Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit, ku po bën një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 dhe prioriteteve të qeverisë për periudhën në vijim. Nga 1 janari paga minimale do të rritet nga 400 euro në 500 euro, tha kryeministri Rama duke theksuar përmbylljen e vitit me një rritje ekonomike me 3.9%. Sa i takon arsimit, Rama tha se nga shtatori 2026 do të mundësohet transporti për shkollat.
Po ashtu, kryeministri u ndal edhe në çështjen 'Balluku', ku tha se nuk do të mbajë asnjë fjalë avokatie. I pyetur nga gazetarët nëse vetë kryeministri po mban qëndrim ndryshe për Belinda Ballukun nga rastet e tjera kur zyrtarë të PS-së janë ndodhur përballë SPAK, Rama e mohoi duke thënë se bëhet fjalë për një rast të veçantë që ka prekur pushtetet.
Edi Rama tha se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK dhe se prokurorët e Posaçëm nuk mund të vijnë në Kuvend me një USB të pretenduar se përmban 16 mijë faqe me prova. Ai tha se në atë USB ka vetëm dokumente zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës dhe asnjë provë që dëshmon pretendimet apo akuzat.
“Askush dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Por ky rast ndryshe nga raste te tjera sepse ka ardhur tek ne. Nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor të cilin si shumë raste të tjera prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushtetit legjislativ duhet të shprehet. KM nuk është zyrë noterie dhe parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. Nuk do të doja ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon dhe më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do të t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni e një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e ka të qartë përgjigjen për të gjithë zërat që i kërkojnë dorëheqjen pas hetimit të Belinda Ballukut apo tenderët e AKSHI-t. Deri në 2029, Rama theksoi se nuk ka asnjë dorëheqje, por do të qëndrojë qeveria e PS me 83 mandate.
Lajmi në përditësim...

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama komentoi dhe njëherë situatën në qytetin e Vlorës ku qytetarët prej 4 ditësh nuk furnizoheshin më ujë. Rama tha se problemi fatmirësisht u rregullua dhe kjo falë punës së kryebashkiakes, prefektes, drejtorit të AKUV dhe punonjësve të AKUV.
Rama u shpreh se defekti erdhi si pasojë e instalimeve të bëra në vitin 2009-2010, me pajise hidraulike jashtë standardeve. Ndër të tjera, Rama shtoi se problematikat me ujësjellësit janë ekzistente në të gjithë Shqipërinë duke thënë se AKUV është në proces reformimi.
“Më në fund u zgjidh problemi në Vlorë, ishte defekt i rëndë i ardhur si rezultat i një investime të bërë në vitin 2009-2010 me pajise hidraulike jashtë standardeve që mbajnë e më pas plasën. Pa dashur të them që problemt6aik e ujësjellësit është thjeshtë kjo. Falë punës së jashtëzakonshme të punëtoreve dhe qëndrimit ditë natë të kryebashkiakes, prefektes dhe drejtorit të AKUV që shkoi në Vlorë dhe falë faktit që mundëm të merrnim këto pajisje në Turqi, defekti u riparua. Ujësjellësi në gjithë Shqipërinë është një sektor që është në reformim me sipër dhe që kërkon investime, punë . E kemi gjetur më keq sesa vetë energjinë. Por me ndryshimet që kemi bërë, me sistemin e ri besoj që do të shkojë duke u përmirësuar dhe brenda kësaj dekade problemet e mëdha do të jenë mbyllur”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit tha për gazetarët se fjala nga aksionerët për hapjen e aeroportit të Vlorës këtë vit nuk u respektua, ndaj shpreson që të respektohet kontrata.
“Ka pasur një konflikt mes aksionerëve, që kanë arsyet dhe dinamikat e tyre, por puna ka vazhduar dhe ne dëshirojmë të respektohet kontrata. Dëshiroja të respektohej fjala sipas të cilës aeroporti do hapej këtë vit. Fjala s’u respektua. Tani të respektohet letra, që është pranvera e vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit 2026 e gjithë Kadastra do të jetë e digjitalizuar. Rama tha se deri më tani janë digjitalizuar 80% të kartelave të pronësisë, ndërsa shton se është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara.
