Berisha-Basha e katandisën PD-në për gjynah, i rezervuan fund të turpshëm

Berisha-Basha e katandisën PD-në për gjynah, i rezervuan fund të turpshëm

Partia më e madhe opozitare, e cila i ka dhënë tonin politikës shqiptare në këto 32 vite me radhë, si bashkë-kontributore në rrëzimin e komunizmit, por dhe duke qënë në pushtet e opozitë, është drejt një fundi të pashmangshëm. Me sa duket është në “metrat” e fundit të ekzistencës së saj si parti politike e me rol në jetën politike të vendit, duke u përgatitur për t’i dhënë fund misionit për të cilin u themelua në dhjetor të vitit 1990.

Eshtë një fakt i dhimbshëm, por më se i vërtetë. Dhe kjo po konstatohet me sy të lirë jo vetëm nga shqiptarët jashtë ‘gardhit’ të kësaj partie, por dhe nga vetë aktorët politikë brenda saj. Ata seriozë flasim, që u dhemb shembja e partisë më të madhe opozitare në vend dhe rrëshqitja e saj drejt humnerës dhe mos-ekzistencës.

Nuk është ndonjë kiamet i madh që një parti të dalë nga skena politike, qoftë për shkak mungese lidershipi, qoftë për shkak të gabimeve të bëra në qeverisje apo në opozitë, apo dhe për shkak se ka mbyllur misionin e saj. Siç e ka mbyllur dhe Partia Demokratike.

Ka ndodhur gati në të gjitha vendet e Lindjes ish komuniste, kur në masën thuajse 100 përqind të gjitha partitë që lindën si forcat e para opozitare pas shembjes së komunizmit në këto vende, janë bjerrur, janë mpakur dhe në fund kanë pushuar së ekzistuari, duke mbetur thjeshtë si një kujtim i shkruar në librat e historisë. Për t’u mbyllur në arkivë dhe si raste për studim.

Kështu ka ndodhur në Poloni me “Solidarnostin”, kështu ka ndodhur në Bullgari me partinë e mbretit Simeon, kështu ka ndodhur dhe në të gjitha vendet të tjera, parti të cilat kanë qënë në pushtet, i dhanë tonin politikës për vite me radhë por që tashmë ekzistojnë vetëm në arkiva apo në librat e historisë. Por që vlerësohet rëndësia e tyre për aq sa zgjati, dhe ndikimi që kanë pasur në jetën politike dhe shtetërore të vendeve respektive.

Por ama ato parti u shuan në mënyrë natyrale dhe në kohën e duhur, duke ikur nga skena politike në mënyrën më dinjitoze të mundshme, pa u kthyer në një fushë beteje mes grupeve rivale e mbi të gjitha pa u bërë barcaletë siç thonë rëndon shqiptarët për një gjë që nuk ka asgjë serioze në tërë qenien e saj.

Partia Demokratike po e mbyll ciklin e saj të jetës dhe misionin e saj në mënyrën më të keqe të mundshme dhe për të mos thënë më të turpshme të mundshme. Pra po largohet jo me dinjitet, por në mënyrën më të panatyrshme dhe aspak serioze, ndonëse duhej të kishte ikur kohë më parë.

E mbërthyer në një krizë lidershipi, sidomos prej dy vitesh, ku në këtë segment kohor brenda PD janë zhvilluar “dramat” më të dhunshme për një parti politike, deri te dhuna mes demokratëve siç ndodhi më 8 janar 2022 në selinë e PD, për marrjen me dhunë të saj nga militantët e Berishës. Të cilët ndonëse të ‘armatosur’ me qysqi, varre dhe mjete të tjera rrethanore, nuk ia dolën të thyejnë dyert e blinduara të selisë nga Basha. Pra partia më e madhe opozitare është ndarë në dy pjesë dhe e armiqësuar mes vetes, ndërsa po shuhet me një shpejtësi të frikshme.

Themi se po shuhet, pasi dhe optimistët më të mëdhenj për këtë parti, duke filluar nga Berisha e përfunduar tek Xhelal Mziu, po flas për të dy grupimet brenda PD, janë të bindur dhe e thonë me zë të lartë se opozita aktuale as në ëndrrën më të bukur nuk e sheh veten në pushtet.

Madje teksa kemi përpara zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit, përpos sondazheve që e nxjerrin ‘gropë’ PD-në dhe partitë e tjera të opozitës, por dhe liderët e saj i nxjerrin si politikanët më të urryer në vend, askush në partinë më të madhe të opozitës apo partitë e tjera nuk e mendon seriozisht se mund të fitojnë ndonjë bashki përballë PS dhe Edi Ramës. Por dhe kur duan t’i japin gajret vetes se do fitojnë ndonjë bashki, llogaria nuk shkon më larg se gishtërinjtë e njërës dorë.

Dhe kur një parti e ka humbur ‘erën’ e pushtetit, si në atë qëndror ashtu dhe në atë vendor, dhe nuk ka asnjë shpresë se mund të mundë kundërshtarin politik që ka përballë, për të implementuar më pas alternativën e saj qeverisëse, atëherë kjo parti ose është shuar dhe ka falimentuar e tëra, ose është në fundin e ciklit të saj për të mbyllur ‘kredecialet’ e fundit politike dhe për të shkuar në ‘amëshimin’ politik. PD e ka të shkruar në ‘ballë’ këtë!

Dhe autorët e katandisjes së PD në këtë farë feje, për gjynah, duke i dhënë një fund të turpshëm, janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. “At e bir” politik, janë skenaristët e kësaj gjëme në partinë e parë opozitare në Shqipëri, që tashmë është bërë hija e vetëvetes.

Nuk ka nisur në mesin e vitit 2021 kriza dhe rrënimi i PD, që përkon me shpalljen e Berishës ‘non grata’ familjarisht nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe presion ndaj drejtësisë. Ky vit ishte pika e fundit në gotën e mbushur plot, për t’u derdhur dhe “lagur” jo vetëm PD-në, por dhe opozitën dhe përtej kësaj tërë dynjanë.

Kriza nisi që në vitin 2009, kur i vodhën votat kundërshtarit politik, PS dhe Edi Ramës, kur për të qëndruar në pushtet, pas zullumeve të shumta si “Gërdeci” e “Rruga e Kombit” dhe veprimeve të tjera korruptive, u bë aleancë qeverisëse me LSI e Ilir Metës, duke e kthyer qeverisjen në një ‘parcelë’ punësimi e korrupsioni secili për hesapin e vet, në ato dikastere që kishin nën ‘hyqëm’.

Jo pa qëllim ndodhën aferat më të mëdha korruptive që sollën vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës socialiste më 21 janar 2011, shkatërrimin përfundimtar të drejtësisë që kishte filluar që me shpërthimin e ‘Gërdecit’, për të mbrojtur familjet e përfshira në korrupsionin shtetëror, afera CEZ-DIA, privatizimi i ish kompleksit “Partizani” dhe zullume të tjera, pjesa më e madhe e të cilave tashmë janë nën hetimin penal të Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe që pritet nga dita në ditë që të shkojnë në gjykatën, po të Posaçme, për të marrë vendimin që meritojnë.

Kriza vijoi më 2013 kur PD iku nga pushteti, dhe Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i saj, për të ndërhyrë dhe vendosur më pas për zgjedhjen e pasardhësit të tij politik. Mes Lulzim Bashës së “pilotuar’ nga vajza e tij Argita në mënyrë të habitshme në kupolën e PD dhe Sokol Olldashit të rritur në këtë parti, që kishte dimension real lideri, Berisha zgjodhi pikërisht të parin, të cilin më vonë e quajtën me të drejtë ‘birin’ e tij politik.

Zgjodhi Bashën, pasi ishte i vetmi person që i garantonte Berishës pozicionin komod të drejtimit në prapaskenë të PD, emërimin dhe mandatimin e deputetëve apo ministrave të ardhshëm nga zyra private e tij përballë RTSH. Dhe për ta përdorur atë si mburojë politike, kur t’ia lypte nevoja. Basha e bëri për 9 vite me radhë këtë ‘detyrë’, madje me një devotshmëri të paparë.

Kanë qënë proverbiale thëniet e tij pas takimit me ambasadorë dhe interlokutorë ndërkombëtarë, që diskutonin apo ndërmjetësonin për zgjidhjen e krizave të shumta politike në vend, kur në fund të takimit kërkonte një orë kohë për t’u ‘menduar’. Mbante vrapin në zyrën private të Berishës dhe merrte udhëzimin e rastit, nëse nuk e kishte marrë me ndonjë postim të Doktorit në rrjetin social, që shërbente si urdhërrëfyes për çdo vendim të Bashës dhe për pasojë dhe PD-së.

Berisha e vazhdoi këtë komunikim në krye të PD përmes Bashës, duke garantuar kontrollin e plotë të partisë, duke përjashtuar dhe zërat ndryshe me miratimin e tij në parti, por dhe duke ‘korrur’ rezultatin më befasues për një parti politike, një rekord në tërë Europën deri në Urale sëpaku: Humbi të gjitha përballjet elektorale për 9 vite me radhë përballë kundërshtarit politik. Madje dhe shënoi rekord, duke bojkotuar zgjedhjet vendore e duke djegur mandatet e deputetit. Dhe gjithnjë Basha rikonfirmohej në krye të PD, sepse kështu donte Berisha.

Kjo marrëdhënie vijoi deri në shtator të 2021 kur Lulzim Basha, sa nga presioni ndërkombëtar sa nga dëshira për ta drejtuar vetë PD, bëri ‘gabimin fatal’ dhe përjashtoi Berishën e shpallur ‘non grata” nga grupi parlamentar por dhe nga vetë partia më pas. Këtu fillon etapa e fundit e historisë së dhimbshme të PD, e cila realizoi për secilën palë nga dy Kuvende Kombëtare, secila palë përjashtoi palën kundërshtare nga partia, për të ‘ngecur’ më pas në gjykatën e shkallës së parë dhe në Apel, për zgjidhjen e fatit të vulës dhe të logos së PD. Pra të lidershipit.

Pala e Alibeajt, pas të cilit sipas Berishës qëndron Basha i dorëhequr si kryetar i PD dhe pala e Doktorit përmes “Rithemelimit” përplasen mes tyre për vulën, bëjnë thirrje për bashkim, por atë e duan me kushte, duke e katandisur PD-në në atë farë feje, sa tashmë kanë harruar kundërshtarin politik dhe mendja të gjithëve u është bërë ‘vulë’ dhe “logo” e PD.

Kanë vënë në siklet dhe KQZ-në, që s’di kë të regjistrojnë për zgjedhjet e pushtetit vendor më 14 maj, pasi secila palë nxjerr artifica dhe probleme. Duke u mbajtur grupi i Alibeajt tek fakti se Apeli zhbëri vendimin e gjyqtarit Bujar Zhukri, i cili i kishte dhënë vulën Berishës, e me rregull ‘treshi’ përmes kryetarit të dorëhequr por të pa larguar Lulzim Basha, mandatohet nënkryetari Alibeaj si kryetar për të firmosur letrat, për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit.

Ndërsa “Rithemelimi” që ka dhe mbështetjen më të madhe në anëtarësinë e PD, teksa ka përzgjedhur disa nga kandidatët për kryetarë bashkie përmes “primareve’ paraqitet dhe ai me kërkesën për regjistrim me logon e PD, me argumentin se vendimi i Apelit nuk ka qënë i formës së prerë, me akuzën se SHBA dhe Edi Rama i kanë bërë presion ndaj gjykatës për të ‘emëruar kryetarin e opozitës’ dhe “thagma” të tjera të këtij lloji. Të cilat e kanë habitur dhe çorientuar tërë elektoratin, madje dhe anëtarësinë e PD, sa nuk i bëhet më derman.

Në fund të herës, Berisha që zotëron pjesën më të madhe të PD, por që nuk ka vulë e logo sipas vendimit të gjykatës së Apelit është i detyruar si ‘muhaxhirët’ të futet nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, ose të kërkojë një koalicion me Nard Ndokën e PDK, Vangjel Dulen e PBDNJ dhe Fatmir Mediun e PR, për t’u regjistruar si parti në zgjedhjet e 14 majit dhe për të futur kandidatët e saj në garën elektorale. Ka dhe mbështetjen e Metës nga jashtë, të cilin askush nuk e kuptoi pse nxitoi të regjistrohej si parti më vete në KQZ para 3 marsit, ditën e vendimit të Apelit për vulën e PD dhe të protestës për këtë qëllim të opozitës.

Ndërsa grupi i Alibeajt, me mbështetje të pakët në anëtarësinë e PD deri në atë shkallë sa e ka të vështirë të gjejë kandidatë për kryetarë në 61 bashkitë e vendit, kandidatë për këshilltarë në secilën bashki, dhe për më tepër të gjejë komisionerë për të gjitha komisionet vendore, që i takojnë pas marrjes së vulës së partisë nga Apeli, do dalë në emër të PD më 14 maj.

Tashmë tek PD, në të dy grupet e saj, nuk bëhet më fjalë sa kryetarë bashkie apo këshilltarë do të fitohen, por llogaritet mbijetesa politike dhe këtë e themi për të dyja grupimet politike, njëra e ligjshme por që s’ka votues, dhe tjetra në të ‘zezë’, por që ka mbështetje pak më shumë se grupimi tjetër. Por që në fund të herës, as të dyja grupimet, bashkë dhe me aleatët s’afrohen tek rezultati i PS. Këtë e tregojnë të gjitha sondazhet serioze, këtë e tregon dhe mungesa e frymës tek opozita.

Berisha dhe Basha, me luftën e shpërthyer mes tyre për lidershipin e partisë, i rezervuan një fund të turpshëm PD, pa mundur të lejojnë një lider të ri që të bashkonte të gjitha copat e PD për ta rithemeluar realisht partinë e parë opozitare e për ta bërë alternativë qeverisëse në të ardhmen.

Largimi i këtyre dy figurave nga pretendimet për drejtimin e PD sa nuk është vonë, do shpëtonte atë që ka mbetur për t’u shpëtuar tek PD, që nën një format të ri, si në emra, si në program, si në strategji dhe alternativë, me një lider të fortë dhe që s’ka lidhje as me Berishën e as me Bashën, të ringrihej nga humnera ku ka rënë.

Siç është sot, PD është bërë për gjynah, siç parashikohet të jetë nesër, shihet në horizont një fund i turpshëm. Pa asnjë ngjashmëri me simotrat e saj, në vendet e Lindjes ish komuniste, të cilat e mbyllën misionin me dinjitet dhe tashmë kujtohen si kontributore serioze e dinjitozë për vendin e tyre. Për aq sa patën jetë si parti politike. PD se ka këtë fat me sa duket!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Agim: 08/03/2023 05:17

    Ja dhe Jaku i vuri kapak kesaj pune.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot