Big Basta: Kalaja e Likursit, aty ku
unë dhe Vesa do të kurorëzohemi

Big Basta: Kalaja e Likursit, aty ku<br />unë dhe Vesa do të kurorëzohemi
“Jam shumë i lumtur që do të martohem me njeriun që dua”, kaq do të mjaftonte për të kuptuar se dashuria e tyre tashmë do të kurorëzohet në të njëjtën datë që u ngjiz. Bëhet fjalë për çiftin Vesa Luma dhe Big Basta (Geri Xhari) të cilët më 12 Shtator do të kurorëzojnë martesën në Kalanë e Likurist në Sarandë, në një ceremoni të veçantë, ku traditat shqiptare dhe ata kosovare do të jenë në çdo detaj. Edhe pse kanë ngelur dhe pak ditë nga kurorëzimi, Bigu na tregon se edhe gjatë kësaj kohe ai po punon shumë për projektin e tij, ngritjen e MCN Radio në Tiranë, radio e parë shqiptare e cila do të dëgjohet edhe jashtë territorit shqiptar dhe do të jetë një stimul për të gjithë talentet e reja. Ai në këtë rrëfim ndalet edhe tek arsyeja se pse zgjodhi qytetin e Sarandës për ceremoninë martesore. “Kemi një lidhje shpirtërore me atë qytet dhe është vendi i duhur ku unë dhe Vesa të kurorëzohemi”, përfundon Big Basta.
 
Radio e parë shqiptare hip-hop. Çfarë do të thotë për ju, na rrëfeni disa detaje mbi këtë projekt?
Në fakt, kjo radio  MCN Radio nuk do të marrë atributet si radio e parë 24/7 hip-hop në Shqipëri, por në të gjithë ballkanin. Është një projekt që ka një vit që ka filluar dhe më në fund jemi në prag të finalizimit. Kjo radio do të transmetojë muzikë të zgjedhur të huaj dhe shqiptare, gjithmonë përsa i përket rrymës hip-hop dhe degëzimeve të saj (rnb, dubstep, grime, si dhe rryma geggae dhe dancehall).
 
Ku qëndron e veçanta e këtij projekti, është kjo një lidhje shpirtërore me muzikën hip-hop?
E veçanta nuk qëndron vetëm në lidhjen shpirtërore, pasi atë e kam treguar shpesh me punimet e mija muzikore. Kjo radio do të ketë emisione të cilat fokusohen tek tematikat sociale, si dhe promovimi i artistëve të rinj të cilët me të vërtetë do e meritojnë të jenë pjesë e kësaj kulture që ka revolucionuar gjithë botën.
 
Çfarë do të sjell kjo radio në Shqipëri, cilët janë pritshmëritë tuaja në këtë projekt?
Pritshmëritë e mija janë pozitive për nga predispozita e këtij projekti. Pritet që në të ardhmen të jetë e dëgjuar në të gjithë vendin, pasi momentalisht do të transmetohemi vetëm në Shqipërinë e mesme, për shkak të frekuencës me karakter lokal. Dhe ajo çka është më kryesorja për të gjithë është se, do jetë një vend i ri punësimi për të rinjtë që duan të bëhen spikere ose ideatore emisionesh dhe projektesh.
 
Hip –hopi në Shqipëri nuk po njeh dhe shumë zhvillim. Ju si e shikoni?
Unë e shikoj kështu. Rryma hip-hop ka vite që dominon tregun shqiptar dhe është rritur mjaftë në kualitet muzike, por ka një regres të madh në kualitet teksti. Platformat promovuese shqiptare që ekzistojnë në youtube pasurohen prej antivlerave dhe këngëtarëve momentalë sepse pak i intereson cilësia, por vetë, të ardhurat. Kanë arritur deri në pikën e promovimit të pseudotalenteve të cilët janë shkaktar në këtë regres, dhe sërish këtyre kompanive, pak i intereson kjo pjesë.
 
Ajo çka e bën të veçantë karrierën tuaj është dhe fejesa me Vesën. Ju ka bashkuar më shumë muzika?
Muzika është ajo që më ka bashkuar me shumë miq e shokë, por përveç asaj, me Vesën më ka bashkuar kërcimi. Ishte një histori dashurie me shikim të parë, frytet e së cilës po i shijojmë edhe sot.
 
Data 12 shtator tashmë pret një tjetër dasmë. Na tregoni disa detaje?
Data 12 Shtator është datë e shenjtë për ne sepse propozimi për fejesë është bërë me 12/12/2012 dhe nuk kishte si të zgjidhnim datë tjetër përveç saj. Detaji më kryesor i gjithë ceremonisë është se, jam shumë i lumtur që do të martohem me njeriun që dua!
 
Është e vërtetë që Saranda do të jetë edhe vendi ku do të kurorëzoni dashurinë tuaj?
Saranda është qyteti ku do të organizohet ceremonia si edhe darka. Kemi një lidhje shpirtërore me atë qytet dhe është vendi i duhur ku unë dhe Vesa të kurorëzohemi. “Kalaja e Likursit”, konkretisht do të jetë vendi i organizmit.
 
Vesa ka një karrierë të konsoliduar në Kosovë. Do ta ndani jetesën mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Kosova dhe Shqipëria tashmë janë shumë afër. Edhe pse nuk kemi ndonjë plan konkret për mënyrën e bashkëjetesës (sepse kështu bëjnë të dashuruarit), prapë nuk do të ishte problem se ku do të jetonim, pra në cilin vend.
 
Karrierë juaj muzikore duket se ka rënë pak qetësi. Po punoni për një bashkëpunim të ri?
Përkundrazi! Gjatë gjithë kohës po publikoj këngë, klipe dhe tekste të shumta për artistë të tjerë dhe për veten. Por, arsyeja se pse po e drejtoni (me të drejtë) këtë pyetje është se kurrë nuk kam pranuar të bashkëpunoj me platforma dhe kompani online që të promovojnë këngët dhe punimet e mija. Kjo për shkakun se, nuk i besoj fort statistikave të ofruara nga këto kompani dhe nuk do e duroja faktin që të bliheshin klikime për mua. Kjo ishte sa për onlain, ndërsa për televizion jam gjithmonë aty dhe falenderoj të gjithë ata që vërtet e duan atë që bëj dhe atë që sjell sepse në fillim e bëj për pasion dhe pastaj për të jetuar.
 
Cilat janë projektet në vazhdimësi?
Të shumta...Që nga radio e deri tek albumi im i tretë që do të titullohet “E 3Ta E Vër8a”. 

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla