Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka zhvilluar ditën e sotme konferencën e fundvitit me gazetarët. Sadushi ka ngritur dhe njëherë si problematikë mungesën e gjyqtarëve teksa tha se sot sistemi funksionon me 110 gjyqtarë më pak.

Sadushi kërkoi që të merren masa konkrete për të korrigjuar kuotat e pranimit në shkollën e magjistraturës, sepse sipas tij, parashikohet që nga kjo shkollë deri në vitin 2028, të dalin “jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”.

“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë përballë 417 të parashikuar, çka domethënë sistemi funksionon me 73.6% të kapacitetit të tij. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga shkolla e magjistraturës parashikohet që të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj.

Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Të merren masa konkrete për korrigjimin e kuotave të pranimit në shkollat e magjistraturës. Në këtë atmosferë presioni strukturor, GJL ka garantuar funksionimin e sistemit përmes përgjegjësisë institucionale dhe punës intensive”, tha Sadushi.

Sadushi gjithashtu foli edhe për rekurset, të cilat në të shumtën e rasteve refuzohen. Një shqetësim që ai ngriti është fakti që ende rekurset nuk bëhen në formatin që kërkon ligji.

“Rekursi është shumë i standardizuar, nuk mund të vijë çdo çështje në Gjykatën e Lartë, nuk mund të kërkohet cdo pretendime në Gjykatën e Lartë. Për fat të keq në rekurset që unë kam përmendur si rekurse të pasuksesshme është kjo arsyeja, që shkaqet që bazojnë rekursin nuk janë në përputhje me standardet që kërkon ligji. Gjykata kur shikon që shkaqet e paraqitura nuk përputhem me ato tre shkaqet ligjore, vendos papranueshmërinë e tij”, tha Sadushi.

Ai u shpreh se rekurset më të pasuksesshme janë ato me palë shteti.

“Administrata publike ka një numër të lartë të çështjeve në raport me individin. Pra rekurset me më shumë mossukses vihen re rekurset me palë shteti”, tha Sadushi.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:48
Kreu i GJL konferencë me gazetarët, Sadushi: Jam kritik për mënyrën si po zbatohet Reforma në Drejtësi, sistemi nuk po funksionon siç duhet

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi në konferencën e fundvitit me gazetarët, ka kritikuar mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Sadushi tha se sistemi nuk po funksionon siç duhet duke ngritur si shqetësim numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës.

“Unë nuk mund të shprehem pozitivisht për çdo gjë që po ndodh. Unë do ta mbroj atë që kemi hartuar, por mund të jem kritik ndaj mënyrës si po zbatohet reforma në drejtësi. Kam qenë i kujdesshëm, por edhe kritik, për arsyer se sistemi nuk po funksionin siç duhet. Nuk ka një planifikim të qartë nga organet e drejtësisë se ku do të shkohet.

Unë e kam ngritur problematikën e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës.

Është e papranueshme dhe unë kam qenë kritik ndaj KLP dhe KLGJ që në numrin e planifikuar të kuotave vitin e kaluar nga 40 kaloi në 20 dhe këtë vit e kaloi në 10 gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo tregon për një mungesë vizioni në planifikimin e çështjeve“, deklaroi Sadushi.

Sipas tij, reforma duhet të zbatohet me sa më pak dëme, por pavarësisht kritikave u shpreh optimist se reforma po ecën.

“Unë do të përpiqem të jem realist në kritikat e mia, por kam detyrë të ngre zërin ne emrin tim, por edhe asaj që përfaqësoj që kjo reformë duhet të zbatohet me sa më pak dëme. Unë jam optimist për mënyrën si po zbatohet. Pavarësisht kritikave, reforma po ecën. Një gjë është e rëndësishme që kjo reformë po funksionon. Kjo na bën të ndihemi edhe më krenarë për atë punë që kemi bërë, por edhe të jemi kritike, sepse pjesa me kritike është gjykimi i çështjeve brenda afateve”, tha ai.