Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se beson te lidershipi i presidentit amerikan, Donald Trump, teksa nënvizoi se Bordi i Paqes do të ndihmojë vendet që të arrijnë paqen që meritojnë.
Në Forumin Ekonomik të Davosit, Osmani u shpreh se është mirënjohëse dhe krenare që qëndron krah Trump në këtë iniciativë të re.
“Duke ardhur nga Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta, dhe që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë krah Presidentit Trump në këtë nismë të re. Jam shpresë plotë që kjo organizatë do të ndihmojë vendet në botë të arrijnë paqen që meritojnë. Besoj në lidershipin e presidentit Trump dhe administratës së tij dhe liderëve të tjerë që i janë bashkuar Bordit të Paqes.", deklaroi ajo.
Osmani theksoi se procedurat komplekse të vendimmarrjes në Kombet e Bashkuara e kanë bërë të vështirë arritjen e paqes, ndërsa Bordi i Paqes synon një qasje më të drejtpërdrejtë. Ajo sqaroi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë OKB-në, por të punojë së bashku me të.
"Siç e dëgjuat presidentin Trump, ai do të punojë edhe me OKB. Më lejoni të jem e qartë. Ne jemi një rajon që kemi pasur benefite nga OKB, por për mbajtjen e paqes, jo arritjen e paqes. Për arritjen e paqes, ka qenë meritë e SHBA, OKB mundësoi mbajtjen e paqes. Por ka më shumë se një vend që ka të drejtën e vetos, kjo ka qenë e vështirë. Me Bordin e Paqes, jam e sigurt se paqja do të arrihet me më pak kompleksitet.", tha Osmani.
Vjosa Osmani deklaroi se Kosova sot është një vend i sigurt dhe se përvoja e saj mund të kontribuojë në përpjekjet globale për paqe.
“Sipas organizatave ndërkombëtare, Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë,” nënvizoi presidentja.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi Bordin e Paqes, një nismë që ai thotë se synon të zgjidhë konfliktet globale dhe të promovojë stabilitet e paqe “në zonat e prekura apo të kërcënuara nga konfliktet”.
Në ceremoninë nënshkruese të nismës ndërkombëtare, që u zhvillua në Davos të Zvicrës, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Komente











