Presidenti Joe Biden është zotuar se tranzicioni i pushtetit nga ai te Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të jetë i rregullt, ndryshe nga katër vjet më parë.
Gjatë një fjalimi që mbajti mbrëmë para ligjvënësve demokratë në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden kundërshtoi atë që ai e quan “përpjekje të pandërprerë” për të nënvlerësuar sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të zotit Donald Trump. Turma bëri përpjekje të pengojë certifikimin e fitores së zotit Biden ndaj rivalit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020
Presidenti Joe Biden tha, se pas asaj që ndodhi në vitin 2021, 6 janari, dita kur sipas kushtetutës Kongresi çdo katër vjet certifikon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, nuk mund të meret më si e mirëqenë që gjithshka do të shkojë qetë.
“Shpresoj që të mos e marrim më kurrë si të mirëqenë. Para katër vjetësh, më 6 janar, Kapitoli u sulmua nga një turmë e dhunshme. Nëse vini në zyrën ovale përpara se të largohem, do t'ju tregoj dhomën ngjitur në të cilën ish-presidenti, për tre orë e gjysmë po shihte çfarë po ndodhte në televizor. Demokracia jonë u vu vërtet në sprovë, por fatmirësisht, ajo mbijetoi. Arsyeja kryesore është guximi i policisë së Kapitolit dhe të njerëzve që qëndruan me ne. Mos i harroni kurrë”, tha Presidenti Biden.
Procesi i certifikimit, zakonisht një formalitet, u përmbys katër vjet më parë kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan dhunshëm Kapitolin. Ata bënë përpjekje për të ndaluar transferimin e pushtetit te demokrati Joe Biden, i cili kishte fituar zgjedhjet.
Shumica e protestuesve shkuan drejt Kongresit nga një tubim aty pranë ku zoti Trump u kërkoi të “luftonin fuqishëm” kundër asaj që ai e quan “manipulim i zgjedhjeve”. Një mbështetëse e zotit Trump, Ashli Babbitt, u qëllua për vdekje nga një oficer teksa u përpoq të hynte me forcë në ndërtesën e Kongresit. Oficeri i policisë së Kapitolit, Brian Sicknick, i plagosur ndërsa u përball me turmën, pësoi infarkt të nesërmen dhe sipas mjekëve vdiq nga shkaqe natyrore. Kongresi u mblodh disa orë më vonë më 6 janar për të përfunduar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë ai u kërkoi ligjvënësve demokratë të “thonin të vërtetën” për sulmin e 6 janarit dhe të mos lejojnin që historia e asaj që ndodhi të “rishkruhej apo edhe të fshihej”.
“Tani është detyra juaj të thoni të vërtetën, të mbani në mend atë që ndodhi dhe të mos lejoni që 6 janari të rishkruhet dhe as të fshihet. Duhet nderuar Kushtetutën, jo vetëm në ditët më të jashtëzakonshme dhe gjashtë janari është një nga ditët më të vështira të historisë amerikane, por çdo ditë. Tani, katër vjet më vonë, po largohem nga posti i presidentit dhe jam i vendosur të bëj gjithçka në fuqinë time për të respektuar transferimin paqësor të pushtetit”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Biden kaloi pjesën më të madhe të vitit 2024 duke paralajmëruar votuesit se zoti Trump është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit. Javën e kaluar, presidenti i dha Medaljen Presidenciale të Qytetarisë zonjës Liz Cheney dhe ligjvënësit demokrat Bennie Thompson, udhëheqësit e hetimit të Kongresit për sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Kongresi do të mblidhet (pas pak) të hënën në Uashington për të certifikuar fitoren e zotit Trump në një seancë, që do të drejtohet nga rivalja që ai mposhti, Nënpresidentja Kamala Harris. Këtë herë nuk pritet dhunë, madje as kundërshtime procedurale, duke shënuar një rikthim në traditën amerikane që të transferimit paqësor të pushtetit presidencial.
Presidenti Biden sqaroi se arsyeja pse ai do të veprojë ndryshe nga Presidenti i zgjedhur Trump dhe republikanët është se “rregullat dhe institucionet kanë rëndësi”.
“Traditat thelbësore që kemi respektuar prej kohësh në Amerikë përfshijnë certifikimin e zgjedhjeve dhe duke marrë pjesë në inaugurimin e një presidenti të ardhshëm”, tha Presidenti Biden.
Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të vogël me katër vende më shumë se demokratët, si dhe Senatin me gjashtë vende më shumë./ VOA