Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një letër presidentit serb Aleksandër Vuçiç me rastin e Festës Kombëtare të 15 shkurtit. Teksa ka vlerësuar raportin mes dy vendeve, presidenti i SHBA-së është ndalur edhe në tensionet me Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit amerikan.”, thuhet në letrën e Biden.
Biden shkruan se Serbia duhet të vijojë me procesin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e cilësuar si hap kyç për të ardhmen e Beogradit dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Unë inkurajoj Serbinë të ndërmarrë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur është e nevojshme, me qëllim të normalizimit të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet në letrën e Biden.
Biden mbështet rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa shton se do ta mbështesë në forcimin e institucionet demokratike.
“SHBA-ja mbështet fuqishëm rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi. Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interes të SHBA-së dhe Serbisë, dhe gjatë vitit të ardhshëm pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike”, shtoi ai.
Presidenti amerikan shton se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiçit, i është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe të dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vazhdon letra e tij.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vetëpërmbahen nga veprimet që mund të sjellin rritjen e tensioneve mes dy vendeve. Stoltenberg e bëri këtë deklaratë në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë e NATO-s, në prag të nisjes së takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve të NATO-s, që mbahet më 14 shkurt.
Stoltenberg nënvizoi në fjalën e tij se rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe apeloi ndaj palëve që të angazhohen në bisedime.
“Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor muajt e fundit. Mesazhi im është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të eskalojnë tutje tensionet në rajon. Kur vjen puna për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, dhe inkurajoj Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mirëbesim në dialog”, ka thënë Stoltenberg.
Gjithashtu Stoltenberg u ndal dhe tek sulmet në Veri të Kosovës, ku tha se për të garantuar një ambient të sigurt NATO ka shtuar qindra trupa ushtarake.
“Si rezultat i sulmeve që kemi parë në Kosovë vitin e fundit, NATO ka rritur prezencën. NATO është aty për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë komunitetet dhe kemi shtuar qindra trupa që të sigurohemi që të përmbushim mandatin e marrë nga Kombet e Bashkuara”, ka nënvizuar Stoltelberg.