Përdorimi i zgjatur i biberonit, konsumimi i ushqimeve të konservuara dhe produkteve me përmbajtje të lartë sheqeri vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të dhëmbëve tek fëmijët. Për këtë arsye, mjekja stomatologe Arlejdi Gjoka thekson se kujdesi dentar duhet të nisë që me daljen e dhëmbit të parë.

“Duhet të bëhet një kontroll, një vizitë të updejtimit të fëmijës me mjeku, me mjekun e tij stomatolog, në mënyrë që të hiqen frikërat, të parandalohen problemet që mund të lindin më vonë dhe të marrin disa agjënime për protokollet që duhet të përkujdesen në vazhdim prindi për fëmijën e tij”, Arlejdi Gjoka, mjeke stomatologe.

Problematikat dentare tek fëmijët shfaqen shumë herët, madje që në moshën 2-vjeçare. Njëri nga shkaqet është edhe dhënia e frutave të bluara.

“Shumica kanë ardhur jo nga mospërkujdesi, moslarja, por më së shumti nga mënyra të ushqyerit, nga lloji i ushqimit që konsumojnë fëmijët, mos konsumimi i frutave dhe i perimeve në gjendje neutrale, por gjithmonë të bluara, në blendër. Ushqimet e konservuara janë shkaktarët numër një që çojnë në prishjen e dhëmbëve”, shprehet stomatologia.

Përveç dëmtimeve dentare, po vërehet një rritje e madhe e problematikave ortodontike tek moshat e vogla. Moszhvillimi i nofullave, dalja jo e rregullt e dhëmbëve dhe shtrembërimet janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

“Përdorimi i biberonit, cucos por edhe lugët që përdoren lugët e silikonit, që duhet të përdoren sipas moshës së rekomanduar,  janë shkaktarët për pjesën e malformacioneve të ndryshme moszhvillimit të nofullës, gjë që çojnë në pjesën e problemeve ortodontike tek fëmijët”, vijon doktoresha.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 janë depistuar 132,764 nxënës për problematika dentare në kuadër të programit që ofron shërbime parandaluese brenda shkollave.