Operatorët e Shërbimit Urban i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës deri në dyfishim të saj për shkak se vetëm kështu sipas tyre mund të mbulohen kostot.Ata kërkojnë që çmimi për transportin urban të bëhet 70 lekë, në të kundërt kërcënojnë me pezullim të aktivitetit.

Ndërkohë këtij "kërcënimi" të shoqatës i është përgjigjur menjëherë kreu i Bashkisë i cili ka qënë mjat i prerë në përgjigjjen e tij"Sa të jem un kryetar Bashkie ka thënë ai nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës në kryeqytet.-ka thënë Veliaj 

“Takimet me Veliajn janë optimiste por s’është bërë gjë. Operatorët në vështirësi rrezikojnë të mbylljen. Nëse bashkia hesht, do ndërpresim aktivitetin”, shprehet nga Shoqata e Transportit Qytetas. Ndërkaq, operatorët thonë se “Nëse nuk rritet çmimi, ne do të pezullojmë aktivitetin. Kostot tona mbulohen me çmimin 70 lekë. Qytetarët të mirëkuptojnë çdo zgjidhje tonën. Tarifa e vjetër është zhbërë nga qeveria Berisha”. Ndërkohë Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj i ka quajtur këto kërkesa të çuditshme. Gjatë një aktiviteti me Këshillin e fëmijëve, Veliaj paralajmëroi se pasi të mbarojë takimin me ta do të flasë me gazetarët për autobusët. “Do flas me gazetarët për autobusët për disa kërkesa të çuditshme që kemi dëgjuar sot”, tha Veliaj. 

Prononcimi i plotë i kryebashkiakut      
Në dallim nga ata që ishin këtu para meje, unë hipi vetë në autobus. Historinë e shërbimit të autobusëve në Tiranë nuk e njoh me shkresa, por nga përdorimi që kam bërë vetë, por nuk më rezulton se shërbimi është i justifikuar për kërkesën që bën Shoqata e Autobusëve që kosto e biletës të jetë 700 lekë. Të kërkosh sot, në prag të festave, kosto 700 lekë biletën, do të thotë që është më shumë se sa dyfishi i çmimit të biletës. Unë i kuptoj vështirësitë e tyre, ankesat e tyre, kreditë që mund të kenë nëpër banka, koston e rritur të naftës, të gjitha problemet që kanë pasur me kryetarin e kaluar të Bashkisë, por kjo nuk është një arsye për të bërë kërkesa të tilla, totalisht jo racionale dhe absurde.

Sa të jem unë kryetar bashkie ta harrojnë biletën 700 lekë! Këtë nuk e them si kundër-kërcënim, por sepse nuk besoj se mënyra e komunikimit është me ultimatum. Jam shumë i hapur të filloj një proces diskutimi me ta, duke filluar që nesër. Sot ishte momenti i parë që dëgjuam për këtë kërkesë. Ne kemi qenë të hapur për të diskutuar me ta, i di të gjitha argumentet, edhe sa është çmimi i biletës në Prishtinë apo në vende të tjera. Megjithatë, nuk gjykoj se Tirana është gati sot për të përballuar çmime të tilla.

Unë nuk jam kryetar bashkie as i Prishtinës, as i Beogradit, nuk e di me çfarë mënyre janë marrë ato vendime, ata kanë bërë kalkulimet e tyre. Nuk besoj se Bashkia e Tiranës duhet të rrisë çmimin pa pasur përmirësim cilësor të shërbimit dhe kur disa herë bashkia është detyruar t’u vërë gjoba kompanive të autobusëve, të cilat nuk respektojnë oraret dhe ecin ngadalë për të maksimizuar sasinë e njerëzve që marrin në autobus.

Ende nuk kemi marrë prej tyre një përgjigje nëse janë dakord me propozimin e Bashkisë, për të kaluar te bileta elektronike, e cila është një mënyrë transparente dhe moderne e mënyrës se si menaxhohet transporti publik në qytetet e tjera. Ende nuk kemi vendosur për linjat e reja. Kemi bërë një studim, ku po përfshihen edhe ekspertë francezë dhe disa bashkive të tjera ndërkombëtare, se si do të rikonceptohen linjat e reja, duke qenë se sot qyteti nuk është më Tirana e vjetër e 11 minibashkive, por është 1130 kilometra katrorë. Kjo do të thotë se shërbimi urban do të duhet të zhvendoset sipas zonave dhe një zonimi në të gjitha pjesët e qytetit, ndaj e thënë shkurt dhe troç: Jo! Kjo lloj negociate, o 700 lekë ose ne pezullojmë shërbimin, nuk është mënyra e drejtë për të komunikuar. Por, nëse duan të komunikojnë me Bashkinë e Tiranës, i pres që nesër në një diskutim apo në një negociatë, por bileta 700 lekë, sa të jem unë në Bashkinë e Tiranës është totalisht e panegociueshme!

