Në 20 vjetorin e vrasjes së Dëshmorit të Kombit, Azem Hajdari, liderit të lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën komuniste, Partia Demokratike organizoi sot simpozium dhe ekspozitë me temën: “Endrra e Azemit: Shqipëria si Europa”. Për të përkujtuar mikun e tij Azem Hajdarin, Besnik Mustafaj kishte zgjedhur t'i drejtohej atij me një letër imagjinare. Sipas Mustafajt, Azemi do ti besonte tre gjërat kryesore të shkruara në letër.

E para: Vendi po shkon keq i dashur Azem. Ëndrra jote për Shqipërinë si gjithë Europa ka ngecur. Korrupsioni është kthyer në një gangrenë që bren moralin e shoqërisë dhe po pengon zhvillimin e ekonomisë.

Krimi i organizuar funksionon si federatë kartelesh duke e ndarë vendin në parcela për secilin kartel, sepse krimi i organizuar në fakt ka kapur shtetin.

Shqiptarët i ka pushtuar dëshpërimi. Një dëshpërim i ngjashëm me atë të 1991, kur humbëm zgjedhjet e para.

Por ndryshe nga çdodhi në 1991 - kur pasoi një vit i stuhishëm ku shqiptarët e mblodhën shpejt veten, u bashkuan rreth PD dhe e çuan vendin në zgjedhje të parakoshme në vitin 1992, ku ne fituam, - sivjet dëshpërimi duket shumë i thellë. 

Shqiptarët e kanë humbur shpresën në atdheun e tyre dhe po kërkojnë të ikin jashtë duke zbrazur vendin.

E dyta:  PD nuk është aty ku historia e kërkon dhe ku do e donte Azemi për ti dhënë zë politik kësaj pakënaqësie popullore duke mishëruar atë që është jetike sot, shpresën e njerëzve dhe për ti udhëhequr këta njerëz drejt përmbushjes së ëndrres tënde, për ta bërë Shqipërinë si të gjithë Europa.

Do ti njoftoja një lajm të gëzueshëm. Se ka shumë të rinj, djem dhe vajza të cilët nuk e kanë njohur Azem Hajdarin dje, por që duan Azem Hajdarin siç ishte në të vërtetë. I besojnë atij dhe frymëzohen nga ai për të mos u pajtuar me të keqen.

E treta: Azemi e ka pasur pikë të dobët Rudinën (të bijën). Do ti thoja se Rudina nuk është më ajo vajza e vogël lozonjare që recitonte vjersha si gardelinë. Rudina sot është zonjë, e pjekur. Eshtë në PD dhe deputete e saj dhe brenda gjakut të saj ëndrra e Azemit vazhdon.