‘Besa’, lindi “nga ambicia për të hapur një perspektivë të re shikimi mbi marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit. Dhe lindi nga bindja se një kthesë e vendosur është e domosdoshme, jo thjesht për qeverinë apo Partinë Socialiste, po për shëndetin e jetës demokratike të Shqipërisë”. Ky është është shpjegimi që gjendet në dokumentin prej 43 faqesh, që nuk është bërë ende publik, por të cilin Report Tv e disponon, dhe ku përcaktohen 7 mekanizmat përmes së cilave do të vihet në zbatim.

Ashtu siç dhe vetë kryeministri e përkufizoi, dokumenti përfaqëson “kthesën e mandatit të katërt” duke përcaktuar “diagnozën, objektivin, aftësitë që duhet të ndërtojë qeverisja, mekanizmat e zbatimit, arkitekturën e përgjegjësisë, testin e parë dhe mënyrën e matjes”. Thelbi i tij ka të bëjë me një “ndryshim të mënyrës s si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet”.

Në hyrjen e dokumentit theksohet se “bulevardi i flamingove ishte më shumë sesa një manifestim proteste. Ishte një pasqyrë që shoqëria e vuri përpara. Ajo pasqyrë nuk vuri në dyshim transformimin e vendit, po nxori në pah anën tjetër të transformimit, duke na treguar se tanimë kemi hyrë në fazën e re të zhvillimit, kur transformimi i një vendi dhe përjetimi shoqëror për transformimin nuk janë më në harmoni, po në tension. Ky është mësimi kyç i vitit të parë të këtij mandati”, vë në dukje teksti duke nënvizuar se “nëse tre mandatet e para kishin si mision transformimin e vendit, mandati i katërt duhet të ketë si mision fuqizimin e besimit”.

Dhe testi i parë i kësaj qasjeje të re të socialistëve do të jetë pikërisht mbi projektin e Zvërnecit, debatet mbi të cilin ishin shkëndija që ndezi valën e protestave. “Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, po të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm”, saktëson dokumenti.

“Testi Vjosë-Nartë”, është vetëm një ndër 5 kapitujt që përbëjnë dokumentin strategjik që socialistët synojnë të vënë në jetë. Pjesa e parë përkufizon atë që quhet “Themeli i besimit”, ndërsa në pjesën e dytë “Qeverisja që prodhon besim”, përkufizohen 7 aftësitë që nevojiten për një qeverisje të besueshme dhe një kulturë të re qeverisjeje. “Kapacitetet që propozon BESA janë investim në një shtet që do t'u shërbejë njësoj edhe atyre që sot janë në opozitë, edhe atyre që do të qeverisin nesër”, thekson dokumenti.

“Metoda Besa”, është kapitulli që shpjegon se si do të funksionojë qasja e re. Sipas dokumentit qëllimi është të identifikojë “mekanizmat që i kthejnë parimet në praktikë. Jo procedura të reja burokratike, po instrumente të një kulture të re qeverisëse. Jo rregulla të reja, po ndryshim në mënyrën se si merren vendimet”. “Metoda BESA”, shpjegohet më tej, “ka një arkitekturë të vetme: shtatë aftësi, shtatë mekanizma, një funksion koordinues dhe një platformë publike”.

“Besa dhe Europa”, është kapitulli përmbyllës i dokumentit që sheh një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes mënyrës së re të qeverisjes që socialistët premtojnë dhe procesit të anëtarësimit europian. “Hapja e kapitujve kërkoi bindje diplomatike; mbyllja e tyre kërkon prova institucionale: ligje që zbatohen, të dhëna që qëndrojnë dhe rezultate që maten. Kjo është e njëjta kthesë që BESA kërkon brenda vendit”, lexohet në dokument.


Lajmi kryesor:

‘Besa’ e Ramës, Report Tv zbardh dokumentin: Brenda 90 ditësh, do vendosim bashkë për të ardhmen e projektit të Zvërnecit