Kryeministri Edi Rama e ka të qartë përgjigjen për të gjithë zërat që i kërkojnë dorëheqjen pas hetimit të Belinda Ballukut apo tenderët e AKSHI-t. Deri në 2029, Rama theksoi se nuk ka asnjë dorëheqje, por do të qëndrojë qeveria e PS me 83 mandate. Rama tha se AKSHI është institucion krenarie dhe renditi të gjithë sukseset e AKSHI-t. Rama tha se AKSHI është ndihmë për integrimin në BE, ndërsa shtoi se në shkurt pritet të lançohet e-Albania 2.0.

“Këtë sukses nuk e solli koha, por kjo qeveri, Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim u mblodh Europa politike në sheshin Skënderbej. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo. Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike e mediatike kur erdhën. Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë e kësaj force politike, juve e keni parë reagimet e të tjerëve kur ju preket floku. Por s’keni për të dëgjuar nga unë, jo sharje e akuza, por as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe të presionit dhe kërcënimit të këtyre organeve. Ky është proces i pashmangshëm, i domosdoshëm që ka problematik e veta. Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenari për ne, që të jemi të qartë bashkë. Krenarie, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, kur duhej të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letre atje se s’kishin nga e merrnin. 620 mld lekë, që janë 620 mln euro, ka kursyer akshi për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI, 33 mln euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 mln shërbime të ofruara, 12 mln dokumente elektronike të gjeneruara. Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim aq shpejt me integrimin është AKSHI, kemi krijuar me diellën. Skuadra e AKSHI-it ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së. Në shkurt do dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem. Prandaj shqiptarët votojnë PS, nuk votojnë as patronazhistët, as bandat, por shqiptarët, prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS se nuk gdhihen me buzën në tenxheret politike e meidatike dhe nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh ata e shohin nga më larg dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë loje bëhet. Në 2029, do llafosemi prapë, të tjerat secili bën punën e vet, shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Dhe sa pika shiu ka këtu, secila pikë bën punën e vet. Deri në 2029 me qeverinë e PS me 83 mandate në Kuvend”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari