Një intervistë e Besim Golemit për gazetën “Ora e fjalës”, në vitin 1991, një Testament Shpirtëror i artistit, i cili shpejt do të ikte, por do të mbetej gjithkah drita e tij...
Nga takimi i Shpend Sollaku Noé-së me vëllezërit e Besim Golemit, në Lushnje.

Mesazhe në FB  midis Agim Çunajt dhe Jozef Radit. Në inbox të Shpend Sollaku Noè-së ka një mesazh të ri. Eshtë Radi, sipas serisë “këta dialogë mes miqsh nuk mbarojne kurrë”.
 
J. R. : Sapo i shkrova Agimit, Shpend. Po pres pergjigje.
Sh. S. Noé: Hidhu te Lushnje Undergruond, Nini, se po të nis disa foto vëllai i Besimit, Klementi.

J. R. : Tri fotot që nisi i mora, janë afërsisht ato të tuat.
Sh. S. Noé: Njerën nuk e ke. Atë të parën më duket. Në studio edhe ajo.

J. R. : Ishte në qoshe të kuadrit. I mora, por shpresoja diçka të re… Zbulova që një vepër e Besimit (Rezervati i fazanëve) që ka qenë pronë e Galerisë së Arteve,  ka kaluar në Institucionet shteterore dhe është zhdukur pa gjurmë!
Sh. S. Noé: E kam parë atë kompozim në studion e piktorit tonë: i mrekullueshëm. Kush e di kush e ka vjedhur. Të shohim se çʼdo të gjej në Lushnje.

J. R. : Kush veç halabakërisë shtetërore, me krye... , që, ma merr mendja se ia di vlerën veprës së mikut tonë. Ishin 15 kuadro të zhdukur të Galerise së Arteve. Një ishte i Besimit.
Sh. S. Noé: Kuadrot ia vjedhin, por, as sot, nuk e duan në Tiranë. Me... për shembull, ka pasur një raport të sipërfaqshëm. Besimi e injoronte, ai tjetri donte tʼu thoshte të gjithëve: “Epo nxënësi im ka qenë!”. Në fakt, vetëm me mua dhe me Halilin hapej Besimi.

J. R. : E di këtë gjë, Shpend.
 
Bisedë tek faqja FB-së “Lushnje Underground”, pas publikimit në të, nga siti i Jozef Radit, i një interviste të Besim Golemit per gazetën “Ora e fjalës”, në vitin 1991. Intervista ishte marrë nga Dalip Greca. Radi e kish rimarrë nën një fokus të ri, me titullin “Jeta ime ka qenë si një ëndërr, diku fluturuese... diku torturuese!”. Në occhielo Radi ka shkruar: Jemi ende në vitin 1991! Piktori magjik lushnjar, Besim Golemi, prej kohësh i ka kapërcyer klonet e realizmit socialist.

Prej kohësh shpirti i tij delikat dhe rrebel prej artisti, nji amalgamë e epërme e poetit, piktorit dhe filozofit, është në shpërthim të plotë të ideve, ngjyrave e figurave...E pra, ai është atje në Lushnjen e Dënimeve, në Lushnjen e poshtërimit të artistëve...e megjithatë  jeton në nji botë ku sʼe mbrrin askush, në botën e lirisë së shpirtit dhe magjisë së artit.

Kjo intervistë ka tashmë një çerek shekulli, por mbetet prej atyre intervistave që mund të quhen Testament Shpirtëror i nji artisti, i cili shpejt do të ikte, por do të mbetej gjithkah drita e tij: shpirti i guximit dhe lirisë për ditët që duhej të vinin, për ditët që ende duhet të vijnë. E të mos harrojmë asnjiherë... ishte ende viti 1991!
 
Pjesë nga nga komentet në FB për këtë intervistë:
       (orë të ndryshme, ditë të ndryshme)
 
Sh. S. Noé: Një dokument i rrallë për një njeri e artist të jashtëzakonshëm.
Agim Çunaj: Ishte vërtetë një talent i rrallë.

Altin Haxhiu: Djemtë e familjes Golemi akoma nuk e ndajnë penelin nga dora. Kam në shtëpi tre kuadro nga Klementi, vëllai i vogël i Besimit.
Flamur Shabani: Si tani më kujtohet miku ynë, piktori i talentuar B. Golemi, i cili në rastet e hapjes së ekspozitave në Galerinë e Lushnjes, në krah të Kinoteatrit, qëndronte para teje, paksa i gjatë e jo i mbushur në trup, me sy të picërruar e vështrimin të hedhur diku.

Ilir Sako: Djalë i mëhallës sime. I heshtur, i qeshur dhe i nervozuar kur na lutej neve, që ishim më të vegjël, për të na bërë portrete me laps.
Dalip Greca: Për këtë intervistë ka dhënë një kontribut të veçantë edhe doktor Prenjo Ymeraj, i cili solli vlerësimet e shtypit gjerman.
Sigeros Golemi: Ju faleminderit për postimin tuaj dhe fjalët e bukura për xhaxhanë tim, Besim Golemin.

Ilir Prifti: Tʼfaleminderit Shpend që e risolle. Na ke kujtuar një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nuk mjaftojnë superlativat për të.
Valter Merolli: Besimin e njihja edhe si vëllanë e shokut tim të pikturës, Klementit. Besimi ishte talent i madh!

Flamur Hoxha: Besim Golemin e kam pasë shok klase deri në klasën e katërt. Kam ruajtur shoqërinë me të deri sa na ndanë drejtimet që morëm në jetë, ishte me të vërtetë special!
Jozef Radi: Flamur, po përgatis një material per Besimin, nëse ke diçka interesante nga njohja me të, do të kthehesh në vlerë të madhe!

Agim Çunaj: Nga fundi i viteve 80-të, Besimi punoi në shkollën e Divjakës, (nja 2 vjet) dhe pastaj u kthye në Lushnje, ku rihapi studion e tij personale. Nuk e harroj se sa i kënaqur ndjehej. Më ftonte shpesh në atë studio me piktura të mahnitëshme. Zor se dilje pa kaluar 2-3 orë. Më pas iku në Gjermani. Për z. Radi: Besimi ishte njeri korrekt ndaj shoqërisë (më tepër se duhej).

Më bënte përshtypje se, po ta qerasje një herë, "të zinte pritë", derisa ta shlyente ''borxhin''! Në pamje dukej si njeri i mbyllur në vetvete, (si shumë artistë) por, po të shihte çiltërsi dhe miqësi të pastër, ai hapej dhe i jepte kënaqësi shoqërisë me humor të mprehtë. Një talent si Besimi, kudo që punoi dhe jetoi, përcolli respekt dhe kulturë tek nxënësit e tij... Ah, tani mʼu kujtua: Besimi ishte edhe një futbollist amator në lagje, i talentuar.

Kur konkuronim se kush do ta mbante më shumë topin, Besimi mbante rekord. I gjatë, me këmbë të madhe, të hollë, zbathur... Kam shumë kujtime të bukura që më emocionojnë, bëhet fjalë për një shok të fëmijërisë, një koleg pune, liceist me vëllanë tim dhe më pasë shoku im në moshën e rinisë deri në çastet kur u largua në Gjermani... Ia vlen të theksoj me forcë një të vërtetë: Besim Golemi u largua nga Shqipëria sepse ishte i etur për Art dhe për Pikturë, për Kulturë gjigande.

Përfitimin ekonomik, të jeni të sigurtë, e urrente. Dhe vërtetë, kur u kthye në Lushnje, me punën dhe sjelljen e tij, ai u bë më gjigand në fushën e artit dhe, besoj, më fukara ekonomikisht... Këtë vetmohim vetëm një Artist i i vërtetë mund ta bëjë.

Jozef Radi: Të falenderoj, zoti Çunaj. Së
bashku me Shpendin jemi në kërkim të një Homazhi nderues dhe vlerësues ndaj Njeriut dhe Artistit Besim Golemi. Në qarkullim ka fare pak informacion.
Agim Çunaj: Kam dhe nja 2-3 fotografi (Besimi midis shokëve, mësues të Divjakës). Por më duhet tʼi gjej.

Jozef Radi: Ideja, Agim, është tʼi bëjmë nji javë homazh: çdo ditë një shkrim për të. Analiza të veprës e të jetës, intervista, kujtime dhe foto veprash të tij.  Kushdo që ka nji vepër të Besim Golemit është i mirëpritur ta nisë o te Shpendi, o te Lushnja Underground!

Flamur Hoxha: Jozef, për fat të keq, i kam kujtimet e trubullta për Besimin, nuk ka ndonjë detaj të qartë, do dëshiroja me gjithë qejf ta ndihmoja.
Jozef Radi: Flamur, ti fole për një periudhë të hershme. Disa gjëra, qoftë edhe të vakta, por të nxjerra me dashuri, vlejnë shumë.

Flamur Hoxha: Jozef, në një gjë bie dakord me Gimon: Besimi vërtet ishte fjalëpakët, ai fliste me laps në dorë e pikturë e jo me shumë fjalë; ai ishte i vemendshëm të kapte gjithçka, por pavarësisht se ishte i zhytur në pasionin e tij, nuk harronte se kishte shokë, nuk harronte se ishte në moshë të luante futboll apo edhe... cingël... ja mʼu kujtua diçka tani.
Flamur Shabani: Agim, kur e përshkruani kështu Besimin, me duket sikur e kam përpara. Aq të gjallë e keni sjellë!

Agim Çunaj: Klement! Siç e shikon Shpendi dhe Jozefi po përpiqen tʼi japin jetë, freski figurës së vëllait tënd dhe shokut tim të dashur. Po pate mundësi përcill ca materiale, si piktura, fotografi...

Sigeros Golemi: Ju faleminderit të gjithëve jam duke i bërë gati disa foto dhe piktura.
Klement Golemi: Shpend e Jozef, shumë faleminderit për këtë që po bëni për vëllanë tim.

Jozef Radi: I nderuar Agim, siç edhe lajmërova, po punoj për të afruar figurën e Besim Golemit tek brezat që sot duken me pak interes. E vërtetë është që mund të kenë pak interes, mbasi është botë çoroditjesh dhe vogëlsirash, por ndoshta një ditë duhet të kujtohen, dhe mirë është që një pjesë e këtyre gjurmëve që shuhen ne ti lemë. Nëse nuk u nevojiten sot, jam i sigurt se nesër do tʼi kërkojnë.

Ti ke një pjesë të jetës me Besimin dhe, simbas gjykimit tim, edhe pas atyre copzave që ti ke lënë, fillon edhe shfaqet portreti i tij, me atë të zakonshmen. Ka shumë rëndësi. Unë e pezullovava botimin, mbasi Shpendi është në Lushnje dhe jam i sigurt se do të sjellë gjëra interesante, por edhe ti mund të ndihmosh shumë në atë thjeshtësinë e atij raporti që keni pasur bashkë. Unë do të dëshiroja të nisja ca pyetje dhe do të ishte kënaqësi që ju të jepnit sa më shumë nga e vërteta, mbasi grumbullimi i materialit nuk është i lehtë, sepse kanë kaluar mjaft vite.
 
Nga takimi i Shpend Sollaku Noé-së me vëllezërit e Besim Golemit, në Lushnje.
 
   Pas një kafeje të shpejtë në «Luna park»-un e Lushnjes, nisemi tek shtëpia e Eduard Golemit, vëllait të Besimit, ku ruhen edhe veprat e artistit të madh. Me mua janë Klement Golemi, vëllai më i ri i Besimit, edhe ai piktor. Po ashtu shoqërohem edhe nga djali i Eduardit, Reiçalls, me të cilin kam mbajtur kontakte të vazhdueshme këto ditë. Me ne është edhe këngëtari Luan Manahasa me njerin nga djemtë e tij.

Ka ardhur të më takojë si mik i hershëm dhe vazhdon të më shoqërojë si fan i çmendur i Besim Golemit. Eduardi është në punë. Ka një lokal të vetin ku punon si coiffeur. Është pasion i tij të risjellë në pah fytyrat e burrave, nëpërmjet rregullimit të mjekrës apo të flokëve. Në profesionin e tij edhe atë e konsiderojnë artist.

   Pas derës së shtëpisë së tij qëndron befasia. Korridor, dhomë gjumi dhe kuzhinë janë trasformuar në një galeri të veçantë të pikturës. Kuadro gjithandej: mbi mure, mbi komo, mbi divanë, sipër dollapëve...Ky ambient më krijoi një sensacion dhimbjeje, por edhe mirënjohjeje për vëllain e artistit të madh. Unë mbetem pa fjalë. Si dashamirës i pikturës së tij gjeniale. Si fan numër një i autorit, i befasuar nga kujdesi deri në manì për tʼi ruajtur ato punime nga spekullimet e atyre që vërtiten si hienat rreth kryeveprave të tilla.

Me lejen e Golemëve të pranishëm, nis tʼi fotografoj. Pas çdo fotoje, kontrolloj aparatin, për të parë sesi vijnë. Dhe mbetem i zhgënjyer: nuk ka fotografi që mund tʼi riprodhojë ashtu siç janë. Shaj me vete prodhuesin e aparatit, edhe pse sapo e kam blerë, posaçërisht për ato foto, edhe pse është lider botëror në riprodhimin e imazheve. Pastaj dorëzohem. Nuk është faji i tij, por i kryeveprave.

   Shumë nga ato kuadro nuk i kam parë, përgjithësisht vaj mbi canavacë. Këtë teknikë ia kisha njohur mirë që më parë autorit. Por ajo që më shtangu edhe më tepër ishte një grafikë e realizuar prej piktorit të dashur në periudhën e Gjermanisë. Besimi e kish lënë pa titull. Klementi dhe Reiçallsi e quanin «autoportret». Në fakt është shumë më tepër: një kompozim i fuqishëm, do të thoja i tmerrshëm për nga bukuria dhe realizimi i magjishëm.

Në cep, majtas është vërtetë fytyra zhbiruese e artistit në fjalë, por ajo është përfshirë në një kuadër do të thoja sipas mënyrës Francisco Goya, por në fakt tipik Golemian. Eshtë e mbuluar me xham dhe kjo vështirëson së tepërmi fotografimin - dhënien sadopak të vlerave të vërteta të këtij kompozimi.

   Klementi më shpjegon se puna e Besimit me grafikat ka qenë tipike e periudhës së Gjermanisë. Unë, i etur, kërkoj të shoh më shumë. Golemët më njohin, dinë shumë rreth miqësisë time të ngushtë me piktorin. Dhe vendosin ta kënaqin kureshtjen time të pafrè. Janë dy valixhe të mëdha me piktura të paekspozuara! Ata nisin të mi paraqesin. Unë trullosem para atij arti mahnitës. Nuk është dorë njeriu ajo që ka pikturuar.

Gjurmët e një dore njerëzore nuk përceptohen dot. Ato kuadro janë vizatuar prej Tymit, prej Avullit, prej Vesës. Janë fjolla e grimca delikate që duket sikur qëndrojnë pezull mbi fletë dhe mund të prishen edhe me një të kollitur. Dikush prej të pranishmëve më ofron nje cigare. Unë refuzoj ta ndez. Nuk mund të tymos para këtyre krijesave kaq delikate, i them. Luan Manahasa – edhe ai si unë i sheh për herë të parë – i thotë të birit: E dëgjove çʼtha për Besimin? Shënoje! Por unë nuk kam kohë të merrem me thëniet e mia spontane.
  Fotografoj me sytë e mendjes gjithçka që kam privilegjin të kem përpara, i ndërgjergjshëm që është një rast që nuk përsëritet.

   Ky aspekt i panjohur i veprave të Besim Golemit më ka tronditur deri në palcë.   Me fuqitë e mbetura, arrij tʼi them Klementit: Po punët e tjera, ku janë? Më kujtohet kjo apo ajo. Ai hesht në fillim. Mendohet ca. I kam premtuar mikut tim Jozef Radi hedhjendritë rreth fatit të veprave të tjera të Besimit, ngul këmbë unë. Klementi nis të më numërojë adresat e asaj që di, por nuk është në gjendje të argumentojë sesi kanë përfunduar ato vepra në duart e miqve të Besimit, në ato të pseudomiqve, në ato të atyre që kanë dashur tʼi hapin varrin që së gjalli, në ato që vetë autori nuk i ka njohur kurrë.

Janë një galaktikë më vete ato vepra, përfunduar në sallone shkrimtarësh të mëdhenj, në studio piktorësh ziliqarë në pushtet apo sahanlëpirës, në zyra profanësh me biografi të mirë politike. Shumë pak janë ato që janë blerë, si në rastin e Muzeut të Gjirokastrës, të koleksionit tim privat apo të ndonjë tjetri. Të tjerat? Janë dhuruar prej autorit? (Golemët nuk e besojnë shumë këtë tezë). Janë grabitur në vitin 1991, kur studioja e Besimit pranë stadiumit u zu nga të tjerë?

Janë bërë mall këmbimi për privilegje i grabitësve, duke ia dhuruar pushtetarëve të radhës? Po libri në gjermanisht me kritikat e artistëve gjermanë për veprën e Besim Golemit, botuar në Gjermani gjatë qëndrimit të piktorit tonë atje? E ka marrë filan poet, thotë Klementi. Të tjerat vepra? Kaq copë filan piktor, kaq fisteku... Nuk e dimë sesi u kanë rënë dorë.

  Unë humbas në dilemat e mia. Sidoqoftë, u them Golemëve: Fatmirësisht këtu ka mbetur material i bollshëm për të hapur edhe disa salla ekspozitash. Edhe vetëm njëra prej tyre mund të bëjë një ekspozitë më vete.

   Dhe kam në mendje edhe botuesen e këtij shkrimi, e vetmja që mund të më ndihmojë pa asnjë interes. Si një detyrim ndaj një gjeniu të pikturës, si një borxh ndaj kulturës kombëtare dhe asaj evropiane.
art


































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)