Pashë një lajm në gazetë se një nga kryetarët e rretheve i ka propozuar Sali Berishës grevë urie të deputetëve dhe drejtuesve të PD bashkë me familjet e tyre. Gazetari e kishte quajtur propozim radikal. Më parë ka pasur edhe një propozim afarist, ai i Gjin Gjonit, që drejtuesit e PD të paguanin nga 1 mijë euro dhe ta bënte grevën populli. Në një farë mënyre, në kohën e Nizamit këta quheshin “bedelë”, kur dikush shkonte ushtar në vend të dikujt tjetër kundrejt pagesës.

Pastaj kam parë edhe propozime të tjera, me çadër të madhe para Kryeministrisë, për të bërë aty parlamentin e opozitës, apo propozime si ky i së dielës së fundit, që të mos futen në zgjedhje por t’ia lënë në dorë popullit dhe atë punë.

Siç pati thënë kolegu im Preç Zogaj, PD është partia që nuk ka lënë gjë pa provuar në hallakatjet e saj opozitare në këto 35 vjet.

Kanë bërë protesta të mëdha, demonstrata të dhunshme, kryengritje me armë, bojkote parlamenti, bojkote zgjedhjesh, e gjithçka tjetër.

Dhe tani një makineri e tërë mendimtarësh po përpiqet se ç’duhet bërë që të mos shuhen fare, që populli t’i dojë, që të duken si parti normale, etj.

Është shumë interesante që në gjithë këtë shqetësim kombëtar se çfarë duhet të bëjë PD-ja, përjashtojnë vetëm një propozim, vetëm një opsion, vetëm një zgjidhje e cila mund ta rikthejë PD-në në skenën politike dhe ta bëjë parti normale. Për 35 vjet ata refuzojnë të propozojnë ndryshimin e kryetarit të tyre.

Pra, gjithë këto propozime që bëjnë deri në sakrificë njerëzore me gjithë familjarë, siç qe ky budallallëku i fundit, e kanë vetëm që të mos ikë kryetari i tyre.

Po provoni njëherë këtë që s’e keni provuar kurrë, se mund t’ju dalë më mirë, më lehtë, me më pak kosto dhe me më shumë fitim për të ardhur sa më shpejt në pushtet, nëse e keni vërtet këtë shqetësim.

Nëse e keni shqetësim si të mbani Sali Berishën kryetar, pastaj propozimi më i mirë më duket kjo grevë e urisë me gjithë familjarë, pasi ashtu sakrifica duket më e plotë. Ja vlen të vdisni për të. Por mos thoni që po vdisni për PD./ Tema