Biseda me Kafkën/ Përktheu Gëzim Qëndro

Biseda me Kafkën/ Përktheu Gëzim Qëndro<br>
Kafka ka sy të mëdhenj ngjyrë gri, që të shohin poshtë vetullave të trasha e të errëta. Fytyra e tij ngjyrë kafe është plot gjallëri. Kafka flet me fytyrë. Sa herë që mund t’i zëvendësojë fjalët me një lëvizje të muskujve të fytyrës, ai e bën. Buzëqeshja, mrrolja e vetullave, rrudhosja e ballit të ngushtë, shpërvjelja apo mbledhja e buzëve - lëvizje të tilla zëvendësojnë fjali të pathëna. Franc Kafkës i pëlqejnë gjestet, ndaj dhe është i kursyer me to.

Një gjest i tij nuk është shoqërim i bisedës, dyfishim i fjalëve, por shenjë e një gjuhe të pavarur lëvizjesh, mjet komunikimi, pra, aspak një refleks i pavullnetshëm, por shprehje e paramenduar e qëllimit. Kryqëzimi i duarve, shtrirja e pëllëmbëve të hapura mbi syprinën e tavolinës duke lëshuar trupin prapa butësisht, por megjithatë të tendosur në shpinoren e ndenjëses, përkulja e kokës përpara e shoqëruar me një mbledhje supesh, duke vënë fort dorën në zemër, këto janë disa nga mjetet e kursyera të shprehjes, të cilat ai gjithmonë i shoqëron me një buzëqeshje shfajësuese, si të donte të thoshte: “Është e vërtetë, e pranoj që jam duke bërë lojë: megjithatë, shpresoj që loja ime t’iu pëlqejë. Tek e fundit, këtë po e bëj vetëm që të fitoj mirëkuptimin tuaj, qoftë edhe për një kohë të shkurtër.”

- Kafka ka mendim shumë të mirë për ty,- i thashë babait.- Si jeni njohur?

- Në zyrë,- u përgjigj babai.- Por u njohëm më mirë pas skicës sime për treguesin e skedarit të kabinetit. Kafka e pëlqeu modelin që bëra. Filluam të bisedonim dhe ai më tregoi se pasdite, pas orëve të punës në zyrë, merrte mësime prej marangozit Kornhauser. Që nga ajo kohë ne flasim shpesh për çështje vetjake. Pastaj unë i dhashë poezitë e tua dhe kështu u bëmë shokë të ngushtë.

- Pse jo miq?

Babai tundi kokën.

- Ai është tepër i ndrojtur dhe i tërhequr për ta bërë mik.

 

*

 

Gjatë vizitës tjetër te Kafka, e mora në pyetje:

- A shkoni më te marangozi në Karolinental?

- E paske marrë vesh?

- Po, më tregoi babai.

- Jo, s’kam qenë prej kohësh. Shëndeti nuk ma lejon më. Madhëria e Tij, Trupi.

- E kuptoj fare mirë. Të punosh në një punishte gjithë pluhur nuk është ndonjë kënaqësi e madhe.

- Ja ku po gabon. Mua më pëlqen të punoj në punishte. Era e drurit të zdruguar, gërvima e sharrave, zhurma e goditjeve të çekiçit, të gjitha këto më magjepsin. Pasditja kalonte pa e vënë re, aq sa gjithmonë habitesha sa shpejt binte mbrëmja. 

- Por me siguri duhej të ishit shumë i lodhur.

- Po, por i kënaqur ama. Nuk ka gjë më të bukur sesa një punë e thjeshtë, konkrete dhe përgjithësisht e dobishme. Përveçse marangoz kam punuar edhe në bujqësi e kopshtari. Ishte shumë më e mirë dhe më me vlerë se puna e detyrueshme në zyrë. Aty e ndien veten qenie të epërme, më të mirë; por, sigurisht, ky është vetëm një vegim. Në realitet njeriu është gjithnjë e më i vetmuar, pra, më fatkeq. Kjo është e gjitha. Puna intelektuale e veçon njeriun nga shoqëria njerëzore. Një profesion, përkundrazi, e çon atë drejt njerëzve. Më vjen vërtet keq që nuk mund të punoj më në punishte apo në kopsht.

- Por ju ama nuk do të donit të hiqnit dorë nga posti që keni?

- Pse jo? Gjithmonë kam ëndërruar të punoj si bujk ose zejtar në Palestinë.

- Dhe të lini prapa gjithçka?

- Gjithçka, nëse kjo do t’i jepte jetës sime kuptim, qëndrueshmëri dhe bukuri. E njihni shkrimtarin Pol Adler?

- Kam dëgjuar vetëm për librin e tij, Fyelli magjik.

- Ai është në Pragë. Me gruan dhe fëmijët.

- Po ç’punë bën? 

- Nuk punon. Ai nuk ka profesion, ka vetëm prirje. Udhëton me gruan dhe fëmijët nga njeri mik te tjetri. Njeri i lirë dhe poet. Në prani të tij gjithmonë më bren ndërgjegjja, sepse e lejoj jetën time të shkërmoqet në zyrë.

*

Në maj të vitit 1921 shkrova një sonet, që u botua nga Ludvig Vinderi në shtojcën e të dielës së Bohemia-s.

Kafka tha me këtë rast:

- Ju e përshkruani poetin si një njeri të madh e të mrekullueshëm, me këmbët që i shkelin në tokë, ndërsa koka i humbet në re. Natyrisht, kjo është shëmbëlltyra krejt e rëndomtë e krijuar në qerthullin e konvencioneve të shtresës së ulët të klasës së mesme. Është një iluzion i motivuar nga dëshira, por që s’ka asgjë të përbashkët me realitetin. Në të vërtetë, poeti është gjithmonë shumë më i vockël se realiteti dhe më i dobët se njeriu mesatar. Prandaj ai e ndien barrën e ekzistencës tokësore shumë më thellë dhe më fort se njerëzit e tjerë. Për të kënga e tij është vetëm klithmë. Arti për artistin është vetëm vuajtje, me anë të të cilës ai çliron veten përpara vuajtjes së ardhshme. Ai nuk është gjigant, por vetëm një zog me puplajë pak a shumë të ndritshme, i mbërthyer brenda kafazit të ekzistencës së tij.

- Po ju?

- Unë jam një zog i pamundur. Unë jam një stërqokë - një kavka. Tregtari i qymyrit në oborrin e katedrales Tein ka një të tillë. E keni parë?

- Po, sillet rreth e qark shitores së tij.

- Veçse kushëriri im jeton ku e ku më mirë se unë. Natyrisht, është e vërtetë që krahët ia kanë lidhur. Sa për mua, në çdo rast kjo do të ishte e panevojshme, sepse krahët e mi janë atrofizuar. Prandaj lartësitë apo largësitë për mua nuk ekzistojnë më. Unë sillem përqark midis njerëzve, duke u hedhur pupthi i hutuar. Ata më shohin me mosbesim të thellë. Unë jam një zog i rrezikshëm, një hajdut, një stërqokë. Por e gjitha kjo s’është veçse një iluzion. Puna është se mua më mungon ndjeshmëria për objektet që shkëlqejnë. Prandaj s’kam ndonjë puplajë të ndritshme. Unë jam ngjyrë gri, si hiri. Një stërqokë që ëndërron të zhduket mes gurëve. Por e gjitha kjo që thashë s’ishte veçse një shaka, që ti të mos vësh re sa keq i kam punët sot.

Nuk më kujtohet më sa shpesh e vizitoja Kafkën në zyrë. Një gjë, sidoqoftë, e kujtoj fare mirë: praninë e tij fizike teksa unë - gjysmë ore përpara përfundimit të ditës së punës - hapja derën në katin e dytë të Institutit të Sigurimit të Punëtorëve nga Aksidentet.

Ai rrinte ulur pas tryezës, me kokën e lëshuar prapa, këmbët të shtrira, ndërsa duart i pushonin mbi tavolinë. Piktura e Fillës, Lexuesi i Dostojevskit, ka diçka nga qëndrimi i tij. Nga kjo pikëpamje, kishte ngjashmëri të madhe midis pikturës së Fillës dhe paraqitjes trupore të Kafkës. Ndonëse duhet thënë se ishte krejt e jashtme. Prapa ngjashmërisë së jashtme qëndronte një ndryshim i brendshëm shumë i madh.

Lexuesi i Fillës duket si i mposhtur prej diçkaje, ndërsa qëndrimi i Kafkës shprehte një dorëzim të vullnetshëm e për këtë arsye një dorëzim triumfues. Mbi buzët e holla i ndehej një buzëqeshje delikate, e cila ishte shumë më tepër pasqyrim i një gëzimi të largët e të panjohur, sesa shprehje lumturie. Sytë e tij i shihnin njerëzit gjithmonë paksa nga poshtë lart. Pra, Franc Kafka kishte një paraqitje të veçantë, si të donte të shfajësohej që ishte aq i hajthëm dhe i gjatë. E gjithë figura e tij dukej sikur thoshte: “Unë jam, më falni, krejt i parëndësishëm. Ju më jepni një kënaqësi të madhe, nëse më shihni nga sipër”.

 

Kishte një zë bariton të ulët dhe ngurrues, thellësisht melodik, megjithëse kurrë nuk e kalonte shkallën mesatare në fuqi dhe lartësi toni. Zëri, gjestet, vështrimi, të gjitha rrezatonin paqen e mirëkuptimit dhe mirësisë.

Ai fliste edhe çekisht, edhe gjermanisht. Por më shumë gjermanisht. Dhe gjermanishtja e tij kishte theksin e rëndë me të cilin e flasin çekët. Por ngjashmëria përsëri është vetëm e rreme dhe e pasaktë.

Theksi i çekut që flet gjermanisht është i ashpër. Gjuha tingëllon sikur latohet me sëpatë. Por Kafka nuk linte kurrë këtë përshtypje. Gjermanishtja e tij tingëllonte këndore për shkak të tensionit të brendshëm: çdo fjalë, një gur. Ashpërsia e bisedës së tij shkaktohej nga përpjekja për të qenë i përpiktë. Ajo përcaktohej prej cilësive pozitive vetjake dhe jo nga karakteristikat e grupit. Biseda e tij u ngjante duarve të tij.

Kafka kishte duar të mëdha e të fuqishme, pëllëmbë të gjera, gishta të hollë me thonj të sheshtë në formë shpatulle, me kocka dhe nyje të dala e, megjithatë, mjaft delikate.

Kur kujtoj zërin, buzëqeshjen dhe duart e tij gjithmonë më kujtohet një vërejtje e babait tim për të. Ai tha:- Fuqi e ndërthurur me delikatesën më të përkorë, së cilës edhe gjërat më të vogla i duken më të vështirat.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Dumani: Në filtër vendimet e Vetingut, me iniciativën tonë hetojmë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar! Në fokus dhe ata që janë në sistem, ka premisa që kryejnë akte korruptive

Dumani: Në filtër vendimet e Vetingut, me iniciativën tonë hetojmë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar! Në fokus dhe ata që janë në sistem, ka premisa që kryejnë akte korruptive