Libani nuk është në dijeni të ndonjë kontakti të ardhshëm me Izraelin, ka thënë një zyrtar i presidencës së Libanit për BBC, pas postimit të presidentit Donald Trump në rrjetet sociale që njoftonte për negociata të mundshme gjatë ditës së enjte.

Trump tha se udhëheqësit e Libanit dhe Izraelit do të zhvillonin bisedime sot për herë të parë pas dekadash.

“Duke u përpjekur të krijojmë pak hapësirë frymëmarrjeje mes Izraelit dhe Libanit. Ka kaluar shumë kohë që kur dy udhëheqësit kanë folur, rreth 34 vjet”, shkroi ai në Truth Social.

Kjo vjen pasi Libani dhe Izraeli zhvilluan bisedimet e tyre të para diplomatike pas më shumë se tre dekadash më herët gjatë kësaj jave, një takim i rrallë që synon t’u japë fund luftimeve mes Izraelit dhe grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i ka bërë thirrje Abbas Araghchit që të bëjë përpjekje për të rikthyer lundrimin normal në Ngushticën e Hormuzit.

Wang tha se ndërsa sovraniteti dhe siguria e Iranit në Ngushticën e Hormuzit duhet të respektohen dhe mbrohen, duhet të garantohet gjithashtu liria dhe siguria e lundrimit përmes kësaj rruge ujore. Ekziston një interes i përbashkët për hapjen e ngushticës, tha ai.

Kina mbështet ruajtjen e armëpushimit dhe rifillimin e negociatave, shtoi ministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:21
Izraeli bën thirrje për evakuim në Libanin jugor, Hezbollahu: Kemi sulmuar me breshëri raketash

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, ka njoftuar një “paralajmërim urgjent” për banorët që jetojnë në Libanin jugor, ndërsa vazhdojnë sulmet ajrore.

Adraee thotë se Hezbollah po e “detyron” ushtrinë izraelite të veprojë në zonë dhe se IDF “nuk ka ndërmend të dëmtojë” civilët.

“Ne e përsërisim dhe ju bëjmë thirrje të largoheni menjëherë nga shtëpitë tuaja dhe të drejtoheni menjëherë në veri të lumit Zahrani,” shkroi ai. “Kushdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut, objekteve të tyre ose mjeteve të tyre luftarake, e ekspozon jetën e tij ndaj rrezikut.”

Grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka njoftuar se ka lëshuar një breshëri raketash drejt Izraelit këtë mëngjes.

Në një postim në Telegram, grupi thotë se ka shënjestruar Kiryat Shmona, Kfar Giladi, Misgav Am dhe Margaliot në veri të Izraelit, pranë kufirit me Libanin.

“Ky reagim do të vazhdojë derisa agresioni izraelito-amerikan kundër vendit dhe popullit tonë të ndalet,” thuhet në postim.