Betohet deputetja më e re e Kuvendit
Ferracaku zëvendëson Mark Frrokun

Betohet deputetja më e re e Kuvendit<br />Ferracaku zëvendëson Mark Frrokun
TIRANË - Mirela Ferracaku është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo u betua pasditen e kësaj të enjteje në sallën e Kuvendit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha me vota unanime mandatin e deputetit të dorëhequr Mark Frroku. 

Ferracaku ishte kandidatja e radhës në listën shumëemërore të qarkut Shkodrës nën siglën e Partisë Kristian Demokrate, ku Frroku është kryetar. Ferracaku do të jetë pjesë e mazhorancës, pasi edhe ish-deputeti Frroku ishte në koalicionin e majtë. 

3 javë më parë deputeti Mark Frroku la mandatin nëpërmjet një kërkesë dërguar Kuvendit, nga ambientet e paraburgimit ku ai ndodhet nën akuzë edhe për një vrasje në Belgjikë.
 
Në fakt në listën e PDK Marku pasohet nga vëllai i tij Arben Frroku, por për shkak se ai është i dënuar në mungesë me vendim të formës së prerë burg përjetë, radha për të marrë mandatin e tij i kaloi Mirela Ferracakut.

Betimi i Ferracakut u shoqërua me debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. 

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se zëvendësimi i një deputeti në këto kushte është një rast të pashembullt dhe ndaj duhej marrë mendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtetuta përcakton mbarimin e mandatit kur kemi një vendim të formës së prerë prej gjykatës. Deputeti Mark Frroku ka dhënë dorëheqjen dhe zëvendësuesi i tij, Arben Frroku është i dënuar, por Kushtetuta përcakton se deputeti duhet të marrë njëherë mandatin pastaj t’i hiqet ai. Pra kemi të bëjmë me një rast të pashembullt më përpara dhe kjo çështje kërkon interpretim kushtetues. Kur e merr? Si e merr dhe kur mbaron?”, tha Bylykbashi.

Balla: Ne zbatojmë vendimin e KQZ dhe Këshilli i Mandateve lexoi vendimin e KQZ marrë në unanimitet, të paktën në këtë pjesë nuk keni përse të bëni politikë.

Berisha: Do t'i uroj deputetes së re suksese, por do të deklaroj se përderisa Arben Frroku të vendoset në vendin ku e ka caktuar drejtësia për krimin e shëmtuar, Arben Frrok është Edi Rama, (përsërit) Arben Frrok është Edi Rama i cili...
(Në sallë shkaktohen të qeshura, dëgjohet edhe e qeshura e kryeparlamentarit Ilit Meta i cili kishte mikrofonin hapur)...

Berisha: Për të qeshur është kjo...por nuk mund ...se vetë e nise jashtë, je bërë simbol i tij, simbol i krimit

Meta: Ju lutem mos na e prisni gëzimin e konsensusit të madh që po afron..për kushtetutën/ 

Arben Frroku është i dënuar në '91
Më herët KQZ i kishte kërkuar informacion të detajuar Ministrisë së Drejtësisë për Arben Frrokun.

Nga ky hetim rezulton se Arben Frroku është i dënuar si më poshtë:

Dënimi 1
Në bazë të vendimit nr.10 datë 27.02.1991, Gjykata e Lezhës ka deklaruar fajtor për veprën penale të përvetësimit të pasuris socialiste në bashkëpunim në shumën 900 lekë në bazë të nenit 63, 31/ B,31/2 të Kodi Penal Dënohet me 6 muaj riedukim nëpërmjet punës me ndalimin e 1/5 e Pagës.

Dënim 2
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.73, datë 29.06.2015, ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.52, datë 03.04.2015, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandeurit Arben Preng Frroku për veprat penale:

-Vrasje në Rrethana të tjera cilësuese parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal (Ligji i Kohës në momentin e kryerjes së veprës penale) dënim me burgim të përjeshëm,
-Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit parashikuar nga neni 278/2 Kodi  Penal (Ligji i Kohës në momentin e kryerjes së veprës penale), dënimin e tij me 5 vjet Burgim,

-Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal dënohet përfundimisht me burgim të përjetshëm.
 
Kandidatët për deputet në listën shumemërore të Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, qarku Shkodër me numër rendor 3 (tre) dhe 4 (katër) përkatësisht Zj Mirela Riza Ferracaku dhe Ndok Gjelosh Kola rezultojnë të padënuar.
 
Nga verfikimi i dokumentacionit të sipërcituar, kandidati i radhës në listën shumemërore të Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, qarku Shkodër me numër rendor 2 (dy) z. Arben Preng  Froku nuk plotëson kushtin e parashikuar nga neni 45, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për tu zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
 
Për sa më sipër, mandat i ndërprerë i përket kandidates së radhës, pas z. Arben Froku,  e renditur me numër rendor 3 (tre) në listën shumemërore të Partisë Kristian Demokrate e Shqipërisë në Zonën Zgjedhore Qarku Shkodër, znj. Mirela Riza Ferracaku.

Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kompania ‘Bankers Petroleum’ investon 96 mijë Dollarë për infrastrukturën rrugore në Sheqishtë të Patosit

Kompania ‘Bankers Petroleum’ investon 96 mijë Dollarë për infrastrukturën rrugore në Sheqishtë të Patosit