Pesimizmi po mbizotëron te bizneset në verën e këtij viti. Për të dytin muaj radhazi Banka e Shqipërisë thotë se besimi në ekonomi është në ulje, dhe në korrik ra me 1 pikë krahasuar me qershorin.
Rënia e besimit thuhet në vrojtim u ndikua nga të gjithë sektorët e biznesit, me goditjen më të fortë në ndërtim dhe tregti. Ndërkohë, besimi i konsumatorëve shënoi përmirësim, duke zbutur pjesërisht rënien e përgjithshme të treguesit.
Për shkak të uljes së kontratave për porosi për prona dhe rënies së aktivitetit ndërtues, një nga sektorët kryesorë të rritjes ekonomike, ai i ndërtimit ka ulur me 4.6% besimin në ekonomi. Ndërsa pritshmëritë për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rritje.
Sektori i dytë me pesimist është tregtia me rënie krahasuar me qershorin me 3.2%, e ndikuar kryesisht nga pritshmëritë për ecurinë e biznesit dhe punësimin. Impakt në këtë sektor kanë edhe presionet që vijnë nga tregu i huaj për shkak se lufta në Lindjen e Mesme në korrik rikthehu përsëri në çmime të larta lëndët djegëse, duke rritur automatikisht kostot e transportit.
Edhe pse në kulmin e sezonit turistik, besimi nga sektori i shërbimeve ra me 2.4% në korrik, pasi bizneset janë shprehur se prenotimet kanë shënuar rënie në raport me muajin paraardhës.
Qeveria është shprehur se turizmi është goditur nga imazhi negativ që kanë krijuar protestat, pasi kanë ulur ritmin e hyrjeve të vizitorëve si dhe kanë shtuar anulimet e rezervimeve. Në qershor numri i të huajve që erdhi në vend u rrit me vetëm 1.3%, shumë më pak se muajt e kaluar.
Sektori me uljen më të vogël, është industria me 0.8 pikësh përqindje, me më pak optimizëm për punësimin dhe çmimet.
Në kontrast me bizneset, konsumatorët u shfaqën më optimistë. Treguesi i besimit të tyre u rrit me 2.2 %, përmirësim që mbështetet nga vlerësime më pozitive për situatën ekonomike të vendit, financat familjare dhe gatishmërinë për të kryer blerje të mëdha.












Komente
Komento