Jam i hapur të flasim për mënyra të tjera se si ata mund të rrisin cilësinë e shërbimit, por rritje çmimi në prag të festave dhe kërcënime për ndërprerje të aktivitetit ku dhjetëra, mijëra qytetarë të Tiranës mbështeten çdo ditë për të shkuar në punë dhe për të kryer nevojat e tyre në qytet, kjo është e papranueshme. I ftoj që të kenë kërkesa të arsyeshme kur të vijnë nesër, por kjo është si të negociosh me terroristë, ose kaq o ‘rashë e vdiqa’, nuk funksionon. Njerëzit e arsyeshëm flasin me kërkesa të arsyeshme dhe anomalinë 4-vjeçare nuk mund t’ia kërkojnë një bashkie që ka vetëm 4 muaj në detyrë dhe që siç thashë, ka pretendime për mënyrën si ofrohet shërbimi i autobusëve në Tiranë.

Për sa kohë që nuk kemi një shprehje të qartë që janë dakord për biletë elektronike, për sa kohë që nuk kemi një shërbim në mënyrë të ndjeshme shumë më cilësor se ai që ofrohet sot në Tiranë dhe për sa kohë që nuk ka një dakordësi që qyteti do të risistemohet me linjat e reja që i përshtaten ndarjes së re administrative, nuk shikoj se si mund të bëhen kërkesa të tilla absurde.

Pyetje: Ku është referuar Transporti Qytetas Urban, për rritjen e çmimit prej 70 lekësh? Me sa jam në dijeni, i janë referuar pjesës së qyteteve të rajonit, siç janë Maqedoni, Mali i Zi, Serbia etj,. Cili do të jetë hapi kryesor i Bashkisë së Tiranës, mendimi juaj për këtë?

Së pari, argumenti i Transportit Publik, Shoqatës së Transportit dhe kompanive të autobusëve është ta bëjmë 700 lekë sepse 700 lekë e ka Prishtina, ta bëjmë 1 euro se aq e ka Beogradi, apo sa e ka Podgorica e Shkupi, kanë ngatërruar adresë. Unë nuk jam kryetari i Bashkisë së Prishtinës, as Shkupit, Beogradit apo Podgoricës, jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndaj ata bëjnë llogaritë e tyre, unë bëj llogaritë e mia. Unë i bëj llogaritë si kujdestar i interesave të qytetarëve të Tiranës. Nuk jam këtu të bëj llogaritë as të Shpendit, as kryetarit të Bashkisë në Beograd. Secili kryetar bashkie u del zot qytetarëve të vet. Argumenti im është se xhepat e qytetarëve shqiptarë çmimin aktual mund të përballojnë.

Unë e kuptoj se me situatën ku gjendet transporti publik, i cili është totalisht i privatizuar në Tiranë, ne nuk kemi një plan B. Pra që ne të nxjerrim flotën tonë të autobusëve, siç mund të ketë në qytete të tjera, ku ekziston gjithmonë një mundësi ku Bashkia e ofron këtë shërbim, ne nuk i kemi këto autobusë. Bashkia nuk e ka një kompani të vetën, por ky nuk është një argument që të abuzohet e ne të shantazhohemi në këtë mënyrë. Ndaj, nuk e pranoj shantazhin, por pranoj diskutimin. Nesër i mirëpres për një diskutim.

Nëse shërbimi i autobusëve rregullohet vetëm kur kryetari i Bashkisë hipën në autobus dhe koncepti “frika ruan vreshtin” është koncepti me të cilin funksionojnë linjat, kjo nuk funksionon. Për sa kohë që përmirësimi në shërbim varet vetëm nga frika se mos kryetari hipën në autobus, ky nuk është një argument bindës. 

I kuptoj bashkitë e tjera, ata kanë marrë vendimet e tyre, kanë zgjedhësit e tyre, por ama ne, para se të fillojmë të flasim për bileta, duhet në fillim të dëgjojmë nëse janë dakord për biletë elektronike, nëse janë dakord për linjat e reja të autobusëve që prekin edhe fshatin dhe nëse janë dakord të përmirësojnë dhe rrisin cilësinë e shërbimit dhe flotës së tyre.

Disa autobusë janë mesatarë, të pranueshëm, disa autobusë janë si zisat, apo furgonët si në kohën e komunizmit dhe të kërkosh që teksa e trajton qytetarin si një kafshë e hipur në këto mjete e t’i thuash tani paguaj 700 lekë se aq e ka Prishtina e Beogradi, nuk më duket argument. Le të kenë argument më të mirë! Jam gati t’i pres. Unë nuk jam si ai tjetri para meje që i bën bisht vështirësive. Jam gati të ballafaqohem, por kjo nuk është negociatë me terroristë. Nëse duan të gjejnë gjuhën me Bashkinë do ta bëjmë sipas normave të çdo negociate, por rritje çmimi dhe absurditete të tilla nuk do të ketë! Është kohë festash dhe nuk është bukur për askënd që festat të “nakatosen” me absurditete të kësaj natyre.
                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             
Redaksia online
(S,m/shqiptarja.com)