Beteja është me lajmet e rreme

 Beteja është me lajmet e rreme

Foto ilustruese

Kryeministri Edi Rama ka provokuar një debat të madh lidhur me përdorimin e Kodit Penal për atë që ai e quan shpifje ndaj funksionarëve publikë. Dhe duket se e ka kap qejfi që ka arritur të provokojë. Është fjala për premtimin e tij, se do të detyrojë me ligj zyrtarët të çojnë në gjykatë çdo akuzë të rreme ndaj tyre. Pastaj e ka zbukuruar fantazinë me Fondin e Solidaritetit për Arsimin, ku duhet të shkojnë gjobat.

Në të vërtetë, koha në të cilën jetojmë ka një shqetësim global lidhur me lajmet e rreme, “fake news”. Është një shqetësim që në vitin 2016 tronditi zgjedhjet amerikane, me 15 adoleshentë nga Veleshi i Maqedonisë, që shkruanin broçkulla për Hillary Clintonin dhe botoheshin deri në “New York Times”. Më pas është kthyer në fenomen global. Shqipëria është pjesë e kësaj historie.

Shumë vende kanë nisur t’i japin një përgjigje kësaj situate. Gjermania, vend i cili çmon më shumë përgjegjësinë se lirinë e të shprehurit për gjithçka, natyrisht që ka vendosur rregulla drastike ndaj gjigandëve si Facebook apo Googel, për detyrimin për të hequr shpifjet dhe lajmet e rrema brenda 48 orësh, pasi i denoncon, duke futur si ndëshkim gjoba marramendëse.

Vende të tjera si SHBA, kanë zgjedhur metoda verifikuese, sic është check-imi i fakteve dhe publikimi i rezultateve. Edi Rama ka vendosur të hedhë në betejë administratën kundër shpifjeve, duke përdorur gjykatën. Nuk është se bën ndonjë gabim që padit shpifjen, por kjo nuk e zgjidh problemin. Problemi real i përhapjes së lajmeve të rreme, ka të bëjë me humbjen e autoritetit të shtypit dhe përafrimin e tij me rrjetet sociale.

Në rrjetet sociale ti mund të botosh gjithçka, çdo marrëzi, dhe këtu ende nuk ka ligj. Shtypi serioz bën dallim se nuk boton gjithçka, por boton gjëra të verifikuara. Kjo është arsyeja fjala vjen, që Gjermania e ka fokusuar betejën kundër Facebook apo Googel, pasi shtypin e ka serioz.

Shtypi gjerman, fjala vjen, nuk bën kurrë idiotësinë e shtypit shqiptar, që të botojë çdo broçkull të thënë nga një politikan si të vërtetë, pa e verifikuar. Çdo lajm që përfundon në faqet e shtypit apo në ekran serioz, përfundon aty pasi ka dy burime dhe pasi redaksia bindet që kemi të bëjmë me një të vërtetë.

Në Shqipëri lajmet e rreme përhapen në të qindën e sekondës nga shtypi, pa pasur nevojë për rrjete sociale, dhe kjo është një histori që po e vret shtypin shqiptar. Ndaj dhe operacioni anti-shpifje nuk ka për të pasur sukses si operacion i njëanshëm, mbrojtës i administratës kundër shpifjeve.

Shqipëria ka nevojë realisht për një betejë kundër lajmeve të rreme, jo vetëm ato që prekin administratën apo politikën, por dhe qytetarin. Dhe për këtë, ndoshta duhet një debat më i gjerë, një përfshirje më serioze e aktorëve të rëndësishëm të shtypit dhe ekspertëve të rrjeteve sociale, dhe mbi të gjitha, trajtimi i këtij problemi si problem i shoqërisë, dhe jo si problem apo hall i qeverisë.

Për këtë duhet doemos një legjislacion i ri për medien e mediet online, një kod etike i shtypit, një detyrim i qeverisë për të qenë transparente me shtypin dhe mbi të gjitha, një rregjistrim dhe standartizim i portaleve për të ndarë ato që duan të quhen media, dhe ato që janë komerciale dhe duan të shesin të brendshme grash, por që bëjnë dhe lajme.

