ata do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo amnisti.