Binance, platforma më e madhe e kriptomonedhave, gjobitet 4 miliardë dollarë

Binance, platforma më e madhe e kriptomonedhave, gjobitet 4 miliardë dollarë

Changpeng Zhao

Qeveria amerikane i dha një goditje masive firmës Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave. Firma Binance ra dakord të martën që paguajë një gjobë prej rreth 4 miliardë dollarësh, ndërsa themeluesi dhe shefi i kompanisë Changpeng Zhao u deklarua fajtor për një krim që lidhej me dështimin e tij për të parandaluar pastrimin e parave në platformë.

Zoti Zhao dha dorëheqjen nga drejtimi ndërsa firma Binance pranoi shkeljet e shumta.

“Përdorimi i teknologjisë së re për të shkelur ligjin nuk ju bën novator, ju bën kriminel”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, i cili e quajti marrëveshjen si një nga dënimet më të mëdha të korporatave në historinë e vendit.

Në bazë të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Binance do t’i nënshtrohet vëzhgimit për pesë vite, mes të tjerash, edhe sigurimin e largimit të plotë të firmës nga Shtetet e Bashkuara. Binance është një kompani me qendër në Ishujt Cayman.

Zoti Zhao njihet si rivali kryesor i zotit Sam Bankman-Fried, themeluesit 31-vjeçar të firmës FTX, platforma e dytë më e madhe i kriptomonedhave përpara kolapsit nëntorin e kaluar. Zoti Bankman-Fried u gjet fajtor në fillim të këtij muaji për mashtrim dhe vjedhjen e të paktën 10 miliardë dollarëve nga klientët dhe investitorët.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se firma Binance lejoi në platformën e saj veprimtari financiare nga aktorë të paligjshëm, “duke mbështetur aktivitete që nga abuzimi seksual i fëmijëve, tek narkotikët e paligjshëm dhe terrorizmi, në më shumë se 100,000 transaksione”.

Firma Binance nuk paraqiti asnjë raport lidhur me aktivitetet e dyshimta për ato transaksione, tha zonja Yellen, dhe kompania lejoi mbi 1.5 milionë dollarë shkëmbime me monedha virtuale çka bie ndesh me sanksionet amerikane, përfshirë veprimtaritë nga Brigadat al-Qassam të Hamasit, al-Kaida dhe organizata të tjera kriminale./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?