Në Policinë e Shtetit, paga e drejtorit të përgjithshëm të saj kalon nga 118 mijë lekë në muaj, në 119.500 lekë, me rritje vetëm 15 mijë lekë të vjetra. Kësaj page, si dhe më parë, i shtohen edhe 20.000 lekë të postit të kreut të Policisë, duke e bërë pagën e kryepolicit shqiptar 139.000 lekë të reja, ose diçka më pak se 1 mijë euro. Zëvendësit të tij paga i rritet me vetëm 1.000 lekë në muaj. Pagat bazë më të ulta, të nëninspektorit dhe inspektorit të Policisë rriten me 1.500 lekë, duke arritur në 39.500 dhe 42.500 lekë në muaj bruto. Kësaj shifre i shtohen pagesa të vështirësive, ku më e larta u jepet pjesëtarëve të RENEA-s, repartit të helikopterëve, etj, me 40.000 lekë plus, pa ndryshim nga më parë. Por, një kryekomisar do të marrë të njejtën pagë sa edhe deri tani.
Drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm qeveria i akordon një rritje page prej vetëm 500 lekësh në muaj, ndërkohë që një hetuesi të parë paga i është ështuar me 1.300 lekë në muaj. Gradës më të ulët në Policinë e Burgjeve i rritet gjithashtu me 1.500 lekë paga mujore, ndërkohë që kryepolici i burgjeve do të marrë 1 mijë lekë të reja më shumë në muaj, sipas VKM-së lidhur me këtë strukturë. Një ushtar apo detar rekrut do të përfitojë nga shteti 500 lekë më shumë në një muaj si pagë, ndërkohë që ai profesionist me më pak se dy vjet shërbim do të ketë rritje në masën 1.000 lekë, duke arritur në 33.300 lekë në muaj.
Pagat e nënoficerëve, sipas gradës, janë nga 33.400 lekë në muaj e nëntetarit me më pak se dy vjet shërbim (ishte 32.300), në 58.300 lekë për një kryekapter me vjetërsi mbi 26 vjet shërbimi (ishte 57.200 lekë). Ushtarakëve madhorë gjithashtu u është rritur pagesa mujore mesatarisht me nga 1 mijë lekë të reja, për të arritur në maksimumin e parashikuar prej 157 mijë lekësh (1.120 euro) për gradën më të lartë, të gjeneral-lejtnantit me vjetërsi mbi 26 vjet në shërbimin aktiv, nga 156 mijë lekë, që paguhej deri tani. Kjo shifër është e njejtë edhe për një admiral të flotës detare.
Sa u takon nëpunësve dhe të zgjedhurve të pushtetit vendor, rritje është parashikuar vetëm për ata me paga më të ulta. Kështu, as Lulzim Bashës dhe as kryetarëve të bashkive kryesore të vendit, me popullsi mbi 100 mijë vetë, nuk u rriten pagat as një qindarkë, por u rritet minimalisht nënkryetarëve të këtyre të fundit. Rritja me 1 mijë lekë të reja në muaj nis nga kryebashkiakët e qendrave të banuara me më shumë se 50 mijë banorë, ndërkohë që për një kryetar Qarku parashikohet rritje page, po me vetëm 1 mijë lekë të reja.
Ndërkohë, paga e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit rritet me 1.500 lekë në muaj dhe 1 mijë lekë të reja rritet paga e punonjësit të Policisë Bashkiake të Tiranës.
Tabelat e rritjeve të rrogave për ushtarakët dhe policët sot në Shqiptarja.com (print)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)