TIRANË – Thellohet ndarja mes kryeministrit Berisha dhe disa prej figurave drejtuese të Partisë Demokratike.Pasditen e sotme, ish deputeti demokrat, pjesëmarrës në Lëvizjen studentore dhe krijimin e Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj e ka akuzuar kryeministrin Berisha se është mbështetës i ish spiunëve në kohën e regjimit komunist.
“Kryeministri aktual i Shqipërisë është mbështetësi më i madh politik i ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit”, thotë Biberaj.Në intervistën për Shqiptarja.com Biberaj thotë se ky fakt vërehet gjatë gjithë viteve të fundit.
Ish-anëtari i kryesisë së PD-së deklaron gjithashtu se ish-komunistët Berisha i ka “në qeveri, në grupin parlamentar dhe në lidershipin e PD-së”.
Sipas tij “kjo është edhe tradhtia më e madhe e pas viteve ’90 ndaj shqiptarëve, ndaj Lëvizjes Studentore Anti-Komuniste të Dhjetorit ’90, ndaj demokracisë, ndaj së djathtës dhe ndaj ish-të persekutuarve politik.”

Z. Biberaj, keni deklaruat sot  se kryeministri ka tradhëtuar Lëvizjen e Dhjetorit pasi mbështet ish-sigurimsat. Ku bazoheni për të deklaruar një gjë të tillë?
Përgjigjen e gjeni në realitetin shqiptar të ketyre 21 viteve të tranzicionit post-komunist, në qeverinë aktuale, në grupin parlamentar dhe në kupolën e PD-së.

 A mund të identifikoni, cilët janë këta ish - bashkëpunëtorë të sigurimit në qeveri dhe grup? Nëse jo, sa pranë kryeministrit janë këta njerëz?
Dosjet janë hapur pjeserisht një herë dhe dihen shumë gjëra, ndërkohë që një ditë ato do te hapen plotesisht dhe shqiptaret do te shohin se kush po i drejton prej 21 vitesh. Kryeministri është në mes tyre, sepse kështu ndjehet komod me ta dhe me sa duket ndjehet, është i mbrojtur në mes tyre.

Kryeministri deklaron se presidenti Topi nuk firmos ligjin për lustracion sepse ka frikë nga e vërteta. Cila është kjo e vërtetë sipas jush?
E vërteta është se Kryeministri ka qenë dhe mbetet mburoja dhe streha më e sigurtë e ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit te Shtetit. Koha do të tregojë këtë të vërtetë dhe të vërteta të tjera.

Pavaresisht se jeni themelues dhe një nder politikanët më të vjetër dhe më me kontribute në rradhët e PD, tashme jeni i larguar prej saj. A do t'ju gjejmë sërish në rradhët e deputetëve në zgjedhjet e 2013?
Qënia deputet nuk është qellim në vetvete, sesa sherbimi ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë, gjithsesi eshte shume shpejt për të folur, le t’ia lëmë kohës.

Një parti e re, ajo e presidentit Topi sa e “ngacmon” sedrën tuaj politike dhe sa e rrezikon PD?
E kam konsideruar dhe e konsideroj vehten sherbetor te popullit tim, te vendit tim dhe te demokracise, keshtu qe pare ne kete kontekst misioni i Dhjetorit ’90 ka mbetur pergjysem, keshtu qe do te vazhdoj perpjekjet e mia per te permbushur misionin fisnik te Dhjetorit ‘90.


BISEDOI: ALBANA QEHAJAJ

(aq/shqiptarja.com)