Në kuadër të 571 vjetorit të Kuvendit të Lezhës, Bashkia e këtij qyteti zhvilloi një aktivitet festiv ku merrnin pjesë drejtues vendorë, perfaqësues të trevave shqipfolëse, klerikë e qytetarë të shumtë
Në fjalën e tij, Kryebashkiaku Viktor Tushaj pohoi se kjo datë duhet të kthehet në një festë kombëtare, pasi ende nuk ka një datë zyrtare që lidhet me emrin e Gjergj Katriotit të festohet kombëtarisht.
"Përpjekjet e shqiptarëve për liri e bashkim për progres e unitet, për të ndalur invazionin otoman në Ballkan, kanë filluar që në mesjetën e hershme por bashkimi i vërtetë i shqiptarëve mori jetë e frymëzim këtu, në këtë qytet, në këtë kishë dhe në këtë altar lavdie e nderi ku u lidh Beslidhja e parë shqiptarë në histori që frymëzoi betejat dhe fitoret legjendare të Arbërit në mesjetë. Me 2 Mars 1444, u projektua dhe në malet e Arbërisë gjeti zbatim strategjia Kastriotiane e Ushtrisë së lavdishme të Lidhjes së Lezhës, e cila ka shkruar faqe lavdie e heroizmi duke i dhënë shkëlqim mesjetës së errët të ndasive të thella e përçarjeve të mëdha që kishin sunduar prej shekujsh në Ballkan dhe principatat arbënore", tha Tusha.
Sipas tij, Kuvendi i Lezhës dhe Beslidhja e tij është testamenti politik më i lavdishëm i Gjergj Kastriotit, ndërsa kjo sofër bujare u shtrua në Kuvendet më të lavdishme, të cilët kanë ruajtur identitetin dhe vetë ekzistencën e popullit shqiptar, si kuvendi i Arbërit, Shën Mërisë në Mat, Kuçit e Janinës, Beratit e Prizrenit, të Pejës e Ferizajt, Greçës e Junikut, të Sinjës e Bujanit e deri te Kaçanikut (1980), dhe shumë kuvende e besëlidhje për pajtimin e gjaqeve në vitet '90 të shekullit të njezetë.
Në ditën e Besëlidhjes, Prefekti i Lezhës Ndrec Dedaj, u shpreh se mesazhi i Kuvendit të mbledhur 571 vite më parë, duhet të jetë model edhe në ditët e sotme. Me qëllim që 2 Marsi të kthehet në një festë kombëtare, shoqëria civile i dorëzoi zyrtarisht Kreut të bashkisë Lezhë një peticion me firmat e qytetarëve.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës, me qëllim bashkimin e sa më shumë fisnikëve kundër Perandrorisë osmane, si dhe rimëkëmbjen e Mbretërisë së Arbrit.
Tusha: Investime në Lezhën historike dhe turistike
Gjatë këtij aktiviteti, Kryebashkiaku Tusha deklaroi se investimet në përmirësim të imazhit historik e turistik të Lezhës bëjnë të nevojshme rikonceptimin dhe rikonstruksionin edhe të Memorialit të Gjergj Kastriotit.
"Ky memorial gjysëm shekullor ka nevojë për ndryshim dhe përshtatje me zhvillimin e sotëm urban për ta harmonizuar me investimet që po kryhen në sheshin e qytetit, por edhe rikthimit të tij në identitet për t'i dhënë rëndësinë e një muzeu unik. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të kthejnë sytë edhe nga Kalaja mesjetare e Lezhës, e cila për shkaqe natyrore dhe jo vetëm, po shkon drejt dëmtimit dhe shkatërrimit", apeloi ai.
Sipas, tij, Lezha e sotme është një qytet në zhvillim dhe vlerat e saj në kushtet e progresit të infsrastrukturës dhe përsosjes së komunikimit ndërurban janë të mëdha dhe të larmishme.
"Në Lezhën e nesërme vlerë historike nuk është vetëm Memoriali i Gjergj Kastriotit, kalaja mesjetare dhe qyteti i Lashtë i Lisit. Vlera te Lezhes do të jenë edhe kishat e vjetra të mesjetës ku u hapën shkollat e para shqipe si e Veles, Blinishtit e Pllanes, dioçeza e Sapës dhe Vendi i Kuvendit të Arbërit. Objekte të guidës turistike të Lezhës do të jenë monumentet e natyrës si Kune Vaini e Rana e hedhun, Mali i Velës dhe kisha e Kallmetit dhe ajo e Pllanës. Radaret e drejtimit dhe optika e përparësive të zhvillimit ekonomik do të jenë promovimi i turizmit dhe administrimi bashkohor i këtyre resurseve", theksoi Tusha.
Ai shtoi se Lezha e sotme ka ecur në drejtimin e duhur por Lezha e nesërme kërkon vizion për ta drejtuar, përkushtim për ta menaxhuar, njerëz të ditur për ta administruar.
"Ne, së bashku do të bëjmë Lezhën ashtu sikurse të parët tanë e njerzit e shquar të këtij qyteti e patën ëndërruar, do ta bëjmë këte qytet ashtu si brezi ynë e ka dëshiruar dhe ashtu si brezat e ardhshëm do të donin ta kishin për ta trashëguar. Ky qytet, amaneti i madh I Gjergj Kastriotit do të lulëzojë përjetë, do të rritet e zhvillohet në të mirë të qytetarëve të tij, në rolin dhe vendin që i takon në historinë e Shqipërisë", përfundoi Kreu i Bashkisë së Lezhës.