E ardhmja e Marash Kumbullës mund të marrë një kthesë të papritur që në merkaton e janarit. Edhe pse aktualisht është i huazuar nga Roma te MallorcaLa Liga, kontrata e mbrojtësit të kombëtares shqiptare mund të ndërpritet për t’i hapur rrugë një huazimi të ri te një tjetër klub.

Sipas mediave italiane, dy skuadra kanë shfaqur interes konkret për Kumbullën dhe ato janë Udinese dhe Espanyol. Të dyja klubet po e ndjekin situatën e tij dhe preferojnë formulën e huazimit.

Udinese, rival i Romës në Serie A, e sheh mbrojtësin kuqezi si një përforcim të rëndësishëm, ndërsa transferimi i tij do të ishte një lëvizje strategjike në garën për të mbijetuar në kampionat.

Nga ana tjetër, Espanyoli përfaqëson një “dashuri të vjetër” për Kumbullën. Sezoni i kaluar e pa mbrojtësin shqiptar të spikaste në La Liga pikërisht me fanellën e klubit katalanas, duke lënë përshtypje pozitive dhe duke krijuar një lidhje të fortë me ambientin spanjoll.

Tashmë mbetet për t’u parë vendimi i Romës, e cila zotëron kartonin e lojtarit, si dhe qëndrimi i Mallorcas. Te këta të fundit, Kumbulla nuk ka gjetur shumë hapësira, teksa edhe një dëmtim ka ndikuar në vazhdimësinë e tij në fushë.