Urimin e Ditës së Verës, kryetari i PD, Sali Berisha, e bëri nga qyteti i Elbasanit ku zhvilloi një vizitë në panairin e organizuar në qytet.

Urimin e zakonshëm ai e lidhi edhe me zhvillimet e fundit duke thënë se Rama dhe Balluku nuk kanë më të ardhme. Berisha u shpreh se kjo është dita e parë në 34 vite që u mbyllën dyert e Europës prej veprimeve të Ramës e Ballukut.

“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi.

Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë!

Ndaj dhe le të urojmë që Ditën e ardhshme të Verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës. Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është Dita e parë e Verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që Dita tjetër e Verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë europiane”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Sot Dita e Verës/ Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet të Shqipërisë, Elbasani mbetet ‘shpirti’ i festës