“Përsa i përket çështjes së pronës, ky vit ka qenë realisht i suksesshëm në raport me objektivat në të gjitha drejtimet se ndryshe nuk do të kishim hapur gjithë atë kapituj. Ka qenë i suksesshëm dhe për Kadastrën. Është skanuar përfundimisht 100% dokumentacioni rreth 54 mln faqe, është përmbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë dhe mbyllet përfundimisht në 2026 me 4 mln kartela të digjitalizuara. Do të nisë digjitalizimi i hartave kadastrale. Në fund të 2026 do t kemi një kadastër digjitale dhe do të kemi shërbime më të shpejta dhe cilësore. Është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e ka të qartë përgjigjen për të gjithë zërat që i kërkojnë dorëheqjen pas hetimit të Belinda Ballukut apo tenderët e AKSHI-t. Deri në 2029, Rama theksoi se nuk ka asnjë dorëheqje, por do të qëndrojë qeveria e PS me 83 mandate. Rama tha se AKSHI është institucion krenarie dhe renditi të gjithë sukseset e AKSHI-t. Rama tha se AKSHI është ndihmë për integrimin në BE, ndërsa shtoi se në shkurt pritet të lançohet e-Albania 2.0.
“Këtë sukses nuk e solli koha, por kjo qeveri, Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim u mblodh Europa politike në sheshin Skënderbej. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo. Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike e mediatike kur erdhën. Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë e kësaj force politike, juve e keni parë reagimet e të tjerëve kur ju preket floku. Por s’keni për të dëgjuar nga unë, jo sharje e akuza, por as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe të presionit dhe kërcënimit të këtyre organeve. Ky është proces i pashmangshëm, i domosdoshëm që ka problematik e veta. Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenari për ne, që të jemi të qartë bashkë. Krenarie, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, kur duhej të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letre atje se s’kishin nga e merrnin. 620 mld lekë, që janë 620 mln euro, ka kursyer akshi për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI, 33 mln euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 mln shërbime të ofruara, 12 mln dokumente elektronike të gjeneruara. Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim aq shpejt me integrimin është AKSHI, kemi krijuar me diellën. Skuadra e AKSHI-it ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së. Në shkurt do dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem. Prandaj shqiptarët votojnë PS, nuk votojnë as patronazhistët, as bandat, por shqiptarët, prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS se nuk gdhihen me buzën në tenxheret politike e meidatike dhe nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh ata e shohin nga më larg dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë loje bëhet. Në 2029, do llafosemi prapë, të tjerat secili bën punën e vet, shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Dhe sa pika shiu ka këtu, secila pikë bën punën e vet. Deri në 2029 me qeverinë e PS me 83 mandate në Kuvend”, tha Rama.
Referuar pyetjes lidhur me çështjen e Belinda Ballukut dhe të tjerë zyrtarëve të lartë të PS-së që janë nën hetim nga SPAK, Rama tha se nga 3 mandatet e PS-së 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Rama tha se akuza “shpërdorim detyre” është një nocion i cili duhet të rishikohen për tu specifikuar referuar këtu dhe kërkesës së bërë nga BE.
Referuar këtyre rasteve, Rama tha se SPAK ka dhënë dënime skandaloze, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore. Rama tha se mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe, pavarësisht se janë pjesë e procesit. Kryeministri u shpreh se opozita e prezanton Shqipërisë si vendin më të korruptuar në botë, por sot dënimet për këtë rast, janë shumë herë më të ulëta se rastet nën hetim, duke thënë se kemi zvarritje të hetimeve dhe çështjeve nga SPAK.
“Sesa e shëmtuar dhe e ligë është gjithë kjo tymnajë sipas të cilës Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit, dhe po i referohem rasteve të institucioneve që merren me korrupsion. Korrupsioni është një vepër më vete. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE se është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthyer me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot të një prokuro të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar ë mënyrë të paligjshëm apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë.
Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të 2? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion. A është e mundur që ky vendi më i korruptuar në botë. Çfarë do të thotë mesazhe, qëkur mesazhet janë prova? Dhe qëkur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm. Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgun ka evidentuar gjëra të rënda. Jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar këto fenomene shkon në atë drejtim”, tha Rama.
