I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe këshilltari i lartë Jared Kushner kanë mbërritur në Doha për t'u takuar me ndërmjetësit dhe zyrtarët e Katarit, ndërsa ekipi negociator amerikan është rikthyer në rajon për raundin e fundit të bisedimeve që synojnë t'i japin fund luftës me Iranin.
Lajmi u konfirmua të martën nga Ministria e Jashtme e Katarit. Zëdhënësi i saj, Majed Al Ansari, tha se dy zyrtarët amerikanë ndodhen në Doha për takime me ndërmjetësit dhe autoritetet katariote.
Sipas Al Ansarit, bisedimet do të përqendrohen në të gjitha çështjet rajonale, përfshirë negociatat me Iranin dhe situatën në Liban. Ai theksoi se Witkoff dhe Kushner "nuk janë këtu për negociata me iranianët".
Nga ana tjetër, Irani bëri të ditur të hënën se këtë javë do të dërgojë delegacione në Katar, por këmbënguli se nuk ka rënë dakord të zhvillojë takime me Shtetet e Bashkuara "në asnjë nivel", pas sulmeve të fundjavës në Gjirin Persik që vunë në pikëpyetje vazhdimin e negociatave.
Sipas Teheranit, negociatorët teknikë iranianë do të zhvillojnë konsultime vetëm me zyrtarët e Katarit për pikat e marrëveshjes kuadër. Në fokus të diskutimeve do të jenë lirimi i aseteve të ngrira të Iranit dhe heqja e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani kishte kërkuar një takim me përfaqësuesit amerikanë dhe se ai ishte planifikuar të mbahej të martën në Doha. Më pas ai sqaroi se "takimi mund të jetë i rëndësishëm, por mund edhe të mos jetë. Do ta shohim".
Ditët e fundit tensionet janë përshkallëzuar në Ngushticën e Hormuzit, nga ku para nisjes së luftës kalonte rreth një e pesta e naftës së transportuar në botë. Pas katër ditësh sulmesh të ndërsjella, të dyja palët duket se ndalën përkohësisht sulmet të hënën.
Nëse do të zhvillohen bisedime mes SHBA-së dhe Iranit në Doha mbetet ende e paqartë. Po ashtu nuk dihet nëse ato do të jenë të drejtpërdrejta apo do të zhvillohen përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Pakistani.
Urgjenca e bisedimeve lidhet edhe me situatën në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani vazhdon të mbajë qëndrimin se do ta kontrollojë këtë rrugë ujore bazuar në interpretimin e tij të marrëveshjes kuadër.
Komente





