Bërnabiq thotë se propozimi i një rezolute për Srebrenicën është një ‘farsë’

Bërnabiq thotë se propozimi i një rezolute për Srebrenicën është një ‘farsë’

Ana Bërnabiq

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se propozimi i një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë është një "farsë" dhe se ajo kurrë nuk ka qenë më e shqetësuar për paqen në Ballkan sesa tani.

"I ftoj të gjithë nga Bashkimi Evropian (BE) të pyesin veten se si do të duket Bosnjë e Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, më i qëndrueshëm, ku të ketë mirëkuptim më të madh ndërmjet boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, ose më të paqëndrueshëm”, tha ajo për televizionin TV Pink në Serbi.

Ajo deklaroi se, para së gjithash, këtë e bëri Gjermania, e më pas të gjithë ata nga Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që do të votojnë për rezolutën, transmeton Beta.

Bërnabiq pyeti se si do të ndihen sot serbët në Bosnje e Hercegovinë, në Republika Sërpska, në Federatë...

“Turp për ju, sidomos për ju nga Gjermania, turp për ju, atë që po i bëni popullit në Ballkan, gjithë popullit në Ballkan, para së gjithash popullit serb, por edhe të gjithëve në Ballkan. Kjo nuk po i sjell askujt asgjë të mirë”, tha Bërnabiq.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë më 23 maj për një rezolutë që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Sponsorë të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, ndërsa 32 vende janë bashkë-sponsorizues, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.

Këshilli Shtetëror i Serbisë në disa raste ka vlerësuar se rezoluta është një deklaratë politike që synon të vendosë një vulë kolektive në kokën e një kombi.

Në prag të seancës, në Beograd u shfaqën billborde me mesazhin "Ne nuk jemi një komb gjenocidal". Në to janë të theksuara stemat e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, entiteti i Bosnje e Hercegovinës.

Rezoluta nuk përmend asnjë komb apo shtet.

Ajo u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe nga gjykatat vendase. REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

EURO 2024/ ‘Ambasadorët e Shqipërisë', UEFA befasohet nga tifozët kuqezi, ndeshja Kroaci-Shqipëri shoqërohet me përqafime

EURO 2024/ ‘Ambasadorët e Shqipërisë', UEFA befasohet nga tifozët kuqezi, ndeshja Kroaci-Shqipëri shoqërohet me përqafime