Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti të shtunën në mbrëmje (rreh orës 3 të mëgjesit me kohën shqiptare) fjalimin e fitores në Uilmington të shtetit Delauer përpara përkrahësve të shumtë, ku bëri thirrje për bashkim të kombit.
Biden iu drejtua atyre me frymën e kompromisit, duke kërkuar që mbështetësit e presidentit Donald Trump t'i jepnin një shans si dhe duke u bërë thirrje të gjithë amerikanëve të kthejnë faqen nga ajo që ai e përshkroi si një "epokë të zymtë të demonizimit".
"Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse", tha Biden përpara mbështetësve që ishin mbledhur pë r të festuar.
Pasi u ngjit në skenë me një maskë të vënë, Biden përsëriti premtimin e tij se ai do të kërkonte të bashkonte e jo të ndante, dhe se e kishte kërkuar këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës.
"Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. President qe nuk sheh shtete të kuqe dhe shtete blu, por vetëm Shtete të Bashkuara. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, shtoi ai.
Ndonëse nuk e përmendi rivalin e tij, Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën edhe në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve. Teksa tha se e kupton zhgënjimin e tyre, u ka kërkuar një shans për njëri-tjetrin.
"Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t'i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t'i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë. Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan”, tha ai.
Presidenti i zgjedhur njoftoi gjithashtu se të hënën do të shpallë një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh për ta ndihmuar atë të hartojë një plan për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Më tej teksa prezantoi planin e tij, vuri theksin te investimte që do të përfshijnë investime në pajisje mbrojtëse personale dhe kredi për bizneset e vogla, si dhe plane për të zbatuar udhëzime më të standardizuara të shëndetit publik.
Lajmi kryesor: