Kandidati për President të ShBA-së, Joe Biden ka zyrtarizuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, kjo pasi fitoi shtetin e Georgias dhe të Arizonës.

Sipas Edison Research, shteti i vetëm i mbetur në garë është Karolina e Veriut, e cila sipas projeksioneve do të shkojë për Trump.

Rezultati final është 306 për Biden dhe 232 për Donald Trump. Republikani ende nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve teksa thotë se rezultati është manipuluar.

Megjithëse vota popullore kombëtare nuk përcakton rezultatin e zgjedhjeve, Biden ishte përpara me më shumë se 5.3 milion vota, ose 3.4%. Pjesa e tij e votës popullore, me 50.8%, ishte pak më e lartë se pjesa e votës së Ronald Reagan në 1980 kur ai mundi Jimmy Carter.

Për të fituar një mandat të dytë, Trump do të duhet të rrëzojë epërsinë e Biden në të paktën tre shtete, por ai deri më tani nuk ka arritur të japë prova se ai mund ta bëjë këtë në ndonjë prej tyre.

Shtetet duhet të zgjedhin përfaqësuesit në Kolegjin Zgjedhor deri më 8 dhjetor, të cilët më pas do të zyrtarizojnë zgjedhjen e presidentit të ri më më 14 Dhjetor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:12
Trump flet për herë të parë pas zgjedhjeve elektorale: Shpresojmë që në të ardhmen, kushdo të jetë në krye, të menaxhojë sitautën e COVID siç duhet

Presidenti Donald Trump duket sikur ka pranuar më së fundmi humbjen në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Në një deklaratë për mediat këtë të premte, ai deklaroi se qeveria nuk do të urdhërojë kufizime të tjera për koronavirusin.

"Unë nuk do... kjo administratë nuk do të shtrëngojë masat anticovid. Shpresojmë se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kushdo që të jetë në krye të administratës, të bëhet më e mira. Unë mendoj se koha do ta tregojë, por unë mund t'ju them se kjo administratë nuk do të shkojë në një tjetër kufizim " Tha Trump.

Presidenti deri më tani ka refuzuar të pranojë zgjedhjet duke i kontestuar ashpër ato që prej 3 nëntorit, datës së zgjedhjeve.

Ora 22:16
Kina uron Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale

Pas zyrtarizimit të fitores së Biden në zgjedhjet presidenciale, ka ardhur një urim nga Kina.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wan Wenbin tha në një konferencë për mediat se Kina respekton zgjedhjen e popullit Amerikan. "Ne i shprehim urimet tona Biden Kamala Harris " - tha Ëenbin.  

Pekini ishte ndër të paktat vende që nuk e kishin uruar ende kandidatin demokrat.