Bezati: Duan të fusin Kalin e Trojës
në Pallatin e Kulturës në Përmet

Bezati: Duan të fusin Kalin e Trojës<br />në Pallatin e Kulturës në Përmet
Konflikti për pronësinë e Pallatit të Kulturës në Përmet, për ish-kreun e Kulturës përmetare Kastriot Bezati, mbështetet nga qarqe të Athinës. Bezati është personi i vetëm, i cili me iniciativën e tij, ka luftuar i vetëm në proceset gjyqësore duke përfaqësuar shtetin ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ka kërkuar administrimin dhe pronësinë e objektit të diskutueshëm.

Në një intervistë për "A1 Report!", z.Bezati, shprehet se negociatat për uljen e tensioneve i ka dhënë fund, vendimi i të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar duke i njohur pronësinë shtetit.

Zoti Bezati, juve nuk jeni më Drejtor i Kulturës në Përmet dhe ende jeni aktiv në qëndrime përsa i përket cështjes së Pallatit të Kulturës ose sic e quajnë ortodoksët e këtushëm, Kisha e Shën Marisë. Përse vijoni të mbani këto qëndrime kur nuk gëzoni ende këtë post?

Kanë qenë këto qëndrime të palëkundura të miat, ato të cilat më kushtuan edhe vendin e punës pasi jam hequr nga puna nga ish kryebashkiaku Edmond Komino, i cili u zëvendësua nga ai i tashmi. Nejse kjo mua nuk më ka mbajtur larg zhvillimeve që po ndodhin këto ditë në Përmet. Konflikti mes Kishës Ortodokse dhe Pallatit të Kulturës, nisi në shtator të vitit 1997 dhe përfundoi më 5 maj 2004 me rrugë ligjore. Gjatë kësaj kohe, u zhvilluan seancat gjyqësore të cilat në të gjitha rastet, favorizuan Pallatin e Kulturës. Pronësia e saj u gjykua nga 45 gjyqtarë. Ndërtimi i Pallatit të Kulturës nisi më 11 prill 1961 dhe përfundoi më 28 nëntor 1962 ku dhe u përurua me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Nga e gjithë sipërfaqja prej 584 metra katrorë, vetëm 25 metër katrorë ose 4.8% është e Kishës e Shën Marisë.

Ka 10 vjet që gjyqësori e ka thënë fjalën e vet ndërkohë që vendimet e tij nuk janë ekzekutuar. Si do t’a quanit ju këtë vonesë?

Gjatë kësaj kohe shteti ka qenë i kapur nga dikush dhe ky është Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos i cili nuk është shqiptar, por edhe qarqet e Greqisë e cila mban ende në fuqi ligjin e luftës me vendin tonë. Aktive kanë qenë edhe qarqe të caktuara të Athinës që kanë ndikuar në mos zbatimin e këtyre vendimeve. Pra janë këto që shteti ynë mos të vepronte energjikisht për të egzekutuar vendimet e Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese. Gjatë kësaj kohe, është bërë një lojë e turpshme mes policisë dhe përmbarimit. Sa herë që vinte Përmbarimi për të egzekutuar vendimin, nuk mbështetej nga policia dhe anasjelltas.

Ndërsa më 16 gusht kemi ekzekutimin e vendimit nga përmbaruesi. Për ju zoti Bezati, a është i vonuar ky ekzekutim-vendimi?

Më 16 gusht përmbaruesi Fatos Alimadhi egzekutoi vendimin dhe për mendimin tim, në këtë ditë u shënua triumfi i drejtësisë shqiptare. Në këtë ditë nuk u dhunuan objektet me vlerë të kishës sic u trumbetua nga kleri. Nuk pati incidente nga ana e përmbarimit pasi një njeri që kërkon zbatimin e ligjit, nuk kërkon incidente. Nuk më vjen mirë që Përmeti trualli i vëllezërve Frashëri për problemet e kulturës, ndërhyhet nga Athina apo qëndrimin jo atdhetar të Janullatosit dhe kreut të PBDNJ Vangjel Dule. Për mua kjo ndërhyrje, cënon harmoninë ndërfetare në Përmet. Pallati është ngritur para vitit 1967 ku u hoq me ligj e drejta e besimit fetar dhe u shkatërruan objektet fetare, por në vitin 1962 dhe kjo vetëm në 4.28% të truallit të ish kishës së Shën Marisë.

Në Përmet, a janë ngritur objekte të tjera nga shteti në trojet e kishës apo dhe të institucioneve të tjera fetare dhe si kanë reaguar ato?

Patjetër që po. Në vitin 1969 u ngrit Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” dhe u ngrit në 50% të truallit të Xhamisë. Ndërsa në vitin 1984 u ngrit Pallati i Sportit i qytetit në një truall gati 100% pronë e xhamisë. Në asnjë rast nuk janë hasur konflikte dhe shqetësime nga xhamia apo myslimanët. Konflikte kemi pasur vetëm për rastin në fjalë të cilat suportohen patjetër nga Athina. Këto objekte së bashku me Pallatin e Kulturës të cilat janë ndërtuar nga shteti, përbëjnë fytyrën e bukur të Përmetit.

Kleri ortodoks në Përmet kërkon bisedime për të gjetur një zgjidhje, me kreun e Bashkisë së Përmetit. Juve si do t’i përkufizonit këto séanca bisedimesh që kanë filluar?

Bisedimet për zgjidhje të problemit nuk janë të nevojshme. Zgjidhje më mirë sesa ligji nuk ka. Këto bisedime mund të marrin formën e pazarit ku Pallati i Kulturës të shitet në treg. Mund të marrin formën e pazarit për të hapur portat e Pallatit të Kulturës për të hyrë Kali i Trojës. Ndaj kam bindjen se e vetmja zgjidhje është ajo e dhënë nga Gjykata Kushtetuese e cila lartëson Pallatin e Kulturës në zemër apo qendër të Përmetit dhe kësaj zgjidhjeje, duhet t’i bindemi të gjithë që nga presidenca, kryeministria e të gjitha me radhë deri tek parlamenti.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen