Dy histori të rrënjosura thellë në kujtesën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare janë sjellë në ekran përmes animacionit. “Gjëmon” dhe “Librat e Dritës”, dy filma të shkurtër të realizuar nga Mauro Zaçe dhe Andamion Murataj, patën premierën e tyre në Tiranë, në kuadër të programit “Heritage is our Brand”.
“Ideja e këtij projekti është që njerëzit të dëgjojnë historitë tona unike dhe t'i lidhin ato me vendet ku kanë lindur. Trashëgiminë ta kthejmë në ‘storytelling’ dhe në produkte kulturore e turistike.”, tha Eva Kushova, drejtore ekzekutive e DMO Albania.
Filmi “Gjëmon” i Mauro Zaçes risjell një nga ritualet më të veçanta të trashëgimisë jomateriale shqiptare – Gjamën e Burrave. Përmes një gjuhe poetike dhe animacionit ekspresionist, dokumentari nuk synon të dokumentojë ritualin në mënyrë klasike, por të përcjellë emocionin, dhimbjen dhe solidaritetin që shoqëron këtë traditë shekullore të Malësisë.
Ndërsa “Librat e Dritës”, një rrëfim i animuar nga Andamion Murataj, sjell në qendër historinë e shpëtimit të Kodikëve të Beratit, një prej thesareve më të çmuara të trashëgimisë botërore.
“Më shumë se vlera e jashtëzakonshme e vetë kodikëve, më kanë bërë përshtypje sakrifica ndër shekuj të qytetarëve të Beratit për shpëtimin e Kodikëve të Beratit. Ky rrëfim u ndërtua për t’u ofruar të rinjve një histori të traditës të rrëfyer me gjuhën vizuale dhe teknologjitë që ata ndjekin sot masivisht on line. Më tepër se një film i shkurtër, ky është një rrëfim me mjetet e inteligjencës artificiale, që shpresoj të shërbejë si pikënisje për një film më të plotë në të ardhmen.”, tha regjisori Andamion Murataj.
Bazuar simbolikisht në një shkrirje të farëhedhësit te David Selenicasit me figurën e Skuripekut, një prej shpëtimtarëve të dokumentuar të kodikëve të Beratit, ky rrëfim fokusohet në heroizmin e qytetarëve që rrezikuan jetën për të mbrojtur dorëshkrimet e rralla gjatë pushtimeve. Në bashkëpumin me Ryan Johnson, artist vizual në Hollivud dhe ekspertin e e tekonologjisë, Tomi Kallanxhin, rrëfimi ndërtohet me teknika moderne animacioni dhe është menduar veçanërisht për audiencat e reja.
“Inteligjenca artificiale mund të jetë një mënyrë e re për t’i afruar të rinjtë me historinë dhe kulturën. Duke aplikuar perdorimin e AI, ata jo vetëm fitojnë aftësitë teknike, por edhe kërkojnë, hulumtojnë dhe e kuptojnë më mirë të kaluarën. Kjo është një mundësi që histori si kjo të tregohen në mënyrë moderne, interaktive dhe më pranë brezit të ri, dhe pse jo nga vetë të rinjtë.”, tha eksperti Kallanxhi.
Historiani Andi Pinari vlerësoi të dy produksionet si një mënyrë të re për të promovuar historinë shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore është elementi që i jep identitet vendit dhe duhet t'u përcillet brezave të rinj në forma bashkëkohore.
“Shpeshherë moderniteti na merr përpara edhe ne shumë elementë të traditës i hedhim mënjanë si të vjetra dhe vjen një kohe që i rivlerësojmë. Në këtë kuptim, unë mendoj që ky projekt, në një mënyrë ose një tjetër na rikthen disa tradita që e bëjnë Shqipërinë të veçantë. Përmes filmave të tillë, këto histori mund të jetojnë edhe tek brezat e rinj.”, tha Pinari.
Të dy filmat janë pjesë e 15 projekteve fituese të skemës së granteve të vogla “Heritage is our Brand”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub, me synimin për ta sjellë trashëgiminë kulturore shqiptare më afër publikut përmes artit dhe teknologjisë.
Komente