Ligji për shpifjen ekziston dhe aplikohet. Çdo redaksi serioze përballet rregullisht me të. Neni 120 i Kodit Penal e përcakton qartë se çfarë është shpifje dhe si ndëshkohet ajo. Padinë e fundit për shembull gazeta TemA e ka pasur nga Grida Duma, e cila ankohej për sms-të perverse të Salianjit, që shtypi e identifikoi me të, por Gjykata ja ktheu mbrapsht padinë.

Nuk ka nevojë për ndonjë ligj të ri. Në vitin 2012, ajo u dekriminalizua dhe ndëshkohet vetëm me gjobë financiare, dhe nuk besoj se është nevoja të ndryshohet. Beteja për lajmet e rreme është morale dhe këtë betejë mund ta fitojë shtypi serioz, dhe jo beteja kundër shtypit.

Detyrimi i shtypit që kur Salianji thotë një broçkull, të marrësh dhe burimin tjetër, është në ABC-në e shtypit. Fjala vjen, sot ai thotë që Taulant Balla ka udhëtuar 18 herë me charter dhe paraqet një listë udhëtimesh të politikanit që nuk ka asnjë udhëtim me charter, por të gjitha udhëtime me linjat normale. Biles në një nga ato udhëtimet që pashë më 2014, në atë avion kam qenë dhe unë me një koleg gazetarë drejt Athinës, në punën tonë.

Taulant Balla ka qenë me ish- kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Është avioni i linjës Tiranë Athinë. Tani do të ishte paksa e pranushme që nga 18 herë, 17 të ishin charter,  por kur nuk është asnjë, është tepër ta fusësh në faqe serioze lajmin pa konfirmuar me burimet e tua, ose burimin kundërshtar, pasi bëhesh pjesë e një propagande politike, duke zhvlerësuar besueshmërinë e shtypit.

Ndaj beteja kundër lajmeve të rreme duhet marrë me seriozitet, por dhe me gjithëpërfshirje, duke përfshirë në radhë të pare në këtë histori aktorët e shtypit, ekspertët juridikë, dhe politikën.

Mbi të gjitha për këtë betejë është i interesuar shtypi, pasi ai del humbësi më i madh nga i të bërit të gjithëve gazetarë, duke postuar broçkulla që lëshohen lartë e poshtë për trafik politik. Dhe kjo është një betejë që ka kuptim kur e fiton shoqëria, e jo kur e fiton qeveria. Se qeveritë në këtë vend do ndryshohen, por beteja për informimin do të vazhdojë.

Ndaj është mire të ketë sa më pak tifozllëk në këtë betejë dhe sa më shumë aktorë të përfshirë në të, për t’i ndarë të vërtetën nga gënjeshtrat. Ndryshimet ligjore duhet të jenë serioze dhe duhet të kenë të bëjnë me rritjen e përgjegjësisë së aktorëve në shtyp, dhe nxitjen e mekanizmave të vetrrugullimit të shtypit. Rregjistrimi i portaleve është një gjë që nuk do ligj, por do ndëshkim ligjor për ata që nuk e kanë bërë akoma.

Ndëshkimi i shpifjeve nuk do ligj, pasi ligji është. Ndërhyrje ligjore duhet  për ndarjen e medies së re online, në medie apo blog personal, dhe  në një ligj serioz për shtypin që përcakton detyrimet e aktorëve të shtypit ndaj standarteve të informimit.

Beteja kundër lajmeve të rreme fitohet kur shtypi të bëjë diferencën mes shpifjeve e propagandës, dhe informacionit të vërtetë, dhe kur shoqëria të mësohet të injorojë broçkullat e tipit “Babale”. 

Dhe kjo nuk arrihet me një ndryshim ligjor, por një sërë ndryshimesh, ku duhet të përfshihen shumë aktorë. Se e vërteta nuk është hall qeverie. Është standart i shoqërive të ndriçuara./TemA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Oku: 15/10/2018 08:03

    Kush e percakton apo mat c'fare eshte rrene dhe c'fare eshte e vertete? Keni ndonje Oracle on board?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin