Mijëra protestues dolën këtë të diel në qytetin serb të Kraljevës, duke vijuar presionin ndaj presidentit Aleksandër Vuçiç, vetëm një ditë pasi ai njoftoi se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare.

Edhe pse shumë protestues e mirëpritën njoftimin për dorëheqjen e Vuçiçit, ata shprehen skeptikë se ai do të heqë dorë realisht nga pushteti. Sipas analistëve, Vuçiç mund të synojë postin e kryeministrit, duke vendosur një aleat në presidencë, në mënyrë që të vazhdojë të ushtrojë ndikim mbi qeverisjen.

Nuk mund ta imagjinoj që ai do të largohet dhe do t’ia lërë pushtetin dikujt tjetër”, tha Marko Gjokiç, 41 vjeç, ekspert i teknologjisë së informacionit, i cili u kthye në qytetin e tij të lindjes për t’iu bashkuar protestës.

Vuçiç, i cili ka qenë në pushtet si kryeministër ose president për 12 vite, përballet prej muajsh me protesta të udhëhequra nga studentët. Demonstratat nisën pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në fund të vitit 2024, aksident ku humbën jetën 16 persona.

Ngjarja u kthye në simbol të asaj që shumë qytetarë serbë e konsiderojnë keqmenaxhim dhe korrupsion të qeverisë së Vuçiçit. Protestat që pasuan janë më të mëdhatë në Serbi që prej rrëzimit të Slobodan Millosheviçit në vitin 2000. Vuçiç ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.

Pavarësisht temperaturave të larta, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin qendror të Kraljevës, ku mbanin pankarta me mbishkrimin “Studentët po fitojnë”. Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit valëvitnin flamujt serbë.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu, gjërat duhet të ndryshojnë”, u shpreh Ilija Çordasiç, i cili kishte ardhur nga qyteti verilindor i Zrenjaninit.

Ndërsa profesorja e gjuhës serbe, Jelena Daniçiç, deklaroi para nisjes së tubimit se: “Kjo nuk është vetëm një betejë politike, por një luftë mes së mirës dhe së keqes.

Analistët vlerësojnë se zhvillimet në Serbi do të ndiqen nga afër si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Rusia. Bashkimi Evropian ka dënuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë në Serbi dhe ka shprehur shqetësim për lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Serbia është vend kandidate për anëtarësim në BE, por njëkohësisht ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Vuçiç është përpjekur të balancojë marrëdhëniet me këto palë.

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbisë i kërkohet të forcojë shtetin e së drejtës, të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si edhe të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.