Duke folur për sistemin e drejtësisë, kryeministri Edi Rama u ndal në konferencën e fundvitit edhe në numrin e lartë të të paraburgosurve. Rama tha se Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Europës. Ndalur në shifra, Rama tha se aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4 492 persona, ndërsa vetëm 1 895 prej tyre janë të dënuar.
“Numri i njerëzve që gjenden në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetutës dhe Konventës europiane për të drejtat e njeriut, është më i madh se numri i atyre që janë në burg të dënuar. Këta janë të pafajshëm sipas kushte dhje kon, por janë në burg. Ne kemi 4 mijë e 492 qytetarë në burgjet shqiptare, a e besoni dot që vetëm 1895 janë të dënuar. Çfarë është kjo? Nuk po hy tek tjetra, jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua. Kemi 1895 të dënuar dhe 4992 të burgosur, në Shqipëri falë edhe tenxhereve politike e mediatike nuk ka ta pafajshëm. Por ka të dënuar, para se të dënohen që në momentin që dyshohen, e kuptoni çfarë është kjo, për një vend që e ka kaluar njëherë këtë traumë. Kjo shifër tregon që në Shqipëri, probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dënuar ëhstë më i lartë se probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Nuk është kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër jeni apo s’jeni fajtor. Nuk po flasim për ata që janë në kalvarin e tenxhereve, njerëz të zakonshëm të këtij vendi kalojnë në atë kalavar, ose nxirren se iu ikin afatet e paraburgimit, ose dalin të pafajshëm. Ca ngelet, ca është kjo histori, si qenka kjo që në një vend në mes të europës, individi mos të ketë të drejtën e një gjyqi”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse vetë kryeministri po mban qëndrim ndryshe për Belinda Ballukun nga rastet e tjera kur zyrtarë të PS-së janë ndodhur përballë SPAK, Rama e mohoi duke thënë se bëhet fjalë për një rast të veçantë që ka prekur pushtetet.
Edi Rama tha se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK dhe se prokurorët e Posaçëm nuk mund të vijnë në Kuvend me një USB të pretenduar se përmban 16 mijë faqe me prova. Ai tha se në atë USB ka vetëm dokumente zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës dhe asnjë provë që dëshmon pretendimet apo akuzat.
“Askush dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Por ky rast ndryshe nga raste te tjera sepse ka ardhur tek ne. Nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor të cilin si shumë raste të tjera prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushtetit legjislativ duhet të shprehet. KM nuk është zyrë noterie dhe parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. Nuk do të doja ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon dhe më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do të t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni e një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova.
Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda. 16 mijë faqe janë një vadat me dokumente zyrtarë dhe kjo është afër mendsh ska nevojë ta shohësh. USB e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe as avokati ministres. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta. Nuk kemi të bëjmë me ndryshim qëndrimi, kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur shumë korrekt sepse rasti vjen në parlament. Dhe përpara se të vinte në parlament, rasti erdh i u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv me një kërkesë skandaloze për pezullim e pa ndodhur në historinë e botës. Në parlament do të mbajmë qëndrim”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ironizoi protestat e opozitës poshtë kryeministrisë.
“Protestave që do bëhen poshtë penexheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë në zyrë dhe PS në qeveri, të tjerët poshtë penxheres sime në rrugë. Kjo është zgjedhja e tyre, skam asnjë problem me këtë. Në liritë njerëzore Shqipëria është në një vend dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, ca problemi kam unë me këtë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK nuk është opozita e qeverisë.
“SPAK nuk është opozita e qeverisë, është institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga ne, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot sepse votat i kemi ne. Është institucion që bën punën e vet. Nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, opozita politike, bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë. Natyrisht, 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin dhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta, për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut që shurdhon publikun me presionin e vet dhe dezinformon publikun thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe. Është neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë. Nuk dinë ta mundin PS. Askush nuk bën analizë lidhur me cila është e vërteta në gjithë punën e SPAK? Sepse e vërteta është ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punë së SPAK”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama solli në fokus sulmin kibernetik që iu bë Shqipërisë këtë vit nga Irani. Rama theksoi se asnjë sulm deri më sot nuk ka arritur të thyejë apo të depërtojë sistemin mbrojtës duke theksuar se Shqipëria është vendi me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike.
“Patëm një sulm të egër nga bota e terrorit kibernetik që për fat të mirë nuk arriti të shkatërronte infrastrukturën tonë digjitale. Kemi investuar në mënyrë inteligjente në mbrojtjen kibernetike. Sot jemi një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike. Asnjë sulm deri në momentin të flasim nuk ka arritur të penetrojë murin mbrojtës që i është ngritur murit tonë të infrastrukturës publike digjitale”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës vjetore për shtyp tha se turizmi ka pësuar një rritje në krahasim me vitin 2024.
“Te turizmi kemi një zhvillim tjetër në krahasim me vitin 2024, një rritje me 7% sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse, në 9 mujorin vlerësohen rreth 4.4 miliardë euro. Kemi patur një rritje të plazheve publike, 18% plus ose 1.1 milionë metra plazhe publike të shtuara. Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014. Ndërkohë kemi vazhduar punën për sezonin e ardhshëm me disa risi pozitive në këtë drejtim", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit deklaroi se viti 2025 ka shënuar “rilindjen e industrisë ushtarake” në Shqipëri, duke theksuar se vendi po rikthen bazën e vet industriale, e cila sipas tij u çmontua në fillim të viteve ’90.
Rama deklaroi se Shqipëria ka “ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë”, ndërsa qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave me synimin që ato të afrohen me mesataren e ushtrive të NATO-s. Ai përmendi gjithashtu pajisjen e vendit me sistem raketor, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia dhe radarë të rinj vëzhgimi ajror në bashkëpunim me Francën.
Shefi i qeverisë tha se duke nisur nga 2026, Shqipëria do të prodhojë dronë, mjete të blinduara, unfiroma ushtarake apo sisteme antidron. Rama shtoi se është ndarë fondi dhe shumë shpejt do blihen dy avionët e parë zjarrfikës.
“Ky vit ka qenë viti i rilindjes së industrisë ushtarake, që u çmontua në fillim të viteve 90 se na u tha që s’keni nevojë për këto se na keni ne. Të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë, ndërkohë që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendencë në rritje të qasjes së të rinjve ndaj FA, ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati, janë 721 rekrutë të rinj që i janë bashkuar FA vetëm këtë vit. Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë. Do vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë sepse ambicia jonë është që të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s sa i përket mbështetjes financiare. Ky vit na gjen me sistem raketor, me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën. Shqipëria vend prodhues i kapaciteteve ushtarake, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake. Janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes Made in Albania. Do prodhojmë uniformat në vendin tonë dhe do ta bëjmë pikë referime për të prodhuar uniforma edhe për të tjerët. Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por me një marrëveshje kontraktuale me një manifakturë private. Do prodhojmë mjete të blinduara, autoambulanca, do prodhojmë dronë luftarak dhe sistemet antidronë. 6 mujorin e parë të 2026 do shihen dhe produktet e para. Na akuzojnë për një kompani shtetërore që kemi ngritur për shtetin, e kemi ngritur që në çdo lloj qasje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet, jo siç ndodhte më parë, por tenxheret zien. Kemi vënë në dispozicion fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se për sektorin e shëndetësisë është parashikuar një fond i posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Rama bëri me dije vendimin për të njohur vitet e punës për punonjësit e shërbimit shëndetësor përsa i përket rritjes së pagave dhe shpërblimeve, si dhe bëri me dije rikonstruksionet e bëra përgjatë këtij viti në Shqipëri. Këtu theksoi se nga shtatori i ardhshëm në QSUT do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.
“Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes të kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit.
Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj. Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nga shtatori 2026 do të mundësohet transporti për shkollat. Rama tha se transporti për nxënësit dhe mësuesit do të bëhet me mjete ‘Made in Albania’.
“Më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim. Duke nisur nga fuqizimi I sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 numri laboratorëve inteligjentë. Do punohet për të patur 1000 brenda vitit 2027. Që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe nxënësit. Ndërkohë ka vijuar ndërtimi infrastrukturës arsimore.
Ka nisur projekti i transportit, besojmë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm arsimor do të futen në të gjithë sistemin. Është nënshkruar marrëveshja për smart city. Projekti francez në Korçë, ka avancuar pozitivisht është bërë gati struktura dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Ndërkohë është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla. 839 është numri I punonjësve sociale, mekanizëm për komunikim të drejtpërdrejtë mësues nxënës.
Ka nisur rishikimi i kurikulave. Klasat I, VI dhe X nisin me kurikul të re vitin e ardhëm. Në arsimin e lartë janë bërë investime që vijojnë. Ka përfunduar faza e parë për studiot që do marrin pjesë në konkursin për universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, janë 40 kompani që kanë shprehur interes. Vijon transformimi i Bujqësorit në Tiranë, për diploma te njehsuara me Universitetin e Bokut. Janë 252 projekte, ku numrin më të madh e ka Universiteti i Tiranës”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit, Rama ka bërë një përmbledhje përsa i përket sektorit ekonomik. Rama specifikoi përmbylljen e vitit me një rritje ekonomike me 3.9%, rritjen e pensioneve duke vijuar dhe vitin e ardhshëm, përfshirë këtu dhe pagën minimale, rritjen e investimeve të huaja dhe të bizneseve të reja.
“Parashikohet që viti të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9% që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë pellg ë gjendemi ne. Bizneset e reja janë shtuar me 20% në 11 mujorin e vitit. Investimet e huaja vetëm ne 3mujorin e 3-të kanë rritje me 10% dhe stoku i investimeve të huaja është domethënës më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm. Paga mesatare në 3 mujorin e 3-të ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë dhe hyrjen në fuqi të pagës minimale që shkon në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish. Kontributet për këta punonjës për 9 muaj do tëe paguhen nga punëdhënësit. Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i radhës i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri nis dhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar vit pas viti. Duke filluar nga janari pensionet do të rriten përtej indeksimit. Pensioni urban me vite të plota pune duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe do të dyfishohet në vitin pasardhës.
Në arsimin profesional kemi arritur në afro në 20% duke shënuar një rezultat të ri pozitiv. Punësueshëmëria e nxënësve të arsimit profesional është e lartë. Për vitin 2024 kemi pasur 63% të punësuar nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur dhe do të rritet më shumë vitin e ardhshëm. Përsa i përket borxhit kemi vazhduar të kemi ulje dhe këtë vit borxhi ulet, ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje ku Shqipëria pas shumë vitesh në B+ ka kaluar në BB. Janë miratuar disa politike të reja qoftë për paketën fiskale me marrëveshjen e paqes fiskale dhe ligjin për faljen e detyrimeve të prapambetura. Është gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe bujqësinë që ka filluar të japë efektet e para. Edhe sipas vlerësimit të Sigmas, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria konsiderohet vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike si menaxhimi i financave publike, shërbimeve publike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë konferencës së fundvitit se qeveria ka hapur një kapitull të ri sa i përket reduktimit të përdorimit të cash-it në ekonominë shqiptar. Sipas tij, objektivi është që brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në vend duhet të ofrojë mundësi pagese elektronike, në mënyrë që qytetarët dhe vizitorët të mund të paguajnë jo vetëm me para në dorë, por edhe me kartë. Ndërsa brenda qershorit 2026, bizneset e turizmit dhe të transportit duhet të garantojnë format alternative të pagesave.
“Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim. Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës. Që vendas apo vizitorë të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit me gazetarët. Rama u ndal edhe tek vlerësimet ndërkombëtare për Shqipërinë në raport me liritë ekonomike dhe njerëzore, duke përmendur Indeksin e Lirisë ekonomike e njerëzore të publikuar nga Instituti amerikan Cato. Rama tha se Shqipëria është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës Lindore.
“Instituti amerikan Cato që është institut i mirënjohur dhe publikon edhe Indeksin lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike dhe më vjen mirë të ndaj me ju që Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues dhe është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës lindore, ku sa i përket lirisë ekonomike rendit para vendeve si Polonia, Bullgaria, Kroacia e kështu me radhë dhe për lirinë njerëzore”, tha Rama.
Komente












Nuk eshte i pergjegjshem ne ato qe thote. Ne jemi popull shume fatkeq.
Përgjigjurrej rrej sa me shume rrena aq me shume te besojne
Përgjigju