Besimtarët kremtojnë Krishtlindjen, Imzot Frendo apel politikës: Jo dhunë, por dialog, uluni bashkë se po ikin të rinjtë (VIDEO)

Besimtarët e krishterë në të gjithë botën kremtojnë Krishtlindjen. Kjo ditë simbolizon paqe e dashuri ndër besimtarët, ndërsa në Tiranë kulmoi me meshën e mbajtur në katedralen e Shën Palit në mesnatë.

Besimtarët u lutën për paqe, mbarësi e dashuri. Imzot George Frendo bëri apel për dialog dhe jo dhunë, ndërsa kishte një mesazh për politikanët nga të dy krahët që të bashkëpunojnë për të mos lejuar të rinjtë që të mos largohen nga Shqipëria.

Ndërkohë që festën e ka uruar edhe politika, nga Presidenti Ilir Meta, te kryeministri Edi Rama, lideri i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Në Shqipëri Krishtlindja festohet edhe nga jo të krishterët, pasi është një nga festat më të pëlqyera nga të gjithë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:40
Imzot Frendo mesazh politikës: Jo dhunë, por dialog, uluni bashkë se po ikin të rinjtë

Imzot George Frendo gjatë fjalës së tij në meshën e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit referuar ngjarjeve të fundit politike ka bërë apel për dialog dhe jo dhunë. Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve, prandaj u bëri apel pozitës dhe opozitës që të ulen për të zgjidhur problemin e papunësisë. Frendo këshilloi të rinjtë që të kërkojnë më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, ndërsa shtoi se shqiptarët ka vuajtur shumë dhe tani meritojnë një jetë më të mirë.

Mesazhi i Imzot George Frendo për Krishtlindje
Sa shumë njerëz janë duke fjetur jashtë edhe në të ftohtë, ose ata që janë në detin Mesdhe në një gomone duke u larguar nga lufta dhe shpresojnë të gjejnë një vend që do i pranojë dhe ku të jetojnë me më shumë dinjitet. Krishtlindja ka një mesazh për të gjithë shoqërinë.

Jezusi u bë shembull i atij dialogu që duhet të ekzistojë edhe mes nesh, mes punëdhënësve dhe punëtorëve, duke respektuar dinjitetin, i dialogut mes qytetarëve dhe qeverisë Ne nuk mund të justifikojmë kurrë përdorimin e dhunës dhe vandalizimit. Të merremi më shumë me një dialog serioz. Sot shohim Jezusin si një foshnjë të brishtë. E di se shumë prej jush kanë vetëm një ëndërr, që të largohen nga Shqipëria, por kërkoni më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, vlerësoni më shumë gjërat e bukura nga vendi juaj, që tani është bërë edhe vendi im.

Para disa ditësh isha në një takim me disa studentë, u mërzita kur të gjithë shprehën dëshirën të emigrojnë. Po humbasim shumë persona, që numërohen ndër elementët më të çmuar, kjo është varfëria më e madhe për Shqipërinë. U lutem pozitës dhe opozitës të ulen së bashku në një tryezë dhe të diskutojnë këtë problem si mund të tërhiqen investitorë në këtë vend të bukur dhe të hapin vende pune. Me një vullnet të mirë mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, më të drejtë më të lumtur. Populli shqiptar ka vuajtur shumë. Ruaje o Zot Shqipërinë

Ora 00:08
Krishtlindja, Imzot George Frendo: Të hapim zemrën

Ka nisur në Katedralen e Shën Palit mesha e Krishtlindjes.  Imzot George Frendo u ka kërkuar besimtarëve të krishterë që ‘Së bashku do të kremtojmë me gëzim lindjen e Jezu Krishtit. Të hapim zemrat tona që të pranojmë mesazhin e tij për jetën tonë dhe të shoqërisë’.  

Ora 21:12
Basha uron Krishtlindjet: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka uruar Krishtlindjet të gjithë ndjekësve të tij.

“Gëzuar festën e Lindjes së Krishtit, të dashur bashkëkombas të krishterë, vëllezër dhe motra besimtarë të Zotit dhe të respektuar shërbëtorë të Zotit kudo në dioqezat shqiptare, në vendlindje dhe diasporë! Krishtlindje të Gëzuar dhe të Bekuar për ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”- shkruan Basha.

Ora 20:33
‘Ardhshin të bardha!’, Kryemadhi uron besmitarët në prag Krishtlindjesh

Një urim në prag Krishtlindjesh ka bërë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Nën pasigurinë tonë, që është përhapur kudo dhe mundon zemrat tona dhe nën kambanën e kishës, lutjeve të besimtarëve, ky kremtim i shenjtë sjelltë për të gjithë besimtarët e krishterë, dhe jo vetëm, një burim jete më të shndritshëm, që mbart frytet shpirtërore të Dashurisë, Paqes, Harmonisë dhe Bekimeve që vinë nga Zoti. Gëzuar Krishtlindjet, ardhshin të bardha! Përzemërsisht!”- shkruan Kryemadhi.

Ora 20:20
‘Po vijnë Krishtlindjet’, Rama uron festat me një video me të birin

Kryeministri Edi Rama ka postuar një video me të birin e tij, Zahon që po i bie një vegle muzikore.

Në videon e ndarë në Instagram, Rama ka shkruar “Krishtlindjet po vijnë”.

Ora 20:19
Meta mesazh për Krishtlindjen: Të mos harrojmë të vetmuarit dhe njerëzit në nevojë

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët e krishterë për Krishtlindjen. Kreu i shtetit bën apel që në këtë ditë të shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët, për t’u dhënë atyre më shumë shpresë, besim dhe gëzim. “Të dashur miq, Në vigjilje të Ditës së Bekuar të lindjes së shpresës e gëzimit, mirësisë, solidaritetit e humanizmit, Ju shpreh urimet më të ngrohta dhe të përzemërta, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë: Gëzuar Krishtlindjen! Uroj që kjo festë e bukur e Krishtërimit, që mishëron vlera sa hyjnore, aq dhe njerëzore dhe që bashkon familjen e shoqërinë tonë me paqen, harmoninë e mirëkuptimin, të sjellë më shumë mbarësi, dashuri, lumturi, begati dhe drejtësi sociale. Në këtë Ditë të Shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët, për t’u dhënë atyre më shumë shpresë, besim dhe gëzim. Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjen” shkruan Meta.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Naimi: 25/12/2018 03:37

    Nuk quhen keyo urime kur vijne nga politikane vrases dhe hajdute

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase