Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të shqetësohet për Arben Ahmetajn, i cili tashmë është në arrati për çështjen e inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat, teksa hodhi akuza për kryebashkiakun Erion Veliaj, Berisha shprehet se SPAK lëshoi urdhër arrest për Ahmetajn pavarësisht se sipas tij kishte kundërshtuar 5 herë procedurën e inceneratorit. Berisha thotë se Ahmetaj firmosi vetëm pasi Veliaj mashtrove për leverdishmërinë e inceneratorit.

“Nuk është gabim, por vjedhje e krim i Erion Veliajt dhe askujt tjetër, detyrimi antiligjor i bizneseve që pas vitit 2016, që çdo kuintal dhe apo inerte, ta depozitojnë vetëm në Sharrë, dhe vetëm e vetëm që kompania e djegësit të Veliajt të merrte 450 milionë euro nga këto biznese.

Nuk janë gabime, por vepra penale të gjitha firmat e vendosura për djegësin e Tiranës, sepse ai është fakti penal më i tmerrshëm për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër-arresti për Arben Ahmetajn, pavarësisht se ai e kishte kundërshtuar këtë procedurë 5 herë. Së fundmi, ai firmosi vetëm pasi ti me firmën tënde dhe vulën e bashkisë, mashtrove për leverdishmërinë e djegësit”, tha Berisha.

Deklaratave të Veliajt në Report Tv, ku theksoi se Bashkia e Tiranës ka qenë korrekte me procedurat dhe kushdo të mbajë përgjegjësi, Berisha thotë se Veliaj është përgjegjësi kryesor.

“Javën e kaluar, unë ju njoftova se Erion Veliaj dhe SKAP-i i partisë, duan ta paraqesin Erion Veliajn si viktimë të ustallarëve në letra, Zoto dhe Mërtiri. Ndaj sot nuk do ndalem në këtë aspekt të deklaratës së tij, por vetëm më pohimin e tij se nëse dikush ka bërë gabime, të mbajë përgjegjësi një për një. Sipas Erion Veliajt, vjedhja e shekullit nuk është krim, por vetëm gabim.

Me këtë rast, i them Erion Veliajt, se përgjegjësi numër një për vjedhjen e shekullit, djegësin e Tiranës, se nuk bëhet fjalë për gabime, por për vepra penale dhe krime të rënda. Ndaj prokuroria speciale që po heton zemërthyer vjedhjen e shekullit prej 3 vitesh, ka lëshuar një numër urdhër-arrestesh. Nuk është gabim, por vetëm krim i Erion Veliajt kalimi me firmën e tij në praktikën me djegien, që është dy herë më e kushtueshme sipas KLSH.

Nuk është gabim, por është krim i Erion Veliajt, zëvendësimi i procedurës së djegësit të Elbasanit dhe Fierit me tender publik, në procedurën me dhënien me koncesion apo PPP, e cila për 30 vite do i paguajë koncesonarit, dmth Erion Veliajt, rreth 1 miliard euro. Nuk është gabim, por vjedhje e krim i Erion Veliajt dhe askujt tjetër, detyrimi antiligjor i bizneseve që pas vitit 2016, që çdo kuintal dhe apo inerte, ta depozitojnë vetëm në Sharrë, dhe vetëm e vetëm që kompania e djegësit të Veliajt të merrte 450 milionë euro nga këto biznese", tha Berisha. 

Berisha sulmoi sërish Bashën duke thënë se është peng i kryeministrit Edi Rama, Taulant Ballës dhe Erion Veliajt. Sa i takon zgjedhjeve që do të mbahen në Kukës, Berisha tha se janë ende në diskutim për kandidatin me partitë aleate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:53
Kandidat të përbashkët me Metën në Kukës? Berisha i pavendosur: Po e diskutojmë

 

Pas zgjedhjeve të 14 majit, kur aleanca e tyre humbi thellë në zgjedhje, mes Sali Berishës dhe Ilir Metës nuk vihet re e njëjta marrëdhënie e ngushtë që kanë pasur më përpara. Berisha është pyetur ditën e sotme lidhur me zgjedhjet e reja në Bashkinë e Kukësit, të cilat priten të mbahen më 24 shtator.

Berisha tha se ende nuk është vendosur nëse do të marrin pjesë në këto zgjedhje me Partinë e Lirisë. Gjithashtu, janë në diskutim edhe për procedurën të cilën do të ndjekin, a do të zgjidhet kandidati përmes “Primareve” apo jo.

“Me aleatët po diskutohet sapo të vendoet do ju njoftoj”, tha Berisha.

Ora 12:43
Berisha sulmon Bashën: Peng i Ramës dhe Ballës, ndonjëherë ja japin me qira edhe Veliajt

 

Sali Berisha është pyetur ditën e sotme nëse e njeh Lulzim Bashën si kryetar i PD, duke qenë se në shtator ka paralajmëruar grup të ri parlamentar me deputetët e Rithemelimit. Berisha sulmoi Bashën duke thënë se është peng i kryeministrit Edi Rama, Taulant Ballës dhe Erion Veliajt.

“Lulzim Bashën e njohim si një peng të shpifur të Edi Ramës dhe asgjë më shumë. Të tillë e njohin të gjithë demokratët shqiptarë, të tillë e njeh opinioni publik shqiptar. Nëse ju mendoni se ne pranojmë faktet e kryera nga Edi Rama, u garantoj se gabohet çdo njeri që mendon në këtë mënyrë. Lulzim Basha është një mjeran i keqpërdorur sipas rastit nga Rama-Balla. Ndonjëherë ia japin me qira edhe Erion Veliajt”, tha Berisha.