Skënderebu nuk është dorëzuar për të kaluar edhe këtë tur të Champions League, pas humbjes në Kazakistan përballë ekipit të Shakter Karagandy. Ekipi kampion i Shqipërisë do të kërkojnë që të fitojë luftën duke kthyer rezultatin sot në Tiranë.

Ndeshja përballë ekipit kazak do të jetë tejet e vështirë, pasi ndeshja e parë ka përfunduar me rezultatin e thellë 3-0 duke u dhënë shumë mundësi miqve që sot të zbresin sa për formalitet në fushë, por drejtuesit e ekipit të Skënderbeut me presidentin Take dhe trajnerin Josa shpresojnë se do të arrijnë që të kualifikohen. “Këtë edicion mund ta quaj plotëisht të suksesshëm për ekipin e Skënderbeut, pasi fituam kampionatin dhe arritën që të kalonim një tur në Evropë, cka ishte edhe objektivi ynë.

Tashmë jemi përballë një sfide shumë të vështirë, pasi ndeshjen e parë e kemi humbur 3-0 duke e pasur shumë të vështirë kalimin e këtij turi. Megjithatë ne do të japim maksimumin për të kthyer rezultatin. Por edhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë do të tentojmë që të futemi në fazën e grupeve në Evropa Legaue” shprehet Take. Ndërkaq, përsa i përket zërave për fiksim të ndeshjes së parë në Kazakistan, Take i mohon kategorikisht duke deklaruar se shqiptarët kanë një problem të madhe se nuk e pranojnë humbjen kur mësohen me suksese.

Sakaq, trajneri Mirel Josa kërkon me cdo kusht që Skënderbeu të fitojë ndeshjen përballë kazakëve. “Mua më intereson që të fitojmë ndeshjen, problemi nëse do të fitohet 2-0 apo 3-1 është tjetër gjë, por në futboll të gjitha gjërat janë të pritshme dhe ne do të tentojmë” përfundon ai. Për ekipin e Sknëderbeut i gjithë grupi është në dispozicion të trajnerit tiranas, ndërsa formacioni pritet që të zbardhet vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes. Miqtë nga Kazakistani kanë mbërritur dje në Tiranë, ku kanë kryer edhe një seancë stërvitore në ‘Qemal Stafa’. Karagandy është i qetë në këtë ndeshje dhe do të kërkojë që të shënojë vetëm një gol dhe mbrojë rezultatin i qetë, pasi tre golat në shtëpi i japin luksin të mos sforcohet shumë.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)