Besjana studentja e Ekonomikut
që sprovoi veten...në pastiçeri

Besjana studentja e Ekonomikut<br />që sprovoi veten...në pastiçeri
Është në përfundim të studimeve, por prej dy vitesh punon dhe ndjek studimet master njëkohësisht. Të punosh në profesion, është sfida më e madhe që të rinjtë në vendin tonë hasin çdo ditë, pasi kriteret e para janë eksperienca. Për Besjanën, studente në master në Fakultetin e Ekonomikut ka ndodhur e kundërta.

Ajo prej dy vitesh punon në pastiçerinë Franceze, ku pjesën më të madhe të ditës e ka në shërbim të klientëve të dyqanit. Edhe pse ajo është në proces diplomimi, na rrëfen se ka qenë shumë e vështirë që të siguronte një punë ku mund të hiqte vetë shpenzimet e shkollës dhe kostos së përditshme.

“Unë ndjek shkollën paradite dhe punën pasdite. Është sakrificë të menaxhosh kohën kur e ke shumë të kufizuar. Jam munduar të jem korrekte si në Universitet ashtu dhe në punë. Përzgjedhja ishte rastësore! Kisha aplikuar në disa vende të ndryshme pune, por të gjithë kërkojnë eksperiencë si dhe kanë kriter moshën mbi 25 vjeç. Por, pranë pastiçerisë franceze nuk ka diskriminime të tilla”, tregon Besjana.

Sfida profesionale
Pavarësisht faktit që të rinjtë sot, kanë përvetësuar një diplomë, qoftë kjo e nivelit bachelor apo master shkencor, kërkesat e tregut në raport me të rinjtë që duan një punë në profesion kanë një diferencë të madhe. Prandaj, shpesh herë hasim atë hendekun e madh mes tregut të punës dhe kërkesave për punësim. Madje, punëdhënësit kanë kritere të cilët shumë të rinj nuk mund ti përmbushin. Për Besjanën ka qenë fat që ka mundur të siguroj një vend pune, ku është përshtatur lehtësisht.

“Përshtatja fillimisht ishte e vështirë duke patur parasysh fluksin e punës si dhe mënyrën si funksionon procedura e shërbimit. Edhe pse nuk jam direkt në një pozicion pune siç po diplomohem, kjo lidhet shumë pasi unë gjatë gjithë ditës jam në kontakt me lekun, bilancet dhe xhirot ditore, duke më krijuar një hap të vogël në karrierën time si financiere”.

Dilema, universitet vs zanat
Diplomimi i të rinjve në degë jo produktive me kërkesat e tregut po zmadhohet çdo ditë dhe më shumë. Për shumë të rinj, zanatet nuk ekzistojnë, madje i shohin si mundësi të humbura. Për studenten e masterit shkollat profesionale kanë prioritet. “Përsa i përket shkollave profesionale kam qenë pjesë e disa trajnimeve. Duke qenë dhe forcë pune e pastiçerisë, unë mbështes shkollat profesionale. Një vend si Shqipëria ka nevojë për zanate, pasi shumica e të diplomuarve ditët e sotme përballen me papunësinë sapo mbarojnë studimet”, pohon Besjana Saraçi. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni